Mero Baze, 31 Maj 2010
Një nga mediat kritike kundër qeverisë dhe korrupsionit në vend do të pushojë se ekzistuari. Jo, ajo nuk do të mbyllet por thjesht do të shndërrohet në një media të re ku kritika është e ndaluar. Vizion Plus nuk do të ketë më drejtorin e lajmeve Arban Hasani dhe as “Faktorin Plus” të Mero Bazes sepse ata denoncojnë raste korruptive. Por që një media të funksionojë dhe të bëjë para nuk mund të denoncojë raste korruptive. Ky ishte verdikti i diktuar nga kryeministri Berisha. Mero Baze rrëfen në një intervistë çka ndodhur gjatë kësaj kohe dhe si u ndryshua politika e një mediaje kritike ndaj qeverisë.
Ditët e fundit shoqatat e gazetarëve kanë protestuar rreth asaj që ka ndodhur me emisionin Faktor Plus dhe Drejtorin e Lajmeve të Vizion Plus. Çfarë fshihet pas kësaj zhurme?
Nuk ka shumë gjëra për tu fshehur dhe as shumë gjëra të paqarta. Kryeministri Berisha arriti një fitore të re pas një fushatë mbi një vjeçare kundër pronarëve të Vizion Plusit. Tashmë ata kanë pranuar presionin e tij për ndryshimin e asaj që quhet politikë editoriale të televizionit.
Për këtë natyrisht duheshin ndërruar dy pika kyçe, Drejtori i lajmeve, Arban Hasani dhe natyrisht duhej mbyllur emisioni që u dëshmoi shqiptarëve të vërtetat e hidhura të nëntokës së politikës shqiptare, e cila nis dhe përfundon tek Familja në pushtet. Ishte diçka që kam më se një vit që e pres dhe ka zgjatur kaq shumë për shkak të rezistencës së një pjese të ortakëve të kësaj kompanie, të cilët kanë respektuar deri më sot pavarësinë tonë profesionale. Por si çdo gjë dhe kjo rezistencë do kishte një fund, kur ndeshet me një pushtet të paarsyeshëm që përdor gjithë mekanizmat e vet për të shkatërruar çdo biznesmen, apo çdo faktor opozitar në vend.
Kur e ndjetë për herë të parë presionin ndaj emisionit?
Nga pikëpamja profesionale qysh në emisionin e parë në vitin 2008. Ishte emisioni për Gërdecin ku transmetuan video të papublikuara si punonte Fabrika dhe çastet e fundit para shpërthimit. Të nesërmen ma konfirmuan zyrtarisht nga PD-ja dhe qeveria se askush nga shumica nuk do të shkelte kurrë në atë emision. Dhe e mbajtën fjalën. Jo vetëm kaq, por presioni kaloi nga emisioni tek gjithë TV, ku figurat e pushtetit u rralluan pak nga pak në korridoret e TV. Por momenti kur pushteti filloi përpjekjet zyrtare për të marr kontrollin mbi TV ishte para zgjedhjeve të vitit të kaluar.
Përmes përfaqësuesit të WAZ në Tiranë, një ish-nëpunës i pushtetit të socialistëve, i pakënaqur nga mospërfillja e Edi Ramës, filluan presionet e para banale mbi emisionin e lajmeve. Kishte dhjetëra detaje qesharake nga gjithë kjo histori, që niste me monitorimin e titrave dhe deri me fjalitë që i citoheshin Ramës dhe Berishës. Duke qenë një tip që se merrte njeri seriozisht, në fakt nuk u shqetësuam shumë. Por zakoni i vjetër i raportuesit funksionoi. Ai gjeti urat e komunikimit me pushtetin dhe filloi të shërbej si premtues i kthimit të Vizionit Plusit në pronë të pushtetit. Pas zgjedhjeve kjo gjë u bë e padurueshme dhe thuajse prishi komunikimin e gazetarëve me të.
