Berisha monopolizoi vendin, Topalli shkatërroi parlamentin

0
37

• Fehmi Abdiu, ish-deputet e ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, thotë se duhet të marrë fund pandëshkueshmëria e politikanëve fajtorë
• Të rihetohen ngjarjet kriminale pa autorë

Leonard Veizi Shekulli, 07.07.2013

– Fitues apo të humbur, asnjëri prej tyre nuk e ka lexuar me sy objektiv votën e mbi 1 milion shqiptareve në këto zgjedhje. Fehmi Abdiu, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-deputet i Kuvendit, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën Shekulli, thotë se gjithsesi PD që humbi zgjedhjet, duhet të gjejnë mënyra për të reaguar sepse gjatë viteve në pushtet, ka monopolizuar gjithë jetën e vendit. Sipas tij qeveria e drejtuar nga Berisha ishte një qeveri që i trajtoi shqiptarët me dy standarde, “të vetit” dhe të kundërshtarit, pra njeriun “armik”. Ndërkohë ai shton se për ngjarje të rënda me humbje jetësh njerëzore si “Gërdeci” apo “21 janari”, krime për të cilët ende nuk ka fajtorë, duhet parë mundësia ligjore e rihetimit, sidomos nëse ka të dhëna që nuk janë administruar apo janë fshehur për një arsye apo një tjetër. Për më tej, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Fehmi Abdiu flet në intervistën e tij:

Pretendohet se zgjedhjet e fundit, janë më të mira të 23 viteve pluralizëm. Cila është optika juaj për këtë proces?

Sipas mendimit tim, zgjedhjet e fundit patën një rëndësi shumë të madhe për të mos thënë historike, natyrisht pas atyre të vitit 1992, që dihet se çfarë rëndësie patën. Këto zgjedhje do të mbeten në historinë e Shqipërisë si shumë të rëndësishme për disa shkaqe. Ato ishin të rëndësishme për shkak të pritshmërisë e mënyrës së si u zhvilluan në përgjithësi. Fushata zgjedhore u bë shumë e zgjatur dhe në kundërshtim me rregullat dhe me ligjin pasi filloi shumë para kohe. Por në mënyrë të veçantë procesi zgjedhor e më vonë ai paszgjedhor, përgjithësisht qenë të standardeve të pranuara evropiane, përgjithësisht të bazuara në standarde kushtetuese dhe në legjislacionin zgjedhor. Për rëndësinë e veçantë të procesit dëshmon fakti se kjo fushatë qe një mjet reagimi mbarëpopullor, pra kam parasysh faktin mbi 1 milion shqiptarë reaguan negativisht ndaj qeverisjes aktuale. Pra Partia Demokratike mori atë që meritonte.

Sepse elektorati me të drejtë që revoltuar pak nga pak gjatë dy mandateve që drejtoi Partia Demokratike. E në këtë aspekt tregoi indinjatën mbarëpopullore ndaj situatës aktuale. Por këto zgjedhje kanë rëndësi shumë të madhe për faktin se vlerësimi i tyre kishte mbetur si i vetmi gur prove për të dhënë edhe një herë një vlerësim “pro” apo “kundër” Shqipërisë për në BE. Ishte një “gur prove” që vinte pas një situate pakënaqësie, mosbesimi që Evropa, forumet përkatëse, kishin krijuar ndaj Shqipërisë, sidomos kohët e fundit dhe ndaj pyetjes nëse ky vend do t’i plotësonte standardet për të kandiduar për në BE apo do të mbeste edhe një herë në klasë siç ka mbetur shpesh. Për këto, por dhe për arsye të tjera mendoj se qëndron rëndësia e zgjedhjeve aktuale.

Mendoni se vota e këtyre zgjedhjeve ka filluar të lexohet nga politika?

Problemi shtrohet: A i lexuan shqiptarët dhe në veçanti humbësit dhe fituesit realisht me sy objektiv votën e mbi 1 milion shqiptareve? Unë mendoj se këtu duhet të them “Jo”. Them kështu se PD që humbi zgjedhjet, duhet të gjejnë mënyra për të reaguar. Pala humbëse u mjaftua me faktin se për “fat të mirë” të Shqiptarëve kryeministri në detyrë deklaroi dorëheqjen nga kreu i PD-së dhe pranoi që përgjegjësia në këtë humbje i përkiste vetëm atij. Pala tjetër, që vazhdon të jetë ende në eufori, është e rezervuar për të bërë deklarata të bujshme pas fitores, sepse këto deklarata i ka bërë para saj.

