
Nga “Faktori Plus”
Kriza politike në vend po injorohet nga kryeministri Berisha, i cili po përpiqet ta thjeshtëzojë atë në një betejë për të gjunjëzuar opozitën. Dhe duket qartë se ajo po zhvillohet në shumë plane.
Objektivi i parë i shefit të ekzekutivit është futja e opozitës në parlament ose përçarja e saj. Kështu, Berisha u investua fuqishëm në rritjen e dramacitetit në zonat e përmbytura dhe në prodhimin e një ngjarjeje, përmes së cilës ai mendonte të tërhiqte opozitën në Kuvend. Gjatë fjalimit të djeshëm në grupin parlamentar, ai e shprehu qartë, se kjo seancë ishte e kërkuar prej opozitës, çka reflektonte bisedimet e tij me njerëz informalë në opozitë, për të shkuar ditën e djeshme në sallën e parlamentit.
Në mbështetje të qeverisë për këtë çështje është qëndrimi i pesë deputeteve të vetë-pagëzuar si “Lëvizja për Mendim Ndryshe”, të cilët kanë vendosur të hyjnë në Kuvend javën e parë të marsit.
Lideri i këtij grupi, Ben Blushi, e tha dje qartë, se ai do të hyjë në parlament në fillim të marsit, dhe debatoi me gazetarët për qëndrimet e tij të vakëta opozitare. Një tjetër drejtim, ku Berisha po investohet fort, është gjithashtu gjunjëzimi i të gjithë faktorëve opozitarë në Shqipëri dhe sulmi ndaj medies kritike e bizneseve, që qëndrojnë pas saj.
Kryeministri Berisha ka urdhëruar njerëz informalë brenda sistemit të tatim-taksave, që të fillojnë kontrolle financiare paragjykuese, vetëm mbi mediet dhe bizneset e lidhura me medien kritike ndaj tij. Kështu, tatimorët kanë vërshuar në dyert e gazetës “TemA” dhe gazetës “Albania”, si dhe në bizneset e lidhura me pronarët e kompanisë Vizion Plus. Grupet e kontrollit orientohen direkt nga njerëz informalë, që nuk janë zyrtarisht dhe ligjërisht në postin e duhur për të komanduar kontrolle. Në krye të tyre qëndron ish-gjeneral Agim Shehu, i arratisur pas vitit 1997, dhe i ri-kthyer në vitin 2007, tashmë si njeriu më i rëndësishëm i task forcës në sistemin e tatimeve. Rrotull dhe nën komandën e tij janë një sërë kontingjentesh të larguara pas vitit 1997, në Bruksel, Gjermani dhe Zvicër, të cilët vënë gjoba mbi medien dhe bizneset e lidhura me të, përdoren nga Policia Ndërtimore si drejtues fadromash dhe ekipesh ndërhyrjeje, pa llogaritur fare autoritetin e zyrtarëve formalë, që Berisha ka emëruar në këto institucione.
Një tjetër aspekt, ku Berisha po investon për injorimin e krizës dhe zgjidhjen e saj në rrugë informale duke gjunjëzuar opozitën, është përdorimi i diplomatëve perëndimorë, që kanë detyrim të shprehen pro kthimit të opozitës në Kuvend. Në këtë pikë më i keq-përdorur duket Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, vendi i të cilit ka dhe kryesinë e radhës së BE. Mënyra e artikulimit të diplomatit spanjoll krijon përshtypjen se problemi i vetëm që ai ka, është se si të kthejë opozitën në Kuvend. Në të njëjtën mënyrë u keqpërdor zoti ambasador në fjalë edhe pas takimit me zonjën Topalli, kur problemi që i citoi media, ishte hyrja e opozitës në parlament. Dje, dy ambasadorët perëndimorë, ai spanjoll dhe i BE, ishin dhe te presidenti Topi, ku bie në sy se spektri i bisedës ishte shumë më i gjerë. Selia e Presidencës njoftoi për medien se diplomatët e lartë i prezantuan kryetarit të shtetit shqiptar programin politik dhe diplomatik të presidencës spanjolle dhe përparësitë e saj gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
Presidenti Topi edhe në këtë takim ritheksoi faktin se, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, është përparësi kryesore e politikës së jashtme shqiptare dhe se autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për përpjekjet madhore dhe sfidat, që duhet të përballin për realizimin sa më të shpejtë të kësaj aspirate. Kreu i shtetit u shpreh i bindur për bashkëpunim të plotë me presidencën spanjolle dhe delegacionin e BE në Tiranë, në synimin e përbashkët të përshpejtimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane. Gjatë bisedës, personalitetet e larta diskutuan gjithashtu dhe për zhvillimet aktuale në vend, duke u përqendruar veçanërisht te situata politike, si dhe në domosdoshmërinë e dialogut dhe bashkëpunimit politik e institucional për vazhdimin e reformave jetike për vendin tonë, ku në mënyrë të veçantë u theksua rëndësia e reformës në drejtësi.
Pra, shihet qartë se beteja e pushtetit për të gjunjëzuar opozitën, pa zgjidhur problemet opozitare në vend, pa respektuar standardin e zgjedhjeve dhe standardin e lirive njerëzore, lirinë e shprehjes dhe lirinë ekonomike, është objektiv kryesor i kryeministrit Berisha. Duke qenë se ka arritur të grumbullojë rreth vetes gjithë pushtetin, ai po i harxhon të tëra energjitë për të kontrolluar opozitën dhe medien kritike. Dhe ky është alarmi që duhet të shqetësojë së pari shqiptarët dhe normalisht edhe ambasadorët e Perëndimit në Shqipëri.







