‘Berisha erdhi tinëz në Gërdec, se do ta qëlloja me këpucë’

0
39


Bledar Lumani, 20.10.2010

INTERVISTE – Vizita e kryeministrit Berisha në Marqinet ka irrituar banorët e Gërdecit dhe Marqinetit, ata të vërtetit, jo ata që kryeministri Berisha kishte marrë si dekor me vete. Feruzan Durdaj, një prej njerëzve që Gërdeci i ka shkaktuar dhimbje të thellë, pasi humbi djalin e vet 3-vjeçar, thotë se kryeministri Berisha ka shkuar në Marqinet fshehtasi. Nëse banorët e Gërdecit dhe Marqinetit do e dinin për vizitën e kryeministrit, sipas Feruzanit, do e kishin pritur në mënyrën e duhur, duke e gjuajtur me këpucë dhe duke protestuar ndaj njeriut që ata e quajnë përgjegjës direkt për atë që ka ndodhur në Gërdec.

Feruzani pohoi se gjatë vizitës së Berishës në Marqinet, nuk ka qenë i pranishëm asnjë prej banorëve të Gërdecit apo Marqinetit. Sipas tij, kryeministri kishte sjellë me vete nxënësit e shkollës së mesme të Vorës, punonjësit e kësaj bashkie, komunës së Prezës, por dhe të një ministrie, për të plotësuar dekorin e njerëzve. Deklarata e Berishës për ta kthyer vendin ku ndodhi shpërthimi në fushë sportive, është konsideruar nga Feruzani, i cili përfaqëson zërin e gjithë atyre që humbën të afërmit në Gërdec, si një provokim dhe tallje me dhimbjen e tyre.

Ai ka akuzuar edhe kreun e LSI-së, Ilir Meta, i cili i kishte vajtur në shtëpi pas tragjedisë dhe i kishte premtuar të rrëzonte qeverinë e Berishës, që e cilësonte si përgjegjëse për Gërdecin. Feruzani është i zhgënjyer edhe nga opozita, e cila pothuajse nuk i ka mbështetur fare. Ai thotë se para se të kërkojë hapjen e kutive, opozita duhej të kërkonte zbardhjen e plotë të Gërdecit. Kjo, pasi sipas tij, nëse një qeveri të vret, nuk e ka problem të të vjedhë votat. “Opozita duhet të kishte parësore zbardhjen e ngjarjes në Gërdec dhe pastaj hapjen e kutive. Sepse nëse kanë ndodhur vjedhjet e zgjedhjeve, kjo ka ndodhur si pasojë e njerëzve që janë në pushtet, të cilët nuk e kanë për gjë të të vrasin, jo më të të vjedhin votën. Ai që të vret nuk e ka për gjë të të vjedhë”, thotë Feruzani.

Kryeministri Berisha vizitoi dy ditë më parë Marqinetin. Si u ndjetë për këtë vizitë dhe çfarë komenti keni për të?
Vizita e kryeministrit Berisha në Marqinet qe një provokim i hapur ndaj banorëve të Gërdecit dhe sidomos ndaj nesh, familjarëve që kemi humbur të afërmit në atë tragjedi. Qëllimi i Berishës ishte pikërisht kjo gjë, pasi nuk është normale që një kryeministër të vijë për të inaguruar vetëm 500 metra rrugë të shtruar me asfalt. E dyta, Berisha nuk kishte pse merrte nxënësit e shkollës së mesme në Vorë në këtë ceremoni, nuk kishte pse merrte punonjësit e Bashkisë së Vorës dhe ata të komunës së Prezës për ceremoninë. Madje, Berisha kishte marrë edhe punonjësit e një ministrie të tërë për inagurimin e ndërtimit të vetëm 500 metrave rrugë. Në këtë ceremoni të turpshme nuk kishte asnjë prej banorëve të Gërdecit apo Marqinetit.

Ju si banorë nuk ishit njoftuar për vizitën e kryeministrit?

Asnjë prej banorëve të Gërdecit apo Marqinetit nuk kishte dijeni për vizitën e kryeministrit. Nëse do ta denim se Berisha do të vinte për vizitë, ju siguroj që nuk do të gjente atë pritje. Kryeministrin do ta kishim pritur me protesta dhe parrulla. Madje, kryeministrin do ta kisha goditur me këpucë, të cilën e kam bërë gati me kohë. Është një këpucë me hekur. Ai njeri vetëm atë meriton, pasi është përgjegjës direct për atë që ka ndodhur në Gërdec. Berisha erdhi tinëz, në mënyrë që të shohë krimin që kanë bërë njerëzit që kanë lidhje direkte më të, dhe për të cilën ai duhet të mbajë përgjegjësi. Kështu që e gjithë vizita e Berishës kishte qëllim për të parë atë çfarë ka bërë në Gërdec. Vetëm se gjatë kësaj vizite bëri një gabim të madh, se nuk mori me vete Fatmir Mediun. Do kishte bërë mirë që ta merrte edhe atë me vete.

