Berisha: Europa po na vjen pas, po bën reformat që i kam bërë me kohë. Jemi ekonomi e orientuar drejt prodhimit

0
86

TemA, 30 Janar 2012

Më poshtë është fjalimi i plotë i kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar. Natyrisht ka shumë njerëz që nuk e lexojnë dot, ndaj me pak fjalë u themi se nuk ka më dyshim: jemi të parët në botë dhe Europa po del nga kriza duke marrë shembullin tonë. Këto tha kryeministri Sali Berisha. Ai tha se në asnjë vend në BOTE nuk janë hapur kaq shumë biznese të reja sa në mandatin e parë të Berishës. Dhe kushedi çfarë është bërë në mandatin e dytë, tha Berisha.

Po ashtu, Berisha zbuloi se ndryshe nga vendet më të zhvilluara në botë, Shqipëria ka një ekonomi të orientuar qartë drejt prodhimit. Vetëm 60 përqind e bizneseve janë në shërbim në Shqipëri, tha Berisha, kur në vendet e zhvilluara janë 70 dhe 80 përqind. Berisha tha se BE tani po ndjek shembullin e Shqipërisë duke bërë reforma liberalizuese. “Kështu do dalë nga kriza,” tha Berisha. Kryeministri tha se do vijojnë privatizimet në vend, edhe pse nuk ka një vend të dytë BOTE kaq privat sa Shqipëria. “Nga kjo i ka ardhur kriza botës se nuk ka privatizuar,” tha Berisha. Kryeministri tha se tani çdo shpenzim qeveritar del online dhe u shpreh se vendet më të zhvilluara kanë pasur mundësi ta bëjnë këtë, por nuk kanë vullnet si Shqipëria. Më poshtë fjala e plotë, për ata që kanë durim.

Ju përshëndes përzemërsisht dhe të ndalem sërish në problemin e parë, por edhe të dytë, të tretë e të katërt të shqiptarëve, ekonominë dhe modelin ekonomik.

Censusi fakton se në vitet 2005-2009, pra në një hark 4 vjeçar, morën jetë, gjalluan biznese sa në 15 vite të marra së bashku, pra kemi të bëjmë me një kërcim kuantik në 4 vite. Po të shtojmë edhe vitet të këtij mandati, natyrisht janë edhe më shumë të fuqishme të dhënat.

Modeli ynë ekonomik i bazuar në taksat e ulëta dhe në luftën pa kompromis kundër korrupsionit, bëri që bizneset, që janë edhe krijesat më sensitive dhe më të rëndësishme, të njohin, të gjejnë, të kenë një terren, një mjedis disa herë më të favorshëm se më parë. Nuk ekziston as edhe një vend i vetëm që në një hark kohor 4 vjeçar, të ketë themeluar biznese të suksesshme, biznese aktive, më shumë se në 15 vite të marra së bashku. Pra, kjo ka vetëm një shpjegim, reformat e kësaj qeverie dhe iniciativën e lirë.

Këtë iniciativë e kishin edhe para vitit 2005, por ajo u shua në kalendat e korrupsionit dhe galeritë e tij. Është ky model, që ka bërë që Shqipëria në katër vjet të ridimensionojë disa herë potencialin e saj të biznesit. Është ky model dhe ky zhvillim që shpjegon se si ka mundësi që në kë qeverisje janë mbledhur në arkën e publikut taksa e tatime 7.2 miliard dollarë më shumë se në vitin kulmor të socializmit të dytë shqiptar. Pra, janë mbledhur faktikisht tre buxhete më shumë të vitit 2004.

Ky model i transparencës dhe klimës miqësore ndaj biznesit bëri që Shqipëria nga viti 2006 të trefishojë eksportet. Statistikat tregojnë se vetëm 60 përqind e biznesve në Shqipëri janë biznese shërbimi. Në vendet e tjera janë 70 përqind, 80 përqind. Pra, një vend i cili nuk ka shpallur si orientim themelor të ekonomisë eksportin, jo, nuk i kemi shpallur, dhe pa qenë e tillë ekonomia shqiptare ka dyfishuar eksportet nga viti 2009, ka trefishuar prodhimin nga viti 2006. Eksporti i shërbimeve shqiptare është shumë i vogël, pra ne eksportojmë prodhim.

Ky model rriti në mënyrë të jashtëzakonshme të ardhurat buxhetore, që më përpara përfundonin në galeritë e korrupsionit, bëri të mundur që të mbidyfishohen rrogat dhe pensionet. Në rast se e ndiqni krizën e sotme evropiane dhe botërore, kjo krizë në themelin e vërtetë të saj ka mungesën e reformave me të cilat ekonomitë e vendeve të lira duhej të përshtateshin me globalizmin, zhvillimin më madhor të viteve të fundit. Mjafton të theksojmë këtu se 75 përqind e investimeve të huaja në botë janë në vende të brishta, në vende në zhvillim.

