Berisha kundër bashkimit Shqipëri – Kosovë

0
31

Korresp. 24-ore.com, 16.12.2011

Gjatë një takimi me studentë nga Kosova, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka folur edhe mbi mundësinë e bashkimit Shqipëri-Kosovë. Ai është shprehur kundër këtij bashkimi, duke thënë se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në Bashkimin Evropian. Ka reaguar menjëherë Aleanca Kuq e Zi, e cila thekson se u takon qytetarëve të vendosin nëse duan apo jo një bashkim mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe jo kryeministrit.

Kreu i qeverisë shqiptare ka pritur në kabinetit e tij një grup studentësh nga Fakulteti i Edukimit të Prishtinës, me ç’rast edhe pse vlerësoi se populli shqiptar është i ndarë në mënyrë të padrejtë, ai tha e Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkohen në BE. Duke theksuar se pavarësia e Kosovës është arritja më e madhe e shqiptarëve, kryeministri Berisha tha se ndryshimi i kufijve ekzistues rrezikon humbjen e territoreve. “Interesi më i mirë i shqiptarëve është ruajtja e kufijve ekzistues. Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në BE, nuk mund të rrezikojmë humbjen e territoreve”, tha Berisha.

Për këtë deklaratë të Berishës ka reaguar menjëherë Aleanca Kuqezi. Në një deklaratë për shtyp të Aleancës theksohet se u takon qytetarëve të vendosin, nëse duan apo jo një bashkim mes Shqipërisë dhe Kosovës. “Parimi i vetëvendosjes është për popullin, jo për qeveritë”, theksohet në reagimin e Aleancës Kuq e Zi.