Çfarë mendoni për qëllimin e Berishës që ta kthejë në fushë sportive vendin ku ndodhi shpërthimi në Gërdec?

Nuk e dija që Berisha ka deklaruar se do të ndërtojë një fushë në vendin e kraterit. Duhej që të ndodhte ai shpërthim që Berisha të kujtohej për të ndërtuar një fushë. Me shpërthimin që kryen, shkurtuan shpenzimet për ta bërë gati vendin për fushë. Duhet ta ketë menduar prej kohësh që të ndërtojë një fushë atje. Por dua t’i them kryeministrit që para se të ndërtojë një fushë atje, të ngrejë njëherë një lapidar për njerëzit që gjetën vdekjen atje. Kështu Berisha do t’i kishte bashkë edhe fushën edhe viktimat atje dhe mund t’i vizitonte ndonjëherë.

Kryeministri Berisha përmendi në Marqinet se Gërdeci votoi për atë në zgjedhjet e 28 qershorit. Realisht, banorët e Gërdecit votuan për PD-në?

Nuk mendoj që Gërdeci të ketë votuar për Berishën në zgjedhje. Nuk është ndonjë çudi nëse demokratët i kanë vjedhur votat në Gërdec. Nëse do të hapeshin kutitët, ashtu siç kërkon edhe opozita, do mësonim se votat e Gërdecit janë vjedhur apo jo, në mënyrë që Berisha të thoshte pastaj se Gërdeci më votoi, pasi nuk më bën përgjegjës për tragjedinë që ndodhi. Jam i bindur që i kanë vjedhur votat, pasi dhe vizita e Berishës e tregoi qartë që ai nuk ka mbështetjen e asnjë prej banorëve të Gërdecit apo Marqinetit, pasi asnjë prej nesh nuk ishte i pranishëm gjatë vizitës së tij.

Ju ka ardhur ndonjë politikan t’ju vizitojë në shtëpi pas humbjes së djalit?

Po, para zgjedhjeve në shtëpinë time ka ardhur Ilir Meta. I dhashë votën familjarisht në zgjedhjet e 28 qershorit, pasi më premtoi se do të rrëzonte qeverinë e Berishës, të cilën e bënte përgjegjës për dhimbjen që na u shkaktua. Por e vërteta është se pas zgjedhjeve Meta nuk deshi t’ia dinte më për ne, duke mos u marrë më me problemin tonë. Madje ai bashkoi votën me atë që i quante vrasës dhe përgjegjës për Gërdecin. Pata besim tek Meta, sepse më premtoi që do të rrëzonte qeverinë dhe do ndikonte që Fatmir Mediu të gjykohej për krimin që ka kryer. Por tashmë ai është bërë koleg me Mediun në qeveri.

A ju ka mbështetur dhe a ka bërë sa duhet opozita për të zbardhur këtë krim?

Fatkeqësisht jo dhe për këtë jemi shumë të pakënaqur. Duket se Gërdeci i bashkon pozitë dhe opozitë. Përse opozita nuk kërkon heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut përshembull, në mënyrë që ai të gjykohet për tragjedinë që shkaktoi? Opozita duhet të kishte parësore zbardhjen e ngjarjes në Gërdec dhe pastaj hapjen e kutive. Sepse nëse kanë ndodhur vjedhjet e zgjedhjeve, kjo ka ndodhur si pasojë e njerëzve që janë në pushtet, të cilët nuk e kanë për gjë të të vrasin, jo më të të vjedhin votën. Ai që të vret nuk e ka për gjë të të vjedhë. Nëse opozita do kishte kërkuar me ngulm zbardhjen e Gërdecit, atëherë do të ishte parandaluar edhe vjedhja e votave. Opozita duhet të jetë e përgjegjshme, pasi ata që kijuan Gërdecin një herë, mund ta bëjnë sërisht dhe e bëjnë mu në mes të Tiranës. Opozita nuk duhet të lejojë që të ndodhin këto ngjarje.

Në Gërdec humbi jetën edhe baxhanaku i kryeministrit Berisha. A kanë bashkëpunuar familjarët e tij me shoqatën që keni ngritur ju për të zbardhur krimin që ka ndodhur në Gërdec dhe që personat që janë përgjegjës të gjykohen dhe të marrin dënimin e merituar?

