BERISHA KUNDËR “SKËNDERBEUT” SI TURSUN PASHA

0
54

Andrea Stefani

Andrea Stefani

Beteja që qeveria i ka shpallur projektit të Bashkisë së Tiranës për sheshin “Skënderbej” është një tjetër fakt i mendësive komunisto-autoritariste që gëlojnë në kokën e Kryeministrit Berisha. Është mendësia centraliste dhe despotike që nuk lejon liri dhe iniciativë për asnjë pushtet tjetër. Por është edhe tjetra, më anti-publikja, ajo që e quan të përligjur si realpolitikë, sabotimin, pengimin e çdo projekti të rivalit politik, të cilin e sheh si armik. Kjo që po ndodh me sheshin “Skënderbej” nuk është shqetësuese, është alarmante.

Sepse nuk është një rivalitet politik, por një përleshje vulgare anti-publike. Është një betejë si ato që dikur Skënderbeut i duhej të zhvillonte kundër ushtrive turke, që i rrethonin kështjellat. Është alarmuese për standardet politike të shikosh se si në shekullin XXI “Skënderbeu” ndodhet përsëri i rrethuar. Këtë herë jo nga një turk si Tursun Pasha, që Ismail Kadare ka gdhendur në kryeveprën “Kështjella”, por nga një tjetër pasha, këtë herë shqiptar, jo në shekullin XIII, por në mileniumin e ri, jo me çallmë, por me kollare.

Një pasha që pretendon ta udhëheqë vendin drejt Europës, që ta integrojë me qytetërimin perëndimor, ndërkohë që zbaton të gjitha metodat osmano-lindore për të sabotuar opozitën dhe pushtetin lokal të bëjë detyrën e vet ndaj publikut. Një pasha që tamam si osmanlliu Tursun Ulurgu Tunxhasllan Pasha, lakmon të pushtojë çdo kala, t’i ketë të gjitha në dorë dhe që jo rastësisht mban një emër të gjatë dhe plot tituj si ai: Doktor Profesor Sali Berisha.

* * *

Në thelb të pengimit që po i bëhet realizimit të projektit për sheshin “Skënderbej” nga Bashkia e Tiranës, qartazi me një dobi të madhe për qytetarët, është paaftësia e qeverisë. Një qeveri e aftë nuk ka frikë nga realizimet e pushtetit lokal që ndodhet në duart e kundërshtarit politik. Përkundrazi, një zhvillim i tillë do ta mobilizonte për realizimin e të tjerave projekte me dobi edhe më të mëdha publike. Avantazhi i saj mbi rivalin politik do të buronte kështu nga mposhtja e rivalit politik me arritje, me ndërtim. Dhe rivaliteti politik do të ishte, si në të gjitha vendet e qytetërimit perëndimor, një rivalitet politik ndërtimtar, pjellor, i shëndetshëm për shoqërinë dhe jo shkatërrues siç rëndom në këto njëzet vjet po ndodh me konfliktet politike të nxitura nga Berisha. Por nuk mund ta ketë një veti të tillë një pushtet si ky, shterpë dhe që nuk di të ndërtojë.

Një pushtet i tillë e bazon suksesin politik jo te ndërtimi, por te shkatërrimi i planeve dhe projekteve të kundërshtarit. Ngaqë nuk është në gjendje të ndërtojë vetë, ose jo aq mirë dhe sa duhet për të fituar besimin publik, atëherë që të mbijetojë nuk ka sesi të mos i futet intrigës për shkatërrimin e projekteve të kundërshtarit. Dhe si Tursun Pasha, nis e gërryen llagëme në themelet e projekteve të një pushteti që e konsideron armik edhe pse ai është pushtet lokal i të njëjtit shtet në krye të së cilit është vetë Kryeministri Pasha. Në fakt, sulmi i Berishës kundër “Skënderbeut” sot, është faza e parë e sulmit të këtij pashai për të marrë kështjellën e Tiranës në zgjedhjet lokale që po afrojnë.

Dhe opozita dhe pushteti i saj duhet të shkojnë në ato zgjedhje pa fitore dhe aq më pak me një arritje si ajo e sheshit të rindërtuar, një arritje me perceptim shumë të lartë në publik. Një pasha si Berisha, që ndjek taktikën e tokës së djegur me kundërshtarin, nuk mund të tolerojë që ai të hyjë në zgjedhje me një bilanc veprash të tilla, edhe pse këto të fundit janë në të mirë të publikut dhe qytetarëve të Tiranës. Sepse “më e mira e më të mirave” e qytetarëve të Tiranës, por edhe e atyre të gjithë Shqipërisë, është që Berisha të qëndrojë në pushtet sa të jetë jeta. Dhe që të ndodhë kjo “e mirë e madhe” për popullin, duhet të bëhen disa kurbane, disa sakrifica.

