Berisha me plumba, Rama me vota. Por si?

0
26

Nga Eduard Zaloshnja, 8 Shkurt 2013

Në bisedën me Artur Zhejin në “360 gradë”, Edi Rama deklaroi se vrasjet e 21 janarit ishin një ekzekutim i ftohtë njerëzish të pafajshëm, në momentin kur demonstrata nuk paraqiste më asnjë rrezik. Dhe ai premtoi se drejtësia do të vihet në vend pas 23 qershorit, kur opozita të vijë në pushtet. Por kur Zheji i tha se, që të arrihet rotacioni i pushtetit me votë, ndoshta duhet zgjeruar koalicioni opozitar me parti të tjera si FRD, LSI dhe AK, Rama deklaroi se koalicioni aktual i ka votat për 70 e ca mandate.

Rama i tha këto fjalë në një situatë kur demokracia dhe shteti i së drejtës në Shqipëri janë diagnostikuar me kancer, jo vetëm nga shumë shqiptarë, por edhe nga Uashingtoni e Brukseli. Mënyra sesi u zhvilluan zgjedhjet e 2011-ës “minuan të drejtën e shqiptarëve për të ndryshuar qeverinë me votë të lirë,” thuhej në raportin e vjetshëm të Departamentit të Shtetit Amerikan (kancer në demokraci). “Jemi të tronditur nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë për të shpallur të pafajshëm dy të pandehur që u gjykuan për akuza në lidhje me vdekjen e tre protestuesve më 21 janar 2011… Verdikti i gjykatës ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente,” thuhej në deklaratën e djeshme të ambasadës amerikane në Tiranë (kancer në shtetin e së drejtës). Të ngjashme kanë qenë edhe deklaratat e Brukselit, por jo kaq të drejtpërdrejta.

Duke u alarmuar nga kjo sëmundje e rëndë që ka kapur dy organet kryesore për jetën e një vendi anëtar të NATO-s, komisioneri Fyle, gjatë takimit me ambasadorët kryesorë në Tiranë, ka diskutuar për një bashkërendim mes BE-së dhe NATO-s, si një organizëm edhe politik për të monitoruar zgjedhjet. Sipas Fyles, NATO-ja është organizmi ku Shqipëria është vend anëtar dhe mbetet mjeti më i mirë shtrëngues për t’i detyruar palët drejt reformave dhe standardeve.

Le të supozojmë se NATO-ja dhe BE-ja do të monitorojnë fort zgjedhjet e 23 qershorit, por sidoqoftë, deklarata e Ramës për 70 e ca mandatet e koalicionit aktual të PS-së nuk jep shumë garanci për rotacionin e pushtetit. Historia ka treguar se regjime që vrasin njerëz të pafajshëm (duke ndenjur me duar në xhepa në trotuar, p.sh.), përmbysen me votë vetëm kur krijohet një front i madh opozitar, që ka një epërsi të padiskutueshme elektorale.

Regjimi komunist kishte vrarë mijëra njerëz të pafajshëm në Shqipëri, por u mund me votë vetëm kur një front i madh ish-komunistësh, ish-të përndjekurish politikë, ish-pronarësh, studentësh dhe njerëzish të thjeshtë, të ndihmuar nga monitorimi i rreptë i Uashingtonit e Brukselit, ia bënë të pamundur qëndrimin e mëtejshëm në pushtet.

Milosheviçi, i cili kishte vrarë shumë kundërshtarë të tij politikë, u mund me votë nga Koshtunica, vetëm kur në frontin opozitar u bashkuan nacionalistë, ish-komunistë, konservatorë, liberalë, ruajalistë, organizata rinore, etj. etj., dhe ia bënë të pamundur ndryshimin e rezultatit në tavolinë.

Duke rikujtuar këta shembuj të historisë, Rama ndoshta duhet ta rishikojë edhe një herë strategjinë e tij elektorale, e cila bazohet te “70 e ca mandatet” e koalicionit të tij aktual. Është e vërtetë se Ilir Meta, Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu, të cilët udhëheqin parti me peshë të pritshme elektorale, janë akuzuar në opinionin publik për korrupsion, por po aq janë akuzuar edhe shumë nga bashkëpunëtorët e Ramës, e madje edhe ai vetë. Ndërsa të tre ata, si dhe të gjithë drejtuesit e partive që janë në koalicionin aktual të PS-së kanë një dallim të madh e shumë të rëndësishëm nga Berisha – nuk kanë urdhëruar vrasjen e njerëzve që rrinë me duar në xhepa në bulevard…

http://respublica.al/opinion/2013/02/08/berisha-me-plumba-rama-me-vota-por-si