Andrea Stefani
Kriza politike është një tragjedi që ka në themel të saj gënjeshtrat dhe mashtrimet e Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Një gjë e tillë u rikonfirmua edhe dje, kur Berisha u përpoq të nxirrte gënjeshtar ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch. Ky i fundit kish deklaruar të premten se tashmë ka një ofertë kompromisi për zgjidhjen e krizës, që mbështetet nga shumica e ndërkombëtarëve, duke i bërë thirrje Edi Ramës dhe Sali Berishës që ta pranonin sa nuk është vonë. Por një ditë më pas Berisha përgënjeshtroi të ketë dijeni për një ofertë të tillë, duke e vënë në dyshim (një skandal më vete ky) integritetin e ambasadorit të OSBE-së.
Kush gënjen, Berisha apo Bosch? Dhe, më tej, a do ta kundërpërgënjeshtrojë OSBE dhe ambasadori i saj Berishën? Ndërsa këto pyetje presin përgjigje, një numër treguesish flasin në favor të Bosch dhe kundër Berishës, duke e nxjerrë këtë të fundit, ashtu sikundër edhe është, një politikan që përpiqet të mbrojë pushtetin e vjedhur duke bllokuar transparencën e votës me gënjeshtra “ligjore” dhe “kushtetuese”. Veç gënjeshtra mund të jetë kusht për sukses në filmin e Xhim Kerrit “Liar, liar”, por në politikë, si kudo në jetë, ajo i ka këmbët e shkurtra. Grisja e kompromisit të ofruar nga OSBE, e denoncon pa ekuivok Berishën ekzaktësisht për atë që ai akuzon kundërshtarët e tij, si shkaktar të tejzgjatjes së krizës dhe bllokues të integrimit të Shqipërisë në Europë.
* * *
Duket se gënjeshtrës berishiste, se gjoja hapja e kutive pengohet nga Kushtetuta dhe një vendim gjykate, po i vjen fundi. Dhe kompromisi i publikuar nga ambasadori i OSBE-së duket se është pikërisht një ofertë që i hap rrugë transparencës së zgjedhjeve pa cenuar as Kushtetutën dhe as ndonjë vendim gjykate. Kryeministri Berisha e fshihte me vështirësi zemërimin ndaj asaj që sapo kish deklaruar Bosch, një zemërim që e bëri t’i cilësojë si të bazuara në mashtrime dhe trillim të gjitha ato që ishin thënë për ekzistencën e një projekti kompromisi. Berisha shtoi se nuk do të dëshironte të komentonte deklarimin e ambasadorit Bosch, por nënvizoi se nuk kish qenë kurrë dakord me atë që ai e cilësoi se “diplomaci e gramafonit”.
Këto të fundit ishin shigjetime kundër Bosch dhe opinioni publik ka të drejtë të mësojë më në fund se kush gënjen. Nëse gënjen Kryeministri, ai nuk e meriton të jetë më Kryeministër, por nëse gënjen Bosch, atëherë ai nuk e meriton të jetë më ambasador i një organizate si OSBE, që ka për mision të ndajë të vërtetën nga gënjeshtra. Por është e paimagjinueshme edhe ta mendosh që një ambasador do të mund të mashtronte (duke rrezikuar reputacionin personal), duke shpikur ekzistencën e një formule kompromisi. Ndërkaq, ka shenja që mbështesin vërtetësinë e deklaratës së Bosch.
Janë disa deklarata të ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, që ditët e fundit ka nënvizuar disa herë publikisht se ekzistojnë hapësira për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës që respekton edhe Kushtetutën, edhe transparencën. Janë prononcime që rezonojnë me atë që deklaroi të premten Bosch. Ndërkaq, mediat kanë publikuar deri edhe pesë pika të kompromisit (ku i gjetën?) ndër të cilat është edhe hapja nga komisioni hetimor parlamentar i kutive të materialeve zgjedhore. Në lidershipin e PS kishin pranuar që të premten ekzistencën e formulës së kompromisit të deklaruar nga Bosch.
Në protestën e së premtes, lideri socialist, Rama, deklaroi se “zgjidhja është afër”, ndërkohë që aleati i tij, Spartak Ngjela, u pohoi protestuesve të shumtë ekzistencën e një formule shumë të mirë kompromisi që gëzon mbështetjen e SHBA, BE dhe OSBE-së. Më në fund ishte përsëri lideri i socialistëve, Rama, që e cilësoi dje kompromisin e ofruar nga Bosch si një zgjidhje të artë. Ndaj Berisha vërtet mund të mos ketë një ofertë të shkruar në tryezë, por ka shumë shenja e zhvillime që të japin të kuptosh se formula e kompromisit, e deklaruar nga Bosch, kish disa ditë që po diskutohej në prapaskenat e politikës dhe diplomacisë në Tiranë.