Kishte rezerva vetëm për lajmet apo dhe për emisionin Faktor Plus?
Faktor Plus është një emision i imi, i ideuar dhe drejtuar prej meje. Nuk është markë e Vizion Plusit. Ai thjesht mund të transmetohet ose jo në Vizion. Në këtë aspekt unë nuk i kisha kushtuar shumë rëndësi opinionit të tij, pasi ai nga natyra është shumë servil dhe të thotë gjithnjë pa shkak; “je i madh” dhe kur s’ke thënë ndonjë gjë të madhe. Por e rrezikshme ishte se ai kishte nisur ti premtonte televizionin pushtetit për shkak se nuk e kishte përdorur dot për të qenë në listat e Edi Ramës. Ishte një gjë meskine, dhe poshtëruese njëkohësisht për autoritetin e gazetarëve të Vizionit, të cilët duhet të shërbenin për të bërë deputet një ish-nëpunës mediokër.
Kur e kuptuat se pushteti kishte filluar të kontrollonte pronarët?
Për herë të parë e ndjeva kur mua dhe dy kolegëve të mi të Vizion Plusit, Arban Hasani dhe Andi Bushati, na ndodhi një incident me Rezart Taçin. Gjithë media shqiptare dhe botërore, gjithë policia dhe pushteti, kishin një version. Kolegët e mi më njoftuan se ish-zyrtari i PS-së ka sjell një deklaratë ku dënon incidentin e gazetarëve të Vizion Plusit me disa badigardë të një biznesmeni. Ishte një gjë e frikshme. U dërgova një e-mail të zemëruar drejtuesve të Bordit të Vizionit në Vjenë, dhe pranuan në një farë mënyre se kështu ishin informuar nga zyra e tyre në Tiranë. Të nesërmen drejtuesit e WAZ kishin në Tiranë një Konferencë ku do merrte pjesë dhe presidenti Bamir Topi.
Njeriu që kishte nisur ti premtonte Televizionin Berishës, kapi kolegen time gazetare dhe i kërkoi në emër të një anëtari të bordit, një ish zyrtar i kohës së Titos në Jugosllavi, që të mos i bënte pyetje presidentit për incidentin tonë. Fal zotit këtë gjë kolegia jonë ja tha një prej gazetareve të njohur të WAZ në Bruskel, Knut Preis, që drejton zyrën e Brukselit dhe ai me intuitën e gazetarit e nisi intervistën me Presidentin pikërisht me këtë pyetje. Shihej qartë që të dy ish diplomatët, dhe ai ish-Jugosllavi dhe ky ish-socialisti ynë, ishin të prerë në fytyrë. Kishin qenë bashkë për një kohë ambasadorë të vendeve respektive ish jugosllave dhe ish komuniste në Nju Jork, dhe fal atij nënpisllëku janë sot sërish duke ndarë tortën e mediave të WAZ-it për pushtetet në rajon, duke u bërë shpesh herë problematik dhe me bakshishet nën dorë që japin e marrin kur shesin dhe blejnë pronat e WAZ. Prej atij momenti ndërpreva komunikimin me ta.
Si vazhduan pastaj raportet me pronarët shqiptarë dhe ata gjermanë?
Pronarët shqiptarë, nuk na janë përzierë asnjë herë në punën tonë dhe për këtë u jam mirënjohës. Madje ka pas raste që nga distanca që unë kam pas me ta, u kam prish punë dhe për bizneset e tyre, por ata nuk kanë reaguar. Nga ana tjetër nuk mund të flas as për palë gjermane, por thjesht për disa sekserë të palës gjermane në rajon, të cilët shesin e blejnë media dhe objektiv kryesor kanë pjesën nën dorë që duhet t’ua paguash atyre. Dhe këto fatura për fatin e keq të tyre shpesh janë në më shumë se një dorë, në më shumë se një e-mail, në më shumë se një faks, në më shumë se në një mbledhje të mbyllur bordi, dhe ndalesat e tyre me CASH nëpër kufij janë në më shumë se në një kamerë. Jemi thjesht para një beteje ku pushteti në Tiranë po përdor ish-nëpunës rajonal mediokër dhe të korruptuar për të futur për interesa të tyre personale, nën kontroll median që figuron në emër të WAZ Group.