Ajo po bën përpjekje për të folur sa më pak e për të justifikuar ato çka ka premtuar, duke shprehur në mënyrë paraprake, para formimit të ekzekutivit se do t’i realizojnë ato çka u premtuan shqiptarëve, sepse populli këtë kërkon prej “bllokut të majtë”, mbajtjen e premtimeve. Në këtë drejtim ndonëse jemi në ditët e para pas përfundimit të procesesh zgjedhor, mund të them se votat nuk janë lexuar si duhet. Rezultati i zgjedhjeve, si shenjë besimi për bllokun fitues, imponoi edhe një ndjenjë të lartë përgjegjësie që duhet të bazohet në vepra, në rezultate konkrete. Iku koha e demagogjisë dhe e mashtrimeve.

Mendoni se përgjegjësia për humbjen e së djathtës i takon vetëm një emri, Berishës?

Unë nuk e quaj aspak normale që të pranohet botërisht që fajin për humbjen në zgjedhje nga blloku i djathtë e ka vetëm kryeministri në detyrë Sali Berisha. Edhe pse e quaj atë fajtor, si një drejtues me mjaft gabime, por që si çdo njeri që drejton ka dhe vlerat e veta, unë mendoj se bashkëfajtor me të janë gjithë drejtuesit e tjerë të Partisë Demokratike, veçanërisht kupola që ka qeverisur me të. Madje këta 3-4 të tjerët i kanë sjellë më shumë dëme Partisë Demokratike se sa kryeministri në detyrë, që nuk mund ta mohojmë se bëri një fushatë intensive por dhe shumë personale.

Për mua gabimet më të mëdha, pra bashkëpërgjegjësi me të duhet të mbajnë dhe nënkryetarët e partisë, kryetari i Grupit Parlamentar etj, pra njerëz që drejtojnë prej vitesh PD-në. Duhet vënë në dukje se kjo është një parti e cila edhe pse drejtoi për 8 vjet rresht, edhe pse kishte drejtuar për disa vite edhe më përpara, injoroi apo harroi standardet statusore të partisë gjatë gjithë këtyre viteve, e në mënyrë të veçantë për zgjedhjet e forumeve drejtuese dhe krerëve. Secili prej nesh ka ndjekur, ka parë e ka kuptuar se si PD gjatë këtyre viteve ishte kthyer në partishtet dhe veprimtaria e saj nuk funksiononte por drejtohej vetëm nga kupola e saj jashtë partisë. Pra mendimi im është se nuk mjafton fakti se PD humbi nga Sali Berisha, apo nga ajo që po argumentohet kohët e fundit se humbi nga që 1 milion shqiptarë nuk e kuptuan programin strategjik të saj, apo se 1 milion shqiptarë nuk e kuptuan nevojën e një mandati të tretë.

Pra duhet shkuar në përfundimin se mbi 1 milion shqiptarë objektivisht dhe subjektivisht ishin dhe mbetën të pakënaqur nga udhëheqja, veprimtaria e ekzekutivit të kryeministrit në detyrë që në 8 vjet pati një qeveri që ishte shkëputur nga interesat e popullit të vet, madje edhe nga interesat e një pjese të elektoratit të vet. Ishte një qeveri që i trajtonte shqiptarët me dy standarde, me standardin e “të vetit” dhe të kundërshtarit, pra shumë shpejt “njeriut armik”. E them këtë sepse nuk do dëshiroja kurrë që koalicioni i majtë, i cili do të formatojë qeverinë, të mbante një qëndrim të tillë ndaj shqiptarëve, duke i parë nga ngjyra nëse janë “mavi” apo “blu”. Në këtë aspekt them se votat nuk janë lexuar, me vëmendje nga të majtët. Por gjithsesi meqenëse është shumë shpejt, të presim e të shohim se si do ta vlerësojnë fitoren e tyre.