Madje, në favor të kësaj teze, është edhe një reagim ekstremist i vetë Berishës, kundër Edi Ramës dhe opozitës, gjatë inaugurimit të një rruge në Kamëz. Si vetëm në momente kur është i tërbuar nga ndonjë disfatë, Berisha ju rikthye fjalorit të vitit 1997, kur pas humbjes në zgjedhje, i kërcënonte socialistët (tamam si qëmoti Adolf Hitleri armiqtë), se do jua ngrinte buzëqeshjen. Duke ngjallur entuziazmin e fanatikëve që e rrethonin, Berisha deklaroi: “Më duhet t’u them bllokqenëve të mos ju qeshë buza”. Cila ishte kjo buzëqeshje që Berisha duhet t’ia ngrinte përsëri në buzë opozitës? Ku e pa Berisha buzëqeshjen e socialistëve, përveçse te kompromisi që ndërkohë po ngjizej dhe që u deklarua më vonë nga ambasadori Bosch? Pa një kompromis të tillë, opozita nuk do të kish asnjë shkak të buzëqeshte.
Por nëse tërbimi i pazakontë i Berishës në Kamëz denoncon ekzistencën e një formule kompromisi të pakëndshme për Berishën, pas deklaratës së Bosch, ajo që denoncon mashtrimin e Berishës është edhe heshtja e Berishës. Gjithë të premten, e deri në mesditën e së shtunës, kur Berisha doli në konferencë shtypi, PD mbajti një heshtje të plotë rreth deklaratës së Bosch. Ndryshe nga mediat e tjera, gazeta e partisë në pushtet nuk kishte as edhe një germë lidhur me deklaratën e Bosch. Një heshtje dhe censurim i një superlajmi (i pëlqen apo jo Berishës, që Bosch kishte folur për një kompromis, mbetet fakt i pamohueshëm) që fliste qartë se PD dhe Berisha jo vetëm ishin të zemëruar, por edhe se po përgatisnin përgënjeshtrimin e ambasadorit Bosch.
* * *
Tashmë shihet qartë se Berisha është kundër çdo lloj transparence, edhe për atë që kufizohet me dokumentacionin zgjedhor. Kjo përligj dyshimet mbi vjedhjen e përmasave të mëdha të zgjedhjeve të 28 qershorit. Edhe alibitë e Berishës me rezolutën e KiE nuk janë bindëse, sepse një rezolutë e tillë nuk bie aspak në kundërshtim me hapjen e kutive që mbajnë të mbyllura materialet zgjedhore. Po përse nuk e kundërshtoi më parë kompromisin që po mpiksej në prapaskenën e politikës? Përse Berisha, sikundër duket, është shprehur fillimisht pro hapjes së kutive me materiale dhe kundër vetëm hapjes së kutive ku ndryhen votat? Dhe përse tani mohon jo vetëm të ketë qenë dakord me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, por edhe krejt dinamikën e negociatave të fshehta e të pashkruara? Ka vetëm një shpjegim.
Duket se Berisha ka shpresuar që socialistët nuk do të pranonin një kompromis që mjaftohet me transparencën mbi kutitë me materiale zgjedhore, por jo mbi kutitë e votave. Ka menduar se do ta maskojë mungesën e dëshirës së tij për të hapur qoftë edhe vetëm kutitë me materialet zgjedhore, pas këmbënguljes së socialistëve për të hapur edhe kutitë e votave.
Por kur u pa se socialistët mund të hiqnin dorë nga hapja e kutive të votimit, Berisha vendosi të hedhë poshtë tërë kompromisin, duke e mohuar fare ekzistencën e një projekti të tillë. Një veprim që provon edhe një herë se Berisha është kundër edhe minimumit të transparencës dhe se, sikundër kemi theksuar me kohë, do të jetë i gatshëm më mirë të shkojë në zgjedhje të parakohshme, sesa të lejojë një transparencë që rrezikon ta demaskojë si grabitës të zgjedhjeve. Është një qëndrim që pritet ta bëjë edhe më të thellë çarjen politike në Shqipëri dhe daljen nga kriza edhe më të vështirë. Dhe duke flakur një kompromis të mbështetur nga SHBA, BE dhe OSBE, Berisha jo vetëm rrezikon të vihet përballë tyre, por duke pasur parasysh se socialistët e kanë pranuar atë, të mbajë përgjegjësi për tejzgjatjen e krizës dhe gjithë pasojat negative që rrjedhin prej saj.