Në nisje të fjalës së tij para grave me rastin e Festës së Gruas, Berisha tha se atyre u dedikohet mbijetesa e kombit shqiptar, pasi nuk e përzien gjakun e shqiptarëve me pushtuesit. “Kombi ynë ndër më të vjetrit në Europë, në tërë historinë e tij, njohu pushtime të gjata shekullore, njohu pushtime dhe hordhi ndër më barbaret, të cilat kishin një dhe vetëm një synim, zhdukjen e tij nga faqja e dheut, por të gjitha dështuan.
Dështuan, sepse ju gratë dhe vajzat shqiptare, në shekuj dhe mijëvjeçarë ruajtët të pastër gjakun e kombit, identitetin e tij. I garantuat kombit dhe shqiptarëve përjetësinë e tij. Dështuan, sepse ju, kishit një zemër të atillë, që një shekull, një vit, do të faktohej, do të provohej, më e madhërishmja, më fisnikja, zemra e botës, zemra që do të pushtonte mbarë njerëzimin, zemra që do të drejtonte të quhej nëna e të gjithë njerëzimit, Nënë Tereza,” tha Berisha.
Kryeministri u ka folur grave edhe për zgjedhjet lokale dhe për politikë. “Sot fije të së shkuarës, pinjollë të atyre që përmbysëm 20 vjet më parë me votën tonë të lirë, janë vërsulur me tërbim kundër saj, kundër votës kundër sensit të lirisë, por ne mund tu themi atyre se kjo betejë është betejë e humbur, se vota e lirë e shqiptarëve është dhe do të mbetet krye vlera e vajzave dhe grave dhe e të gjithë atyre që besojnë lirinë.
Në këngën, në poemën në legjendën, në jetën, në skenën shqiptare gruaja shqiptare ka merituar të gjithë titujt të gjitha himnet, të gjitha poemat, të gjitha këngët të gjitha poezitë. Emri i saj më i bukur është emri fitore, emri juaj është fitore. Ishte fitorja e 22 marsit, ishte fitorja e 2005, ishte fitorja e 2009, është fitorja e 2011, është fitorja e 8 maj. Shqipëri blu është shpirti juaj, Tirana blu është zemra juaj,” tha Berisha.