Berisha kërkon destabilizimin e vendit

0
62

Nga Gjin Musa, 17 Korrik 2013

Një fushatë elektorale e qetë, votime të qeta, pranim rezultati pa kontestime të dukshme, ky është përgjithësisht bilanci i votimeve të qershorit 2013. Partia Demokratike ose ishte e përgatitur për humbjen e saj, ose u shokua nga kjo humbje katastrofike. Nuk po e kupton akoma vendin e saj real në konfigurimin e ri politik.

Berisha i përlotur e pranoi përgjegjësinë e humbjes, një veprim që nuk llogaritej se do të pranohej lehtë nga ky tip politikani, që ëndërronte pushtet të përjetshëm. A ishte kjo një lojë politike e Berishës, apo dorëzim përballë faktit të kryer?! Bën sikur tërhiqet, meqë populli s’e do, pastaj nuk lë gjë pa bërë, gur pa lëvizur, vendim absurd pa marrë për të dobësuar dhe rrënuar shtetin?

Berisha, tashmë i vjetër në politikë, por tej mase i djallëzuar në veprime, ka lëshuar tani dy nga figurat më të komprometuara në PD, hajna të një niveli të lartë, në një fushatë sa të pistë, po aq edhe të pamoralshme ndaj të majtës, që fitoi pushtetin me zgjedhjet e 23 qershorit. Shihet qartë se kjo gjuhë e egër dhe vulgare, këto kërcënime dhe skërmitje dhëmbësh nga Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi kanë prapavijën e Berishës, në rrugën e tyre të vazhdimësisë në PD.

Përmes duartrokitjeve frenetike alla komuniste të mbështetësve të tij, Lulzim Basha hedh baltë mbi Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, imiton liderin historik të PD-së dhe po kërkon të ushtrojë presion psikologjik mbi qeverinë e re, që akoma nuk ka filluar nga puna. Kuptohet se ai zbaton skenarin e përgatitur nga vetë Berisha, i cili kërkon që ta kthejë PD-në, edhe pse tashmë në opozitë, në një parti kamikaze, në mbrojtje të tij dhe të familjes së tij, pasi ai frikësohet realisht nga ndonjë arrestim i mundshëm dhe dalje përballë drejtësisë, së bashku me Lulzim Bashën për krimet e kryera.

Demokratët e vërtetë po heshtin, po shikojnë një fushatë të pashembullt në historinë e politikës shqiptare, një fushatë gjoja demokratike brenda partisë, ku dy kandidatët kryesorë nuk merren me analizën e humbjes drastike që pësoi partia e tyre në zgjedhje, por merren me kundërshtarin politik të tyre. Kjo fushatë e pozicionuar kështu, tregon se është vazhdimësi e fushatës humbëse të 23 qershorit dhe nuk është synim i zgjedhjeve demokratike të kryetarit të ri të PD-së, pasi kryetari ekzistues sipas kandidatëve nuk ka bërë asgjë keq, por meqë ai u tërhoq, në kohën kur është akoma kryeministër në detyrë, po mundohet ta lërë PD-në në dorën e dikujt, që zgjidhet po me metodat e berishizmit dhe në shërbim të familjes Berisha. Saliu kështu komandon si Komeini i Iranit nga prapaskena kukullat politike të tij, të cilët kanë mbushur xhepat me miliona Euro gjatë kohës që vendin e qeveriste PD.

Partia Demokratike dhe demokratët e vërtetë duhet të jenë të ndërgjegjshëm, se partia e tyre po kalon drejt një sundimtari tjetër të emëruar nga Berisha, i cili synon ta përgatisë PD-në për rrugën agresive në një opozitë të gjatë, në shërbim të një personi, në mënyrë që synimet dhe ëndrrat famëzeza të Berishës të bëhen realitet. Kryetari i PD-së po zgjidhet gjoja demokratikisht, por siç po shihet përditë, këto zgjedhje janë një farsë, për aq kohë sa Berisha e instrumentalizon procesin zgjedhor, përmes presioneve nga zyra e kryeministrit. Ndonëse jemi në vitin 2013, po përjetojmë këto ditë përsëri frymën e tmerrshme të vitit të mbrapshtë ’97, nga kryetari taktikisht i “vetëlarguar” Berisha.