Unë mendoj se fitorja është shumë e rëndësishme për koalicionin e majtë dhe shumë interesante e domethënëse në përqindjen e saj, prandaj po kaq e rëndësishme do të jetë dhe përgjegjësia që ka e majta. Në qoftë qe se koalicioni i majtë nuk do të qëndrojë me realizëm në konceptin që trajtoi Rama, i cili në mënyrë figurative tha se do të jetë “kryeshërbëtori” i zgjedhësve, nëse ministrat e tij apo njerëzit që do punojnë me të, nuk do ta shohin veten si shërbëtorë të vërtetë të popullit, jo vetëm të elektoratit të tij, pra nëse nuk do të mbajë premtimet e duhura, do ta zhgënjejnë atë. Pra dua të nënvizoj faktin se fitorja sjell një faturë të madhe përgjegjësie për të, prandaj shpresojmë që t’u dalin për zot premtimeve që kanë dhënë.

Fondet për KQZ-në, Prokuroria të nisë hetimin

Fehmi Abdiu thotë se institucione e së drejtës gjatë këtyre viteve dukshëm kanë qenë nën pushtetin e ekzekutivit. “Në mënyrë të veçantë do të ndalesha tek një organ që është vënë në qendër të vëmendjes muajt e fundit, por që për fat të keq të shqiptarëve asgjë nuk ka ndryshuar nga veprimtaria e vet. Futja në proces e Komisionit Qendror Zgjedhor me një numër prej 4 anëtarësh, kur ligjërish ai është formatuar si një institucion me 7 anëtarë, e ku vendimet më të mëdha duhen marrë minimalisht me 5 vota, jo vetëm që ka qenë shkelje skandaloze e standardeve demokratike, e ligjit zgjedhor, por ka qenë absolutisht e papranueshme, për çdo njeri që aspiron demokracinë. Çudia më e madhe ishte qe dhe kur faktori ndërkombëtar, i cili ka bërë përpjekje tek forcat politike për të gjethur një mirëkuptim, nga këto të fundit asnjëra palë nuk lëshoi pe për rikompozimin e tij.

KQZ tani vazhdon të jetë antikushtetues, ka marrë e do të marri vendimet që bien ndesh me standardet. Ndërkohë KQZ duhet të sqarojë shqiptarët se ç’u bë me fondet e planifikuara e të dhëna nga Evropa, për kërkesat e ligjit, se do të votohej në mënyrë elektronike në disa rrethe vendet. Askush nuk i del për zot dështimit të madh të këtij projekti. Unë mendoj se është detyrim ligjor i Prokurorisë të hetojë, verifikojë e të marrë masat përkatëse për këto përgjegjësi, për personat që kanë përgjegjësi ligjore, qoftë drejtuesit e KQZ apo të administratës që janë të lidhura me KQZ. Pra heshtja për një problem kaq të madh nuk mund të justifikohet. Mendoj se edhe mazhoranca e re duhet t’i shkojë deri në fund këtij problemi e të sqarojë popullin shqiptar, për këtij projekt që dështoi pa filluar akoma”.

Të marrë fund mosndëshkimi i fajtorëve

Dosja “Gërdeci” dhe ajo e “21 janarit”. Për ngjarje të rënda me humbje jetësh njerëzore, të cilat ende nuk kanë fajtorë Fehmi Abdiu thotë se ato, si të tilla, duhet të rishikohen më bazë të fakteve të reja: “Gjithë bota e di që në Shqipëri ndodhën ngjarje të jashtëzakonshme siç ishte edhe ajo e Gërdecit. Gjithë njerëzit e interesuar për të vërtetën janë të bindur se për atë ngjarje padrejtësisht nuk u ndëshkuan fajtorët. Po kështu gjithë bota u njoh me ngjarjen e 21 janarit. Por sot e kësaj dite realisht askush nuk ka dhënë llogari. Duhet të marrë fund mosndëshkimi i fajtorëve,veçanërisht i politikanëve, për të cilët deri vonë u spekulua me imunitetin, për të cilin u bë vite me radhë luftë politike, pa asnjë rezultat pozitiv. Me këtë pyetje ka të bëjë dhe qëndrimi që mendohet se mund të mbajë koalicionin e ri qeverisës sipas të cilit ministrat s’duhet të jenë deputetë të cilin unë e konsideroj të drejtë.

