Nga Përparim Halili, 23 Korrik 2012
Kam shfletuar këto ditë raportet ndërkombëtare të viteve 1997-2012, që kanë publikuar treguesit dhe nivelin e korrupsionit në vendet në monitorim special, tipike të Botës së Tretë, siç është dhe Shqipëria. Në 107 raportet e publikuara nga institucionet investiguese e vlerësuese zyrtare ndërkombëtare dhe institucionet e specializuara të shoqërisë civile në SHBA, BE, KiE etj, rezulton se në këto 15 vite, të dy qeverisjet politike PS e PD dhe 11 kabinetet qeverisëse të emërtuara “Nano”, “Majko”, “Meta”, “Berisha” e “Berisha-Meta”, kanë si tregues korrupsionin e lartë dhe interesin e ulët, madje pengimin e qëllimshëm për ta luftuar atë. Ky tregues korrupsioni në Shqipëri, jo vetëm ka ardhur në rritje, por është institucionalizuar e është bërë pushtet më vete, madje tepër i fuqishëm, komandues në jetën parlamentare, legjislative, ekonomike, të drejtësisë, të qeverisë, të shtetit, të politikës.
Nëse në Shqipëri, kushtetueshmërisht ka katër pushtete, praktikisht funksionojnë 5 pushtete, mbasi është “ligjësuar” dhe “pushteti i korrupsionit”. Ky është pushteti i parë, i plotfuqishëm në Shqipëri. “Pushteti i korrupsionit” kontrollon dhe komandon shtetin, duke i imponuar atij heshtje totale përballë veprimtarisë që strukturon e zhvillon. “Pushteti i korrupsionit” kontrollon dhe komandon plotësisht qeverinë, duke pasur përfaqësuesit e tij të fuqishëm në kabinet, që nga kryeministri, deri tek ministrat dhe zyrtarët e lartë poshtë tyre. Siç dihet, kryeministri Sali Berisha dhe qeveria nuk orientohen më nga programi qeverisës dhe nga interesat kombëtare e ato të “sovranit” (siç reciton me tallje Sali Berisha), por nga interesat dhe “programi i pushtetit të korrupsionit”.
Parlamenti shqiptar është kthyer në “punishte” që prodhon ligje posaçërisht vetëm për interesat e “Pushtetit të korrupsionit”. Sipas një raporti investigues të ekspertëve të huaj e shqiptarë të ligjëvenies, në vitet 1997-2011 parlamenti shqiptar ka miratuar 975 ligje që mbështesin dhe mbrojnë interesat e mafies ekonomike shqiptare, qeveritare, rajonale e ndërkombëtare, duke zbatuar në mënyrë të bindur “programin e pushtetit të korrupsionit” në sektorin e ligjvënies. Drejtësia është një tjetër pushtet “i kapur”, që komandohet vetëm nga “Pushteti i korrupsionit” dhe qëndron në gjunjë si “kone” e bindur përballë tij. Pushteti i medias (pak media janë të lira) është një tjetër “pushtet lavir”, që po zvarritet deri në pështirosje e neveri nën urdhrat dhe këmbët e “Pushtetit të korrupsionit”.
Politika është një tjetër pushtet, që pasi e ka “mbarsur e pjellë” korrupsionin, tashmë e ka “rritur” dhe e përfaqëson totalisht “Pushtetin e korrupsionit” me kapot e saj politikë, qeveritarë e ligjvënës. Të gjithë pushtetet, të gjithë “kapot” e pushteteve, si të mos jenë produkt, nënprodukt, peng, përfaqësues e shërbëtorë aktiv të “pushtetit të korrupsionit”, dalin e ulërijnë tribunave dhe ekraneve të TV-ve për “luftë kundër korrupsionit”! Duket qartazi që edhe në fjalimet e tyre “të luftës kundër korrupsionit”, në çdo rrokje kanë korrupsion në shërbim të korrupsionit. Edhe në kumtesat e tyre për “luftën kundër korrupsionit”, ata flasin me gjuhën e mbrojtjes dhe fuqizimit të “pushtetit të korrupsionit”, përcjellin vetëm “tezat e programit” të “Pushtetit të korrupsionit”.
Dëgjova dje. Dëgjova pardje. Kam 10 ditë që dëgjoj, kam 20 vjet që dëgjoj “kapot” e kupolës së pushteteve e të politikës shqiptare, të cilët (gjoja) kërkojnë të luftohet e të zhduket korrupsioni. Veçanërisht lufta kundër korrupsionit, po përdoret si “model” drejtësie e ndershmërie pikërisht tani, që po flitet për heqjen e imuniteteve të pa hequra e të mbajtura po prej tyre prej 20 vjetësh. Po nga kush po përdoret ky “model ndershmërie”, i luftës kundër korrupsionit? Pikërisht nga këta kapobanda të korrupsionit qeveritar e politik, nga këta monstra të pushtetit, të drejtësisë dhe politikës 20 vjeçare, të cilët i kanë mbajtur e vazhdojnë t’i mbajnë këto imunitete, si “mburojë” për të siguruar llogari bankare e pasuri kriminale.
Imuniteti për ta ka qenë një mjet special i fuqishëm personal e familjar, për të mos u kontrolluar nga shteti, për të mos u ballafaquar me ligjin, për të mos u ndëshkuar nga drejtësia. Dhe tani, që janë majmur e janë bërë me pasuri trashëguese të pakonsumueshme as nga 20 breza pasardhësish, dalin e na bëjnë llogje me heqje imuniteti. Dalin e na bëjnë gallatë publike, se gjoja me heqjen e imunitetit këta… do të luftojnë korrupsionin. Po kush e bën korrupsionin?! Po cilët “të korruptuar”, do luftoni, veten tuaj?!