Kjo gjë çuditërisht nuk ka ndodhur. Është e habitshme, por ata kanë qenë shumë indiferent dhe nuk kanë bashkëpunuar me ne për të bërë të mundur që përgjegjësit e kësaj tragjedie të vihen përpara drejtësisë. Të gjithë ne që kemi humbur të afërmit në shpërthimin e 15 marsit jemi mbledhur gjithmonë bashkë dhe kemi bërë përpjekje të përbashkëta që të ndikojmë sadopak në gjykimin e përgjegjësve. Vetëm të afërmit e baxhanakut të kryeministrit Berisha nuk kanë marrë pjesë në betejën tonë për të vënë para drejtësisë përgjegjësit e tragjedisë. Kjo është e çuditshme dhe nuk e di përse ata nuk kanë kërkuar që të zbardhet ajo që ka ndodhur në Gërdec.

A ka bërë drejtësia gjithçka për të gjykuar personat që janë përgjegjës për Gërdecin?

Jo. Nëse kjo gjë do të kishte ndodhur, atëherë nuk do të ishim detyruar që të çonim për gjykim në Gjykatën e Strasburgut dosjen për Fatmir Mediun. Madje, Gjykata e Lartë arriti deri aty sa zbardhi 399 vendime, por nuk e zbardhte vendimin për padinë që ne kishim bërë ndaj Fatmir Mediut. Dhe këtë gjë mendoj se e ka bërë me qëllim, në mënyrë që ne të mos e çonim padinë në Gjykatën e Strasburgut. Gjykata e Lartë e ka zbardhur vendimin vetëm pasi i kemi thënë se do ta denoncojmë në media.

Prokuroria ka hetuar si duhet për shpërthimin dhe ka marrë të pandehur të gjithë përgjegjësit?

Prokuroria është treguar shumë indiferente ndaj kësaj ngjarje. I kemi çuar tre-katër kërkesa që të kërkojë heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë. Ne kërkojmë përgjigje nga prokuroria, gjë që nuk ka ndodhur. Nëse duhet të ketë drejtësi në këtë vend, ajo duhet të nisë pikërisht nga Gërdeci. Fakti që prokuroria nuk kërkon të hiqet imuniteti i Mediut është mjaft i dyshimtë. Prokuroria është tallur me akuzat që ka ngritur ndaj të pandehurve, pasi atje janë vrarë jo pak, por 26 njerëz. Prokuroria ka marrë të pandehur disa njerëz që e kanë pësuar nga njerëzit me më shumë pushtet dhe nuk ka marrë të pandehur ata që kanë dhënë urdhrat direkte për atë që bëhej në Gërdec.

Prokuroria ka lënë jashtë kryeministrin, i cili është përgjegjësi kryesor për atë që ka ndodhur. Të gjitha gjurmët e kësaj ngjarje të çojnë vetëm tek kryeministri Berisha. Berisha është përgjegjës për çdo vendim që del nga qeveria dhe ngritja e fabrikës së Gërdecit është bërë me një vendim qeverie. Berisha bën demagogji, pasi nëse vërtet kërkon drejtësi, duhet t’i heqë imunitetin Mediut dhe nuk duhej ta vendoste atë ministër, madje edhe ministër të Mjedisit. Mediu mund të bëjë çfarëdo gjëje të mirë për mjedisin, por ai nuk do të arrijë kurrë të pastrojë atë që ka bërë në Gërdec. Prokuroria nuk ka thirrur njerëzit kryesorë për ngjarjen, duke filluar nga kryetari i Bashkisë së Vorës, deri tek djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha dhe shoku i tij, Rrahman Selmanllari, të cilët kanë qenë të përfshirë në atë që ndodhte në Gërdec.

Si po ecën gjyqi në Gjykatën e Tiranës për të akuzuarit si përgjegjës për Gërdecin?

Gjyqi në këto momente që ne po flasim është shtyrë, për shkak se mungonte gjyqtarja Fatmira Hajdari. U bë e disata herë në fakt që gjyqtarja Hajdari mungon në proces gjyqësor dhe është e vetmja nga gjyqtarët që mungon. Nuk e di pse ndodh kjo gjë, por di të them që gjyqi po ecën me hapa shumë të ngadaltë dhe kjo nuk është gjë e mirë. Nuk mund të vazhdohet kështu, pasi njëherë mungojnë gjyqtarët, njëherë avokatët e kështu me radhë, duke nxjerrë arsye nga më qesharaket për të shtyrë procesin. Madje, një seancë u shty njëherë sepse avokatët do të shkonin në Itali për të parë një ndeshje. Ata nuk mund të tallen me ne, pasi duhet të kuptojnë se kanë vdekur 26 njerëz dhe nuk mund të bëjnë rolin e karagjozit. Vetëm nëse nuk janë njerëz mund të veprojnë në këtë mënyrë. Ata nuk e kanë sensin human, pasi nuk mund të sillen në këtë mënyrë. Ata kanë nëna, motra, gra dhe fëmijë vetë dhe nuk mund të sillen kështu.

