Berisha i përgjigjet Arvizusë: Nuk mund të bësh rolin e gjyqtarit në një vend të lirë dhe demokratik

0
18

TemA Online, 26 Maj 2013

Kryeministri Berisha i është përgjigjur në një mënyrë të ashpër ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, që këshilloi përfshirjen e çështjes së KQZ-së në Kuvend ditën e hënë, së bashku me votimin e tre ligjeve. Berisha ka theksuar se marrëdhëniet e Shqipërisë me Amerikën janë shumë miqësore, por, në një vend të lirë, sipas tij, askush nuk mund të marrë rolin e gjykatësit.

“Ligjet e Shqipërisë janë shumë të mira, unë dëgjoj me shumë respekt mendimet e miqve, por detyra ime është të zbatoj ligjin. Shqipëria ka institucione demokratike. Janë larg të qenit të përsosura, por nuk ka zëvendësim për to. Kur fillojnë të bëjnë gjykatësin kushtetues, gjykatësin e lartë apo të faktit, unë them se nuk respektojnë veten e tyre. Kushdoqoftë! Ky është shtet i bazuar në ligje. Askush nuk ka mandat të interpretojë ligjet e një vendi tjetër, apo të marrë atributet, sepse mënyra sesi funksionojnë qeveritë e vendeve të lira është e mrekullueshme” tha Berisha.

Ndërsa lidhur me vizitën e pritshme të zyrtarit amerikan, Jonathan Moore, për zgjidhjen e situatës në KQZ, Berisha tha se kjo vizitë vjen si dëshmi e vlerësimit të interesit të SHBA-së për Shqipërinë./b.l