Pati reagime konkrete ndaj emisionit?
Tek unë jo. Por tek pjesa shqiptare e pronarëve ka pasur. Një anëtar i Bordit, ishte ankuar se në emision kishte ardhur një SMS ku thuhej se një kompani austriake që po merrte Devollin, Banjën dhe studimin e Vjosës, ishte futur në Shqipëri përmes Argita Berishës dhe të ndjerit Vebi Velija. Nuk kishte asgjë të keqe. Këtu është bërë rregull i pashkruar që po erdhe për koncesione tek Argita do përfundosh. Ky tipi, reagoi menjëherë por jo direkt tek unë. Aty e kuptova se lidhja e tij e shkurtër me Berishën ishte konsoliduar.
Më pas ai vinte dhe e takonte zyrtarisht, madje dhe duke u njoftuar me komunikatë shtypi duke i cituar postin si diplomat ish-Jugosllav në OKB, ndërkohë që në fakt ishte pjesë e Bordit të Pronarëve të kompanisë sonë. Ndaj meje filluan të mbahet qëndrim me dy kute. Thuhej që emisioni është shumë i mirë, ka shikueshmëri të lartë, por ka një problem se ka prekur disa herë familjarë të kryeministrit. Mu desh t’ua sqaroj në distancë se nuk kam asgjë me familjarët e kryeministrave në këtë vend, por deri sa ata të vazhdojnë të vjedhin me fëmijët ose gratë, me ata do merremi. Kur të heqin dorë dhe të vjedhin fjala vjen me komshinjtë do merremi me komshinjtë.
Kur ju njoftuan për vendimin?
Kishte disa muaj që e dinim. Përfundimisht gjithçka është vendosur në fund të Prillit. Neve na e konfirmoi këtë pala shqiptare. I kërkuam informim zyrtar palës gjermane por tha nuk ka ndodhur asgjë. Papritur më 25 maj na dërguan një letër ku thuhet që emisioni Faktor Plus ndërpritet dhe Drejtori i Lajmeve ndryshohet. Është diçka flagrante që bie ndesh jo vetëm me kontratat tona të punës, por dhe me Memorandumin që grupi WAZ ka nënshkruar me OSBE-në, lidhur me mënyrën se si veprohet kur tentohet që të ndryshohen pikat kyçe të një media që ndikojnë në politikën editoriale. Por më flagrante është reagimi i tyre pas ankesës sonë. Nëse i hidhni një sy përgjigjes e vetmja fjali e qartë, është fjalia e parafundit ku thuhet shprehimisht se “Interesat tona të biznesit janë ato që përcaktojnë të gjitha politikat, përfshirë këtu dhe aktivitetin redaksional”. Kjo do të thotë se Faktor Plus dhe Drejtori i Lajmeve Arban Hasani po u mbyllet dera.
Cilat janë planet tuaja personale?
Do të vendos pas pushimeve. Ndoshta të rihap gazetën Tema, ndoshta do të shikoj të zhvendos programin diku tjetër. Jam në të njëjtën situatë si në vitin 1999, kur e hapa atë gazetë pasi Ilir Meta kishte mbyllur çdo derë redaksie ku mund të shkruaje qoftë dhe një fjalë kundër tij. Tani bashkë me Berishën, janë më të frikshëm.
A do t’ia dalësh për fondet?