A nuk ishte një kurban i tillë edhe shkatërrimi i mbikalimit te “Zogu i Zi”? Më vonë rezultoi se ishte një shkatërrim i paligjshëm që i kushtoi publikut disa miliona të hedhura në “lumë”. Por pashai nuk pyet për të tilla gjëra, ndërkohë që asnjë pushtet drejtësie, asnjë gjykatë, nuk ka këllqe ta verë para përgjegjësisë ligjore, sikundër dhe e meriton dhe sikundër ndodh në çdo shtet normal perëndimor, ku drejtësia është e pavarur dhe ku publiku taksapagues “të tund dhëmbët” nëse shpërdoron paratë e tij. Ndaj dhe pashai nuk mund të mos lakmojë të bëjë të tjera kurbane të tilla që i shërbejnë luftës së tij të pandershme për pushtet. A nuk bënin të tilla kurbane në themele të pushtetit të tyre edhe faraonët, mbretërit lindorë, despotët? Një kurban i tillë është edhe projekti i kryesheshit të vendit, që mban emrin e heroit kombëtar që, shekuj më parë, udhëhoqi rezistencën e lavdishme kundër osmanëve, sulltanëve dhe pashallarëve.

* * *

Projekti i sheshit “Skënderbej” duhet penguar jo se nuk është i mirë nga këndvështrimi urbanistik, por sepse është i rrezikshëm për pushtetin e pashait Berisha. Ai është thuajse një kështjellë që duhet pushtuar. Dhe organizohet sulmi kundër kësaj kështjelle të opozitës. Jo me selhitarë, akinxhinj e jeniçerë, por me siamezët e tyre modernë, me deputetë, urbanistë dhe juristë. Në ballë si gjithnjë, prin lufta “anti-korrupsion”. Projekti i bashkisë shpallet i korruptuar. Kështu i sulmoi ky pasha kundërshtarët edhe në vitin 2005, duke u hequr si kalorësi që do të vriste kuçedrën e korrupsionit, por me të ardhur në pushtet, ja shaloi vetë kuçedrës së korrupsionit.

Sulmi vazhdohet me aradhe të tjera. Shpiken lloj-lloj pengesash burokratike e “ligjore”. Trillohen po ashtu lloj-lloj “argumentesh” urbanistike kundër projektit të Bashkisë së Tiranës. Dhe në një kohë kur berishistët nuk kanë asnjë moral për ta bërë një gjë të tillë. Sepse të gjithë e kanë parë sesi e katandisi Tiranën, në 8 vjet qeverisje, pushteti berishist i PD-së. Kryeqyteti, të gjithë sheshet e tij, edhe sheshi “Skënderbej”, parqet e lulishtet u mbushën me ndërtime pa leje, institucionet u rrethuan nga mizëri kioskash e lokalesh. Dhe sikundër vetëkuptohet, “argumentet” më absurde, kundër projektit të bashkisë, vijnë nga vetë pashai dhe këshilltarët e afërt të tij.

Duke dhunuar të drejtën ligjore të bashkisë për të udhëhequr projektet në një shesh që e ka nën juridiksionin e vet, Berisha u shpreh para pak ditësh me arrogancë orientale, se do të preferonte që në shesh të kishte edhe një pazar. Në asnjë vend europian nuk mund të gjesh pazarin në kërthizë të kryeqytetit. Në vende lindore, për shembull në Marakesh, po. Një këshilltar i pashait jep një këshillë edhe më të “zgjuar”, kinse po i shpëton qytetarët e Tiranës nga një tragjedi. Sipas tij, sheshi “Skënderbej” është zemra e qarkullimit për automjetet dhe nëse ai mbyllet për to, sikundër parasheh projekti i bashkisë, ky qarkullim do të vdesë! Aq servilë janë këta këshilltarë-selhitarë, sa edhe “argumentet” që selitin për të goditur në zemër kundërshtarin, i sendërgjojnë duke u bazuar te kardiologjia e “Doktorit”.

Por të gjithë e dinë se pedonalet janë tipike për shumë nga sheshet në qytetet më të mira të botës. Por në këtë rast për Berishën dhe këshilltarët e tij, nuk ka rëndësi as e vërteta dhe as e mira publike. Rëndësi ka shkatërrimi i planeve të kundërshtarit, që pengojnë fuqizimin dhe jetëgjatësinë e pushtetit berishist. Prandaj dhe propaganda e Berishës vjell pa fund gënjeshtra mbi projektin e sheshit të “Skënderbeut”, ashtu si sikundër topat e Tunxhasllanit villnin pa fund gjyle hekuri mbi muret e Kështjellës së Skënderbeut. Kështu, në shekullin XXI, një kështjellë është përsëri nën rrethimin e një pashai në Shqipëri. Opozita duhet të rezistojë dhe t’i mbrojë muret e saj. Ndryshe Europa nuk do të vijë kurrë në Tiranë, në Shqipëri.

Pavarësisht nga thirrjet e Berishës për një Shqipëri europiane, mënyra e tij e qeverisjes, dhunimi i lirive të pushteteve të tjera, denoncon natyrën e vërtetë, aspak europiane, të politikës dhe stratagjemave të tij. Kryeministri, edhe në rastin e sheshit “Skënderbej”, shfaqet kundër lirisë së gjërave, të pushteteve që nuk janë nën komandën e tij, të iniciativave dhe bizneseve që nuk komandohen nga ai dhe oborri i tij. Dhe kush është kundër lirisë, është kundër të drejtës, është edhe kundër Europës. Sado të fshihet pas frazave europiane dhe integrimit. Prandaj, përleshja që ai po zhvillon kundër “Skënderbeut” është një fushatë anti-europiane e tipit osmanlli. Zemra e saj e vërtetë, pulsi i saj i fshehtë, është Lindja dhe jo Perëndimi. Prandaj themi se në sheshin e Tiranës po përleshen mendësitë e dy qytetërimeve.