Kryetari i Bashkisë së Vorës kishte dijeni për atë që ndodhte në Gërdec?

Normalisht që ka pasur dijeni, pasi nuk mund të mos e vinte re çfarë ndodhte vetëm 2 kilometra më tutje. Madje ai ka qenë personi që çonte njerëz për të punuar në Gërdec. Shumë prej atyre që kërkonin punë ai i ka udhëzuar të shkonin të punonin në fabrikën e Gërdecit. Kështu që nuk mund të thotë se nuk di gjë dhe të mashtrojë në atë farë mënyre.

Nëse të pandehurit për tragjedinë shpallen të pafajshëm, si do të reagonit ju?

Fillimisht dua të them që Gërdeci është ngjarja që mund të bëjë dallimin nëse drejtësia shqiptare është e korruptuar apo jo. Nëse drejtësia nuk është e korruptuar, të gjithë do të hetoheshin dhe do të merrnin dënimin e duhur. Gjë për të cilën kam dyshimet e mia. Gërdeci është prova e madhe e drejtësisë për t’u ndarë njëherë e mirë nga korrupsioni dhe nuk e di nëse kjo do të ndodhë. E dyta, nëse të pandehurit do të shpalleshin të pafajshëm, të siguroj që do të bëja atë që asnjë shqiptar nuk e ka bërë deri më tani. Deri më tani më kanë mbajtur dy fëmijët e mi të vegjël, të cilët kanë nevojë të rriten si gjithë fëmijët e tjerë, me dashuri dhe përkujdesje.

Nga ana financiare dhe sociale a ju ka mbështetur shteti pas tragjedisë?

Mund të them që mbështetja e shtetit ka qenë shumë e vogël. Madje ata na kanë mashtruar, pasi premtonin se do jepnin pensione për të gjitha familjet që humbën të afërmit e tyre. Por, vëllai im për shembull, i cili humbi gruan në shpërthimin e 15 marsit, nuk merr asnjë pension për tre fëmijët e tij. Çfarë duhet të bëjë më parë ai, të punojë për të rritur fëmijët apo të kujdeset që t’i mbajë dhe edukojë ata?

A është shoqëria e ndërgjegjshme ndaj këtij krimi dhe a është sensibilizuar për t’ju mbështetur?

Ajo që ndodhi në Gërdec ka qenë një nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur në Shqipëri. Megjithatë, nuk mund të them se kemi pasur mbështetjen e gjithë shoqërisë dhe popullit shqiptar. Ata janë mjaftuar vetëm me keqardhje, duke thënë vetëm “sa keq”, por nuk na kanë përkrahur në betejën tonë për të zbardhur gjithë krimin që ka ndodhur në Gërdec. Dua të them që mungon ndërgjegjësimi për këtë ngjarje të rëndë dhe njerëzit na kanë mbështetur pak dhe nuk kanë dalë që të protestojnë me ne. Ndoshta kjo ndodh sepse ata kanë frikë. Edhe në vizitën e Berishës, askush nga bashkia nuk doli me dëshirë në takim, por ata kishin frikë se do i hiqnin nga puna.

* * *

Berisha: Në Gërdec, terren sportiv modern

TIRANË – Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka premtuar nga Marqineti se zona e shpërthimit në Gërdec do të shndërrohet shumë shpejt në një nga terrenet sportive më të bukur e më modernët në vend.

Duke përuruar rrugën me gjatësi 2 km në hyrje të Marqinetit në Vorë me një investim prej 65 milionë lekësh, Berisha theksoi se drejtësia do të thotë fjalën e saj për ngjarjen tragjike të Gërdecit.

Sipas Berishës, zona ku shpërtheu fabrika e demontimit, që i mori jetën 26 personave, la të gjymtuar 300 të tjerë dhe shkatërroi mijëra shtëpi është pjesë e një projekti të rëndësishëm për t’u bërë ambient sportive.

“Pas pastrimit të zonës se eksplodimit, ne do të ndertojme aty një nga terrenet sportive me moderne në rajon”, tha Berisha, duke falenderuar banorët e zonës për mbështetjen që i kanë dhënë qeverisë së tij.

Drejtësia ende nuk ka thënë fjalën e saj për tragjedinë e Gërdecit, për të cilën janë nën akuzë 29 persona, ndërkohë që familjarët e viktimave kanë cuar në Strasburg kërkesën për gjykimin e ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që i ‘shpëtoi’ gjykimit në Shqipëri.