Nga Tema
(Në foton bashkangjitur tekstit tesereja e Partisë së Punës e kryeministrit Sali Berisha)
Drejtuesit socialistë dhe deputetë të kësaj partie, të mbështetur nga qytetarë të të gjithë Shqipërisë, kanë qëndruar përgjatë dy netëve në sheshin para Kryeministrisë duke protestuar për hapjen e kutive të votimit. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” protestuesit janë akomoduar në 25 çadrat, të cilat janë shpërndarë përgjatë këtij bulevardi, ku dhe është vendosur elektorati i partive të opozitës.
Në 48 orët që shkuan, protestuesit kanë manifestuar paqësisht para Kryeministrisë, të organizuar grupe-grupe. Protestuesit janë shoqëruar edhe nga kryetari socialist, Edi Rama, dhe deputetë të kësaj partie, deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, për t’u rikthyer në shesh herë pas here. Herë pas here drejtues të opozitës, deputetë të PS dhe protestues nga qytete të ndryshme janë ngjitur në foltoren e protestës për t’i bërë thirrje Berishës t’i hapë kutitë.
Berisha acaron protestuesit
Në orët e paradites së djeshme, kryeministri Berisha doli në dritaren e zyrës së tij në godinën e Kryeministrisë duke provokuar protestuesit me dy gishtat lart, si të ishte udhëheqësi i tyre. Turma e protestuesve ishte mbledhur para godinës duke hedhur parulla për hapjen e kutive dhe në podiumin e ngritur provizorisht mbante fjalën deputeti socialist, Eduard Shalsi, ndërsa kryeministri është shfaqur në dritare. Ai ka përshëndetur me dy gishta lart, simbol i Partisë Demokratike. Kreu i qeverisë ka qëndruar për disa minuta në dritare duke provokuar kështu irritimin e turmës së protestuesve. Ata kanë qëlluar me vezë drejt kryeministrit, por shumë shpejt janë përmbajtur ndaj këtij provokimi.
Pas këtij momenti, kryetari i PS, Rama është shprehur: “Sot në një çerek dritareje të hapur të kësaj godine shurdhe, ai që me vota të vjedhura quhet kryeministër, u shfaq pas xhameve duke bërë shenja me gishta si një i marrë që ka humbur gojën dhe mendjen”.
Por kryeministri e ka shtuar akoma më shumë dozën e provokimit, kur nga Kruja, ku ndodhej për një inaugurim, është shprehur se protestuesit e mirëpritën përshëndetjen e tij.
“Duke ardhur këtu te ju, nga zyra ku po punoja, te dritarja ime një grup qytetarësh protestonin. Dola dhe i përshëndeta. I përshëndeta në mënyrë të sinqertë, se kjo është meritë e demokracisë, të protestojnë. Disa prej tyre e mirëpritën përshëndetjen time, të tjerë u acaruan nga përshëndetja ime. Por dua t’u them edhe atyre se përshëndetja ime ishte shumë e sinqertë, sepse në këtë sistem, në këtë regjim dhe në këtë pushtet çdo njeri ka dhe do ta ketë tërësisht të garantuar të drejtën e protestës së lirë, për çfarëdo që ai mendon. Kjo është një arritje e pacenueshme për çdo qytetar, ndaj dhe unë i përshëndeta me shumë kënaqësi protestuesit te dritaret e mia”, – tha Berisha.
Antena për të përgjuar protestuesit
Një tjetër provokim për protestuesit u duk të ishte një makinë e parkuar para godinës së Kryeministrisë, për të cilën socialistët dyshuan se ishte vendosur aty me qëllim përgjimin e telefonatave të të pranishmëve në protestë. Pas këtij momenti, protestuesit kanë qëlluar me vezë godinën e Kryeministrisë, ku më pas kanë ndërhyrë deputetët socialistë për të qetësuar turmën e irrituar. Deputeti socialist Fatmir Xhafa tha se në oborrin e Kryeministrisë ndodhej një makinë që survejonte gjithë protestën. Madje, sipas tij, survejoheshin dhe celularët e opozitës.
“Kjo është qeveria e çimkave”, – u shpreh Xhafa, ndërsa ish-shefi i SHIK, Fatos Klosi, tha se në makinë ndodheshin dy antena që përgjonin telefonata të caktuara. Deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar largimin e menjëhershëm të makinës nga sheshi. Vetëm pasi kanë parë që turma po acarohej shumë, ata janë larguar.
Opozita: Thirrje qytetarëve që të mos njohin autoritetin e qeverisë
Grupi parlamentar socialist është mbledhur dje në një prej çadrave të vendosura para godinës së Kryeministrisë, ku dhe është diskutuar se cilët do të jenë hapat që do të pasojnë lëvizjet politike të opozitës pas protestës treditore. Në mbledhjen e djeshme, ku morën pjesë rreth 50 deputetë, ka pasur mendime që protesta të vazhdojë pa pushim, por ky propozim është kundërshtuar nga shumica, me arsyetimin se protestuesit mund të lodhen dhe kjo çon në dështimin e protestës.
Një tjetër propozim i diskutuar në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar ishte edhe ndërprerja e protestës sot pasdite dhe të vendoset një ultimatum për kryeministrin Berisha, brenda të cilit ai të vendosë hapjen e kutive të votimit. Propozimi më i diskutuar duket të jetë ideja e një proteste tjetër masive, e cila parashikohet të zhvillohet më 5 dhjetor, ku do të protestohet për cenimin e pavarësisë së pushtetit vendor ose dhe më 29 nëntor. Megjithatë, asnjë vendim nuk është marrë në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, pasi një tjetër mbledhje është vendosur të zhvillohet sot në çadrat e protestave, ku grupi parlamentar pritet të diskutojë rreth hapave që do të marrë PS, pas përfundimit të protestës së sotshme.
Por duhet theksuar se drejtuesit e opozitës kanë rënë dakord që të bëjnë thirrje për mosbindje civile ndaj autoritetit të qeverisjes vendore.
Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar, deputeti socialist Pandeli Majko tha se ky është vetëm fillimi. Majko tha se mbledhja e grupit parlamentar kishte karakter organizativ. “Takimi u mbajt në çadër, për shkak të arsyes që na ka mbledhur, krizës politike që na ka prekur. Ajo që u diskutua ishte se si do të orientohet situata në krizën politike që ekziston”, – theksoi Majko.
Ai tha se në mbledhjen e grupit kuvendor nuk u mor asnjë vendim specifik në lidhje me etapat e tjera që do të ndjekin socialistët në mbrojtje të votës. Majko përmendi 5 dhjetorin si datën e radhës, kur sërish do t’i kërkohet qeverisë të bëjë transparencën e zgjedhjeve. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist morën pjesë edhe krerë të partive aleate të PS.