Nga Tema
Enti Rregullator i Energjisë ka hapur procedurat për licencimin në fushën e tregtimit të energjisë për kompaninë “Rudnap Energy Tirana”. Vendimi është marrë më 8 shtator të muajit të kaluar, ndërsa kompania në fjalë, në bazë të të dhënave të depozituara në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve në Tiranë, rezulton se është në pronësi të Damir Fazlliç. Kjo kompani u regjistrua në muajin korrik në Tiranë dhe ka përfaqësues ligjorë shtetasit serbë Vladimir Djordjeviç, Vladimir Marjanoviç dhe përfaqësuesin shqiptar Fatjon Mahmutaj. Kompania në fjalë është tërësisht në pronësi të kompanisë qipriote “Altaria Research Limited”.
Damir Fazlliç ka pranuar se kjo kompni, pra “Altaria Research Limited”, është në pronësi të tij. “Altaria Research Limited” është kompania qipriote që u hetua nga prokuroria pasi bleu kompaninë tjetër të Fazlliç në Shqipëri të quajtur “Crovvn Acquisition” në vlerën e 1.75 milionë eurove në vitin 2007, skandal që u bë publik nga gazeta Tema dhe Faktor Plus. Nga ana tjetër, kompania serbe “Rudnap Group”, ligjërisht është konfiguruar si një “bijë” e kompanisë qipriote “Altaria Research Limited”, duke e kaluar gjithë kontrollin dhe varësinë e gjigandit serb të energjisë nën varësinë e qipriotes “Altaria Research Limited”.
Rudnap Energy Tirana
Objekti i veprimtarisë së kompanisë së licensuar, “Rudnap Energy Tirana”, është tërësisht i fokusuar në shitblerjet e energjisë elektrike brenda Shqipërisë, por edhe në marrëdhëniet me jashtë. Statuti i kompanisë ka përcaktuar si objekt tregtimin dhe furnizimin me shumicë dhe pakicë të energjisë elektrike brenda dhe jashtë vendit, zhvillimin dhe zbatimin e projekteve inxhinierike elektrike, prodhimin e energjisë elektrike, prodhimin dhe tregtimin e produkteve të energjise, duke përfshirë, por jo ekskluzivisht, vaj, gaz qymyr etj, brenda dhe jashtë Shqiperise, duke pasqyruar shërbime me prodhimin e energjisë elektrike dhe të produkteve të energjisë. Kompania që u regjistrua në muajin korrik në Tiranë ka një kapital themeltar prej 30 mijë eurosh, ndërsa përfaqësuesit ligjorë të saj nuk kanë të drejtë të nënshkruajnë kontrata me vlerë më të lartë se 30 mijë euro.
Rrjeti i kompanive
Aktualisht në Shqipëri grupi serb “Rudnap” ka një rrjet prej pesë kompanish të ndryshme, të dedikuara tërësisht në tregtimin e energjisë dhe produkteve të saj. Dy prej këtyre kompanive kanë qenë në fillim në pronësi tërësisht të Damir Fazlliç dhe më pas i janë shitur grupit Rudnap. Të tilla janë kompanitë “Crovvn Acquisition” si dhe “Alpha sh.p.k”, që të dyja shitur në Qipro nëpërmjet “Altaria Research Limited” dhe “Irongold Services Limited”, ndërsa pas shitjes së dy të tij kompanive të tij tek Rudnap Group, Damir Fazlliç rezulton se edhe në vitin 2010 është administrator i tyre.
Këtë gjë e vërtetojnë të dhënat zyrtare të QKR-së, ku në lidhje me kompaninë “Alpha shpk”, Fazlliç ka autorizuar regjistrimin për llogari të kompanisë “Alpha sh.p.k” të një prone në zonën energjetike në Porto Romano, këtë autorizim Fazlliç e ka lëshuar në cilësinë e administratorit. Përveç dy kompanive që Fazlliç ia ka shitur “Rudnap Group”, ky i fundit ka hapur në mënyrë të pavarur në Shqipëri dy kompani të tjera. Njëra është “Rudnap Energy Tirana”, së cilës sapo i është pranuar aplikimi për tregtimin e energjisë në Shqipëri, ndërsa tjetra është “Rudnap Construction Group”, e regjistruar një vit më parë me objekt të ngjashëm, por më shumë e dedikuar në ndërtimin dhe realizimin e veprave energjetike.
Kompania e pestë ku “Rudnap Group” është prezent në Tiranë është “Slovenia Petrol Albania”, një kompani bijë e “Slovenia Petrol” të Sllovenisë, ku Damir Fazlliç dhe Vojin Lazareviç (pronari i Rudnap-it), rezultojnë aksionerë së bashku në filialin e Tiranës. “Rudnap Group” është një ndër asetet më të rëndësishme të shtetit serb dhe prej vitesh ka manifestuar influencën dhe strategjinë e këtij shteti në sektorin energjeitik në mbarë botën. Gjatë vitit 2008, kur KESH drejtohej nga Gjergj Bojaxhiu, kjo kompani pati kontrata shit-blerje me KESH deri në 70 milionë euro.