Del kryeministri Sali Berisha, i cili e ka bandën e korrupsionit e të mafies ekonomike qeveritare brenda në “krevat” e në shtëpi tek aktiviteti korruptiv që bën gruaja, vajza, djali, kunati, dhëndri, mbesa, nipi e krushku dhe “ulërin” gjoja për “luftë kundër korrupsionit”! Del “Tano Karidi” ”kryeministri Sali Berisha, i cili e ka kabinetin me ministra super të korruptuar e të penalizuar dhe mban fjalime qesharake e bajate, se do luftojë korrupsionin! Del “Espinoza” Ilir Meta dhe “betohet” për luftë kundër korrupsionit, kur është “etalon” i korrupsionit qeveritar e politik shqiptar, kur jeton si SHEIK me pasuri të shumta e të fuqishme të siguruara me korrupsion kryeqeveritar. Del Genc Ruli, fytyra me e deformuar e krimit ekonomik shqiptar në këto 20 vite dhe na bilbilos leksione për luftën kundër korrupsionit.
Del super i korruptuari deri me krim vrasës njerëzor Fatmir Mediu dhe na reciton citate për luftën kundër korrupsionit. Shikoni tribunat e konferencave për luftën kundër korrupsionit. Kush janë ata që mbajnë ligjërata? Kryeministra e ish-kryeministra, ministra e ish-ministra, deputetë e ish-deputetë, kryetar e ish-kryetarë gjykatash, krye-prokurorë e ish-kryeprokurorë, politikanë e ish politikanë, të cilën njihen si “koka” e korrupsionit dhe e krimit ekonomik shqiptar, si mbrojtës e mos ndëshkues të kapove të korrupsionit në këto 20 vite. Të gjithë akuzojnë njeri-tjetrin për korrupsion, të gjithë “mallkojnë” bashkërisht korrupsionin, të gjithë japin ide e firmosin pakte për luftën kundër korrupsionit. Të gjithë shkojnë nëpër kolltuqet e tyre dhe që prej andej vazhdojnë të “bekojnë” dhe mbrojnë korrupsionin.
Të gjithë “shefat e korruptuarit” flasin kundër korrupsionit…
SALI BERISHA: Korrupsioni është kanceri i një shoqërie dhe i një qeverie, ne si qeveri e kemi fituar betejën me këtë kancer, zotohem se do ta luftojmë me tolerancë zero nëse rishfaqet. Ju jap fjalën e nderit, se kush bën korrupsion, do të marrë ndëshkimin e merituar.
ILIR META: Ne kemi qenë dhe jemi të papajtueshëm me krimin e korrupsionit, duhet të bëhemi bllok, për ta luftuar e zhdukur këtë krim, drejtësia po bashkëpunon aktivisht në këtë luftë.
FATMIR MEDIU: Rruga e vetme për të fituar betejën me korrupsionin është vendosmëria jonë si qeveri dhe futja e drejtësisë në binarët e zbatimit të ligjit, për ta ndëshkuar pa asnjë tolerancë.
GENC RULI: Përballë korrupsionit, ashtu si deri tani duhet të tregojmë që jemi më të fortë si qeveri, të bëjmë luftë pa kompromis kundër tij.
SOKOL OLLDASHI: Ne i kemi treguar vendin e merituar korrupsionit, qeveria e Berishës tregoi se është armike e betuar e korrupsionit dhe e ka fituar luftën me të.
SPIRO KSERA: Edhe unë jam dakord me parafolësin, që luftën me korrupsionin e kemi luftuar dhe ai nuk ndodhet më në qeverinë tonë.
ENKELEJD ALIBEAJ: Asnjë lëshim korrupsionit, këtë po e dëshmojmë përditë me luftën tonë si qeveri dhe mazhorancë.
JEMIN GJANA: Nuk di që qeveria jonë të ketë korrupsion, nuk do merremi me fjalë. Di se ajo masë korrupsioni që ishte e trashëguar nga pushteti i PS, u pastrua në vitet 2005-2009.
LULËZIM BASHA: Mund të themi me krenari, se fakti është ky: Korrupsionin e kemi mposhtur, mazhoranca qeverisëse është e pastër nga ky virus.
ARBEN IMAMI: Korrupsioni e njeh mirë forcën e kësaj qeverie, së bashku me kryeministrin po e luftojmë atë deri në strofullën e tij të fundit
Të gjithë këta, Berisha, Meta, Ruli, Basha, Imami, Olldashi, madje edhe Ksera, na broçkullisin pa pushim për luftën kundër korrupsionit. Tashmë, “na keni bindur” që ju kryeministra, ministra, deputetë, politikanë, ambasadorë, kryedoganierë, gjyqtarë, prokurorë, familjarët tuaj etj, etj, nuk e bëni korrupsionin, sepse nuk ju lejon ligji dhe ndërgjegjja si “shërbëtorë të popullit e shtetit”.
Kam një pyetje: Po kush e bën korrupsionin në Shqipëri? Mos vallë e bëjnë ata që paguhen me ndihmë ekonomike? Mos vallë e bëjnë ata që mbledhin kanoçe kazanëve? Mos vallë e bëjnë ata që kullosin bagëti maleve? Mos vallë e bëjnë suvaxhinjtë e ndërtimit? Mos vallë e bëjnë ata që lypin bukë rrugëve? Apo mos vallë e bën gjyshja ime 100 vjeçe, atje në fshatin Beçisht, rrëzë malit të Shëndëllisë në Tepelenë?!