Financat shqiptare kanë prekur fundin. Është konsumuar rreth 90% e buxhetit vjetor të parashikuar për këtë vit dhe qeveria e re nuk do të ketë pará as që të paguajë rrogat e administratës, menjëherë sapo të marrë qeverinë në dorë. Nga ana tjetër, “ushtarët” e Berishës në një fushatë partiake po dalin hapur, që së shpejti Shqipëria do të ketë trazira! Kjo mendje e errët e Berishës çfarë po synon t’i bëjë vendit? Ta destabilizojë! Se Luli e Sokoli e kanë rrëzuar tashmë qeverinë e majtë dhe Edi Ramën, pa filluar akoma nga puna! Thirrjet e tyre ngjajnë me thirrjet e Vëllazërisë Myslimane të Morsit në Egjipt, janë thirrje të qarta për trazira, janë thirrje për të mbuluar krimet e tyre, janë thirrje për destabilizim të vendit.

Me lëvizjet e fundit, sistemi i drejtësisë u kap tërësisht nga Nishani, kuptohet se me urdhër të Berishës. Policia dhe mafia shtet janë plotësisht në shërbim të Berishës, grabitjet, vrasjet mafioze, vrasjet e grave nga burrat e denoncuar (pavarësisht lotëve të krokodilit të Jozefinës), rritja e pasigurisë për jetën etj. etj. janë dëshmia më e keqe e një shteti të rrënuar, që vihet në shërbim të planeve ogurzeza të Berishës për rritjen e frikës, pasigurisë dhe pakënaqësisë në popull. Prandaj u votua kaq masivisht e majta shqiptare, që t’i jepte fund këtij rrënimi, por Berisha po i shfrytëzon këto 2 muaj, jo për të bërë kalimin e pushtetit në mënyrë paqësore tek fitimtarët e rinj, por për të krijuar parakushtet për destabilizimin e vendit.

Populli duhet të jetë i durueshëm dhe i vëmendshëm, nuk duhet të bjerë pré e provokatorëve të inkriminuar siç është edhe Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi, të cilët kanë lidhje edhe me krimin e organizuar dhe po luajnë me kartën e Berishës, për të krijuar një situatë tensioni artificial në vend. Berisha nga njëra anë pranon humbjen, e dorëhiqet dhe nga ana tjetër i verbohen sytë nga urrejtja e hakmarrja dhe vazhdon të marrë vendime si kryeministër në ikje, vendime që dëmtojnë qeverisjen e përgjegjshme. Maxhoranca aktuale që po përgatitet të marrë pushtetin, nuk duhet të bjerë pré e këtyre provokimeve, por as duhet të heshtë përpara këtyre “trimave të çakërdisur” dhe deklaratave që kanë për bazë urrejtjen, dhunën verbale dhe që i paraprijnë një situate jo fort të këndshme në shtator.

Lulzim Basha, ky hajdut i Rrugës së Kombit me mbi 250 milionë euro, të cilin Berisha e mori në mbrojtje nga drejtësia, ministër i Brendshëm që vrau 4 protestues të pafajshëm me 21 janar së bashku me Saliun, një njeri që me bekimin e Saliut vodhi votat në sy të ndërkombëtarëve për kryebashkiakun e Tiranës, e ka mprehur shpatën dhe kërkon të mbjellë terror në Shqipëri, kërkon rrëzimin e qeverisë pa filluar akoma nga puna. Pra, po krijohet një situatë absurde e tensioneve të stisura, që nuk i shërben vendit.

I rrëzuar tashmë nga vota popullore, Berisha ka lëshuar në fushën e luftimit Lulin dhe Sokolin, që të krijojnë çoroditje në popull, të krijojnë paragjykime e pakënaqësi, duke përdorur fjalorin e tyre vulgar e të turpshëm. Ata në mendtë e tyre do e rrëzojnë Ramën për 2 muaj… në përpjekje për të bërë të mundur zbatimin e planit destabilizues grek në Shqipëri, të destabilizimit përmes protestave.

E majta shqiptare duhet të fillojë të qeverisë dhe ta lërë drejtësinë të lirë, që të arrestojë të gjithë ata, që kanë abuzuar me pushtetin dhe paratë tona publike, duke përfshirë këtu edhe Berishën vetë. Populli do drejtësi, drejtësia i qetëson shpirtrat e mijëra nënave, që humbën fëmijët dhe të afërmit e tyre, që nga trazirat e ‘97-ës e deri sot. Berisha është politikani i vetëm aktiv, që ka vrarë shqiptarë, pa u dënuar akoma! Qeveria e re duhet ta ketë parasysh se, për sa kohë Berisha është i lirë, mendja e tij e sëmurë do të prodhojë gjithmonë situata trazirash të pakëndshme për vendin. Prandaj, qeveria e re, duhet të mendojë edhe metodat, që do të përdoren për t’i bërë ballë planeve djallëzore të këtij sharlatani politik dhe të krijohet siguria dhe stabiliteti në vend, sa më shpejt që të jetë e mundur!