TemA Online, 24 Gusht 2012
Gjatë konferencës së tij për shty, kryeministri Berisha ka sulmuar ashpër kreun e opozitës Edi Rama, për 21 janarin, duke thënë se ai është mbështetur nga ish-presidenti Bamir Topi. Berisha, duke komentuar shkarkimin e Shaqirit, ka thënë se të gjitha ata, duke nisur që nga Shaqiri, Rama, Topi dhe kryeprokurorja Rama, do të hetohen për 21 janarin. Berisha la të kuptohet se kjo gjë do të ndodhë pas vendosjes së kryeprokurorit të ri. “Shpirtrat e katër të vrarëve kërkojnë drejtësi”, tha Berisha.
“Zëvendësimi i kreut të SHISH ka pasur dy arsye kryesore.
Fillimisht unë mendoj se në këtë vend nuk mund të ketë më shumë se dy mandate, duhet vetëm një mandat. Kjo do ishte e mjaftueshme për mua, për ta shkarkuar.
Së dyti, 21 janari ishte një nga ngjarjet më tragjike në historinë e këtij kombi. Ishte një nga skenarët më ogurzi, i cili filloi me fjali puçiste. Kishte fjali puçiste të vitit 1924. U montua një video, ku u implikua kryeministri. Dhe, pavarësisht se televizioni ku u montua video me Ramën, u mohua implikimi im, Rama vazhdonte të thoshte po.
Flitej për viktima dhe kufoma. Për të gjitha këto, burime nga më të shumta, përfshi agjenci të huaja, informuan qeverinë, se data 21 janar do të jetë një përpjekje shumë e rëndë për dhunë dhe përdorim të forcës. Institucioni i vetëm, që me ligj varet nga kryeministri i vendit, Shërbimi Informativ, nuk dha qoftë dhe një gërmë informacion. Ju garantoj se kjo, me atë që ndodhi, do të ishte një motiv për ta shkarkuar shefin e SHISH, cilido qoftë ai. E bëri apo jo me qëllim, kjo është çështje e tij.
Se çfarë e vendosi atë në heshtje totale të paimagjinueshme, ky është një motiv që mund të sqarohet. Meqënëse në bindjen timë më të thellë, mund të them se tek pull Edi Rama nuk do të guxonte kurrë të ndërrmerte atë që ndërmori, pa mbështetjen e “Topit” të tij.Ai ishte burimi i atij akti që ndodhi atë ditë. Ishte një fat i madh që Shqipëria ishte anëtar i NATO-s. Por, ai do hetohet në mënyrën më absolute. Ata që organizuan përpjekjet për përmbysjen e shtetit me dhunë, do hetohen. Hetimi do të jetë i plotë, pasi katër qytetarë kanë humbur jetën. Shpirtrat e tyre kërkojnë drejtësi. Kush i solli aty? Ajo është një çështje që duhet hetuar.
Ajo ngjarje do zbardhet. Cilido që ka përgjegjësi do të marrë përgjegjësitë që meritojnë. Sepse, ajo ngjarje mund të përsëritet. Ata që do hetojnë ndershmërisht çështjen dhe nuk mund ta hetojnë ata që shesin çdo ditë dokumentet, do nxjerrin përgjegjësit. Unë jam pala e sulmuar, nuk i bëj unë planet e hetimit.
Zoti Topi ishte absolutisht prapa veprimit të Eamës. Rama nuk mund të ndërrmerte asnjë veprim nëse nuk do të kishte siguri nga zoti Topi. Ky i fundit e ktheu Presidencën në një partiçkë të vogël”, tha Berisha.
Gjatë konferencës së tij për shtyp, kryeministri Berisha e ka shmangur pyetjen e gazetarëve përse nuk është konsultuar me amerikanët për shkarkimin e Shaqirit. Berisha është mjaftuar vetëm me faktin se, sipas tij, marrëdhëniet e SHBA-së me Shqipërinë janë të shkëlqyera.
“Bashkëpunimi i Shqipërisë me SHBA në fushën e sgurisë, mund të them që është një bashkëpunim i shkëlqyer. Shqipëria është e priveligjuar që ka një bashkëpunim të shkëlqyer me këtë vend të madh dhe mik. Jam i bindur se në vitet që vijnë, ky bashkëpunim do të jetë akoma edhe më i shkëlqyer. Ne çdo problem sigurie që kemi, e trajtojmë haptas me aleatët tanë”, ka thënë Berisha.
Ai ka shmangur gjithashtu edhe incidentin e fundit në kufirin grek, ku gazetari Marin Mema nuk është lejuar të hyjë në Greqi, pasi konsiderohet një rrezik për sigurinë e këtij vendi
“Është e vërtetë që Ministria e Jashtme po trajton disa çështje me autoritetet greke. Në çdo vende ka persona që nuk lejohen të hyjnë, për shkak se konsiderohen si kriminelë. Dhe, ne bashkëpunojmë me shtetin grek”, ishte komenti i Berishës.
Në lidhje me negociatat për një marrëveshje të re për kufirin detar, Berisha është shprehur se: “Ka një muaj që media merret me një çështje të sajuar, por e justifikoj me faktin se është gusht dhe nuk ka lajme. Por, unë garantoj se nuk ka asnjë marrëveshje me kufirin. Unë konfirmoj se qeveria do hapë negociatat për zgjidhjen e problemeve të kufirit. Ne do diskutojmë me çdo vend për problemet, si me Greqinë, ashtu dhe me Maqedoninë, marrëveshja për ujërat me të cilën daton që prej vitit 1960”, u shpreh Berisha.
Duke folur për kryeprokurorin e ri, Berisha ka thënë se zgjedhja e tij është një e drejtë e presidentit:
“Kryeprokurori i ri është atribut i drejtëpërdrejtë i Presidentit të Republikës. Jam i bindur se presidenti do të veprojë në përputhje me të drejtën kushtetuese”.