Nga Blerina Gjoka
Raporti më i fundit i Komisionit Evropian, që shoqëron opinionin negativ për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, ka krijuar çarjen e parë në qeverinë shqiptare duke përplasur publikisht kryeministrin me ministren e Integrimit. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, e ka cilësuar të pasaktë raportin e Brukselit dhe ka bërë me dije se do i bëjë oponencë, ndërsa ministrja e Integrimit ka deklaruar për BBC-në se qeveria e pranon raportin dhe se në të është dhënë haku. Një përplasje publike që fsheh ndoshta pas këtyre deklaratave një përplasje të vërtetë mes kryeministrit dhe ministrisë përgjegjëse për Integrimin, pasi në komentin e kryeministrit shihej qartë zemërimi për administratën e kësaj ministrie, e cila mban kontaktet direkt dhe furnizon me informacionin zyrtar zyrat e Brukselit.
Berisha përplaset me Bregun
Raportit të KE-së dhe opinionit negativ për statusin kreu i qeverisë shqiptare i ka kushtuar një pjesë shumë të vogël në fund të fjalimit të tij dje në mbledhjen e qeverisë. Ai ka preferuar të flasë për liberalizimin e vizave duke e quajtur si pikë kulminante të përpjekjeve të integrimit. “Përpjekja jonë e jashtëzakonshme, për të shndërruar në realitet, premtimin më solemn që ne kemi bërë ose mund të bëjmë ndonjëherë, heqjen e vizave për shqiptarët, Shqipërinë pa kufij dhe lëvizjen e lirë, u realizua,” tha Berisha.
Ai ka marrë përsipër të kritikojë madje progres- raportin dhe pse më parë pati premtuar se do ta bënte axhendë pune të qeverisë së tij. “Procesi i integrimit nuk mund të jetë kurrë tjetër përveç se i bazuar në meritën. Raporti është voluminoz. Me zotin Pierre Mirel, duke i shprehur të gjitha këto konsiderata edhe në zyrë, por edhe publikisht, natyrisht, është rënë dakord që pasaktësitë ose vërejtjet që mund të përmbajë raporti, çështje të cilat mund të jenë të pasakta, brenda 4-5 javëve do t’ia përcjellim Komisionit, në mënyrën më të argumentuar. Komisioni Evropian është një institucion me të cilin ne kemi dialog, komunikim, tërësisht transparent, por e theksoj se nuk mund të jenë këto të dytat, në asnjë mënyrë, që të marrin hapësirë më të madhe se sa meritojnë”, tha Berisha para ministrave të tij.
Por në radio BBC, ministrja Majlinda Bregu, do të shprehte një tjetër opinion. “Pra, nuk mund të them sot me gjithë dëshirën e mirë që do të kisha që kjo situatë politike nuk është një situatë, e cila na dëmtonte, por nuk ndihmon integrimin e vendit në BE, është shkopi nën rrotë për një debat, i cili mund të zgjidhej fare mirë së brendshmi. Por, kemi marrë një opinion, i cili po të shqyrtohet me kujdes me detaje i gjithë raporti analitik i opinionit, i cili është përgatitur për Shqipërinë, ju siguroj sepse kam pasur mundësinë ta lexoj, është një opinion, i cili i jep hakën dhe vlerëson reformat e marra nga Shqipëria në zbatimin e të tre kritereve, qoftë kriterit politik të Kopenhagen, atij ekonomik dhe standardeve”.
Madje Bregu në veçanti lavdëron punën e administratës shqiptare dhe ia vë fajin ngërçit politik për përfundimet negative në të cilat del ky raport. “Ndoshta është një gabim i të gjithëve, kemi bërë të gjithë gabim herë pas here, por nuk mundet që një raport të shihet me fjali të copëtuara. Nëse do t’i referohemi administratës publike unë mund t’ju citoj një paragraf tjetër përsëri në hyrje tek qeveria ku thuhet se administrata publike plotësoi në mënyrë të kënaqshme të gjitha detyrimet që rrodhën para saj në këtë periudhë të monitorimit të Shqipërisë në “satisfactory manner” thuhet cilësisht në mënyrë të kënaqshme. Sikurse thuhet që Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit është një marrëveshje, e cila është zbatuar në mënyrë të kënaqshme pa probleme”, tha ajo për BBC-në.
Ndërkaq kryeministri nuk ka dhënë ndonjë sinjal se do të bëjë ndonjë hap të ri përpara për të gjetur zgjidhjen e krizës me opozitën, një nga pikat ky KE thekson më shumë kritikat për Shqipërinë. “Natyrisht, duke mbetur gjithnjë të hapur për bashkëpunim të plotë me opozitën, në mënyrën më të prerë, ne do të bëjmë në çdo rast dhe në çdo rrethanë që ligji të qëndrojë mbi qeverinë, që ligji të qëndrojë mbi opozitën. Këtu ne nuk mund të bëjmë asnjë kompromis tjetër, përveç respektit të plotë të shtetit ligjor, të institucioneve, si kusht themelor i kritereve të Kopenhagenit”, tha Berisha, duke i qëndruar kështu deklaratave të mëparshme.