Nuk di të ketë mbaruar ndonjë luftë për mungesë fishekësh…
“Përfaqësuesi i OSBE duhet të deklarohet pro apo kundër shkarkimit, bazuar në parimet gazetareske të referuara në mandat”
Shoqatat e gazetarëve dënojnë rastin
Shoqatat e gazetarëve në vend kanë dërguar nota proteste pothuajse në të gjithë botën për rastin “Baze-Hasani”. Ato janë solidarizuar me dy kolegët dhe i kanë kërkuar zyrës së OSBE-së, e cila ka nënshkruar kontratën për pavarësinë e medias, që të reagojë në lidhje me këtë rast. Më poshtë po paraqesim të shkurtuar ankesën e shoqatave të gazetarëve.
Ne organizatat e gazetarëve shqiptarë jemi të shqetësuar nga vendimi i ditëve të fundit të bordit të pronarëve të televizionit Vizion Plus, për ndërprerjen pa shpjegime të kontratës së Drejtorit të Informacionit Arban Hasani si dhe mbylljen e emisionit shumë popullor në vend, Faktori Plus.
Ky vendim ishte paralajmëruar jo zyrtarisht muaj më parë dhe në një korrespodencë mes Drejtorit të Informacionit Arban Hasani, Drejtorit të Faktor Plus Mero Baze, me anëtarët e Bordit të Pronarëve të Vizion Plus si dhe autoritet e OSBE-së në Tiranë dhe Vjenë. Në atë korrespodencë, që ne e kemi në dispozicion, shprehej shqetësimi mbi përpjekjet për të vënë nën kontroll politikën editoriale të këtij televizioni nga qeveria përmes ndërprerjes së programit “Faktor Plus” dhe ndryshimit të Drejtorit të Lajmeve. Bordi i Pronarëve është treguar shumë jo transparent pasi në datën 12 maj i ka mohuar këto zëra në një korrespondencë me këta dy gazetarë, dhe në datën 25 Maj u ka komunikuar zyrtarisht ndërprerjen e kontratës.
Duam të theksojmë faktin se grupi WAZ, i cili ka shumicën e aksioneve në këtë kompani televizive, ka nënshkruar me Komisioneren e Lirisë së Medias në OSBE, një Memorandum, i cili detyron këtë kompani që të zbatoj “Parimet për garantimin e pavarësisë editoriale”. Në një nga pikat e këtij Memorandumi thuhet se “. Nëse rastet e shkarkimit të Drejtorëve të Lajmeve janë kontroversiale, ato duhen paraqitur para Përfaqësuesit për Lirinë e Mediave, i cili mundet që, me kërkesë të njërës prej palëve të përfshira, të veprojë si arbitrues, veprim i cili do të kufizohet vetëm në çështjet gazetareske.
Ai apo ajo (pra, përfaqësuesi i OSBE-së) do të deklarohet pro apo kundër shkarkimit, bazuar në parimet gazetareske të referuara në mandat. Shkarkimi i Drejtorit të Lajmeve të Vizion Plus, është arbitrar pasi në letrën zyrtare nuk jepet asnjë arsyetim përse ai është shkarkuar. Në Muajin nëntor të vitit të kaluar, Bordi i pronarëve ka miratuar një raport shumë pozitiv për punën e këtij Departamenti dhe se shikueshmëria e lajmeve të këtij televizioni është rritur nën drejtimin e gazetarit Arban Hasani. E njëjta situatë është dhe me emisionin investigativ politik, ‘Faktori Plus”.
Ai nisi dy vite më parë në këtë televizion dhe është një nga emisionet e rëndësishme për publikun shqiptar. Emisioni ka shikueshmëri shumë të mirë dhe të ardhura financiare që nuk justifikojnë mbylljen e tij, pas asnjë koment. Drejtuesi i këtij emisioni, Mero Baze u tha organizatave tona, se vendimi për të mbyllur është marrë pas presioneve të qeverisë mbi Bordin e Pronarëve. “Ky është shembulli i qartë, përse kryeministri Berisha bën presion mbi pronarët e medias në Shqipëri”, -tha zoti Baze.