Rezulton se sot qeveritë në Europë po ndërmarrin masa që ne i ndërmorëm kohë më parë, liberalizim të lejeve, licencave, standarde të reja. U garantoj se kjo frymë do nxjerrë këto vende nga kriza. Fatkeqësisht është faktuar se problemi më madhor është kompetiviteti. Ky është një nocion që ka të bëjë më shumë se çdo gjë tjetër me cilësinë e funksionimit të një ekonomie. Shqipëria ka përmirësuar në mënyrë progresive treguesit e saj dhe po bën gjithçka për të përmirësuar më tej. Shqipëria lë disa vende të BE prapa në rrafshin e lirive ekonomike.

Në gjithë këtë realitet, si klithma të së shkuarës, të një shkuarje të largët, vjen propaganda banale e drejtuesve të PS. Pasi u tha shqiptarëve dy vjet rresht se në Shqipëri ka 1 milion të papunë dhe nuk u tha shqiptarëve pse mashtruan 1 milion herë në një kohë kur krahu i punës në këtë vend nuk është as edhe 1 milion sipas censusit, propaganda, sipas së cilës banka e shtetit po prek para për qeverinë, injoranca nuk mund të vendosej ndryshe në piedestal. Në një kohë kur Shqipëria uli vitin me inflacionin më të ulët në Europë, nxorën mashtrimin se qeveria nuk do ketë para për të paguar. Tani së fundmi kanë problemin e taksave. Duan edhe njëherë t’i rikthehen modelit marksist, i cili është një nga faktorët kryesore të krizës së sotme.

Një gjë kanë socialistët pasion të përjetshëm, të varfrit që krijojnë.

U ndala në këtë moment pasi statistika e para dy ditëve është dëshmia më e shkëlqyer e suksesit të këtij modeli qeverisës. Edhe njëherë dua të sqaroj këtu se në rast se 60 përqind janë biznes i vogël, në vendet më të zhvilluara të botës janë 70, 80 përqind. Ajo që spikat në ekonominë shqiptare është se ajo është ekonomi e mundit dhe e djersës. Kjo do të thotë se kjo është ekonomi e orientuar drejt prodhimit. Ky model mbështet në mënyrën më të fuqishme prodhimin. Nuk mund të ishte ndryshe, nuk mund të ndodhte kurrë të dyfishohen eksportet në një vend tjetër të botës, përveç atyre që kanë rezerva kolosale të naftës dhe gazit.

Të gjitha kronikat e lajmeve të agjencive të mëdha janë të mbushura me zhvillimet ekonomike në rajon e botë. Kjo krizë do jetë më shumë se afatmesme. Kjo krizë ka prekur thellë prodhimin, ka preku thellë rrogat e pensionet, një krizë që po shkatërron me shpejtësi të madhe miliona vende pune. Pra nuk ka diskutime më të rëndësishme se ato për ekonominë në këtë botë. Ne jemi të vendosur që të nxisim prodhimin, janë një seri projektesh të presin të fillojnë. Jemi të vendosur të përmirësojmë klimën e biznesit. Jemi të vendosur të bëjmë çdo hap drejt transparencës. Ky vend është ndër të paktët në Europë që publikon online shpenzimet qeveritare.

Dhjetëra vende kanë pasur mundësi ta bëjnë këtë gjë. Por ne kemi vullnetin dhe e bëmë këtë. Ne do bëjmë gjithçka që rrezja e transparencës të penetrojë në çdo qelizë të kësaj administrate dhe të këtij shteti. Ne do bëjmë gjithçka që të finalizojmë procesin e privatizimit. Sot nuk ka një vend të dytë privat siç është Shqipëria. Sot prapë kemi nevojë të privatizojmë. Një nga kërkesat e vendeve që po zhyten në krizë janë privatizimet. Privati do bëjë gjithçka për të përballuar garën sepse nuk ka krahun e shtetit.

Ne do ecim me vendosmëri drejt privatizimit të plotë. Për ktë arsye kam kërkuar që të ndërmarrin privatizimin më të thellë të pyjeve. Shqipëria ka 1.6 milion hektarë pyje e shkurre që mund të përdoren gjerësisht për arrorë në shkallën më të gjerë. Ky vend është vendi i drurëve të shumëllojtë. Sivjet do privatizojmë Albpetrolin dhe 4-5 hidrocentrale të vogla dhe do ecim duke e thelluar këtë proces. Fatmirësisht gjendja ekonomike i bën këto procese të suksesshme. Sharlatanë të vërtetë sulmojnë modelin tonë ekonomik çdo ditë pas asnjë argument.