Ka shumë argumente pro dhe kundër këtij qëndrimi, por më i rëndësishmi do të jetë fakti se ata do të jenë më të përgjegjshëm dhe të pambrojtur padrejtësisht vetëm se do të ishin edhe deputetë. Unë mendoj se këto ngjarje duhet të rihetohen, nëse ka mundësi ligjore. Veçanërisht nëse ka të dhëna që nuk janë administruar apo janë fshehur për një arsye apo një tjetër. Ne mund të jemi nga vendet e rralla ku ministrat e qeveritarët nuk kanë përgjegjësi ligjore apo civile. Në mjaft kushtetuta të vendeve përreth nesh theksohen rastet e përgjegjësisë penale të ministrave. Ndërsa tek ne, as në kushtetutë e as në ligjin mbi organizimin e funksionimin e Këshillit të Ministrave nuk ka asgjë. Mbase dhe ky fakt u ka dhënë një armë në dorë pushtetarëve dhe i ka lejuar ata të livadhisin si të duan. Pra përfundimisht unë them se për ngjarjet më të hidhura që kanë ndodhur në Shqipëri në këta 10 vitet e fundit, duhet t’u vihen një emër përgjegjësve kryesor, që sipas mendimit tim deri tani nuk kanë dhënë akoma llogari.

Partia-shtet e një individi drejtoi Shqipërinë

Problemi i shtetit ligjor është një problem shumë i madh, është “Thembra e Akilit” në demokraci. S’mund të ketë demokraci pa shtet të drejtës e pa ndarje të pushteteve. Për fat të keq gjatë këtyre viteve të gjithë janë dëshmitarë të një fakti, se edhe pse parimisht e kushtetutshmërish në Shqipëri janë tre pushtete, të barasvlershme e që balancojnë njëritjetrin; realisht ka drejtuar një parti-shtet, një parti e një individ. Kjo është PD dhe një që, ka ditur dhe ka monopolizuar gjithë jetën e vendit. Nuk do të dëshiroja që kryeministri që do vijë, zoti Rama të ketë këtë fat, si për mirë dhe për keq, pasi s’do ndihet vetëm kryeministër, por do jetë një kryeministër me mjaft probleme në veprimtarinë e vetë të ekzekutivit, çka nuk do të doja që ai të monopolizonte gjithë segmentet e shtetit.

Nuk ka nevojë të përsëris se edhe pse ka fituar koalicioni i majtë, pa ndrojtje mund të themi të gjithë segmentet e shtetit mbahen monopol nga kryeministri në detyrë, deri ditën kur të iki. Në këtë aspekt, për jetën e veprimtarinë e tij edhe legjislativi u bë më keq se ekzekutivi, si pjesë përbërëse e drejtuese e PD-së, ku u harrua edukata pluraliste parlamentare, bashkëbisedimi, tendenca e fryma për kompromis, e mirëkuptim edhe me palën kundërshtare kur është e nevojshme. Parlamentarizmi u dëmtua më shumë se pushtetet e tjera. U dëmtua më shumë se u shkallmuan edhe ato pak përpjekje që ishin arritur në bashkëmirëkuptim për të qeverisur në bazë të një legjislacioni demokratik. Në mënyrë të veçantë një dëm të madh parlamentarizmit i ka sjellë kryesia e Parlamentit, apo vetë kryetarja e saj.

Në kuptimin ligjor ajo ishte e para mes të barabartëve por në të vërtetë u bë prokurore e njëanshme. Por le të shohim drejtuesit e institucioneve dhe parlamentet e vendeve të tjera. Në asnjë vend të tillë nuk do të gjeni të parin duke ulëritur e bërtitur me të gjithë, përveçse ne parlamentin shqiptar ku një grua, bërtiste, çirrej dhe ironizonte derisa në fund u përmendi një pjese të deputetëve se: “do të shkonin për lesh”. Tani me të drejtë këta të fundit, mund ta pyesin: “Kush shkoi për lesh?”. Dhe le t’i japi ajo një përgjigje. Nuk dua të ironizoj njeri në këtë drejtim, por dua të them se kaq hakmarrës e kaq pa takt, nuk patën qenë drejtues të parlamentit që vuajtën me vite të tëra në burgjet e diktaturës. Kujtoj këtu figurën e Pjetër Arbnorit, tek i cili shihnim shpirtin për të duruar e për të zbutur emocionet e deputetëve, gjë që nuk e vura re asnjë ditë në veprimtarinë e kësaj të fundi, Kryetares së Parlamentit e cila ka ikur tashmë.