Nga Mero Baze, 1 Nëntor 2011
Partia Socialiste ka bërë një premtim radikal për të ardhmen e ekonomisë shqiptare. Ka premtuar se do të heqë taksën e sheshtë, një sistem i tërë i ri fiskal i nisur pas vitit 2007 në Shqipëri. Taksa e sheshtë 10 për qind është një eksperiment i bërë nga qeveria Berisha nën këshillat askund të zbatuara të Forbes-it, një ekonomisti “armik” me politikat e FMN dhe Bankës Botërore. Nuk dua të humbas në detajet e efekteve të këtij sistemi të ri fiskal në vend, por tri prioritetet mbi të cilat mbështetej suksesi i tij i garantuar në Shqipëri, ranë. Sistemi i ri nuk zgjeroi dot bazën e taksapaguesve, në shkallën që pritej që të justifikonte rënien e të ardhurave nga ulja e taksës, varfëroi shumicën e shqiptarëve, pasi taksa e sheshtë tek një rrogë e ulët është shkatërruese në raport me taksën e sheshtë tek një pagë e lartë, dhe meqë shqiptarët janë në shumicë me rroga deri në 300 dollarë, ajo është rënduese për buxhetin e tyre personal.
Së fundi ky sistem dështoi pasi në thelb qeveria Berisha nuk e besoi vetë atë. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka ngritur një sistem të tërë urdhrash, rregullash dhe ndryshime ligjore, të cilat në thelb rrëzojnë besimin se të ardhurat do rriten nga ulja e taksës dhe zgjerimi i bazës së taksuarve, por e ka mbështetur gjithë strategjinë tek rritja e fshehtë e barrës fiskale tek biznesi dhe tek referencat e detyrueshme që ai ka vënë për detyrimet e tjera fiskale. Duke mos e besuar vetë Ministri i Financave këtë sistem të ri fiskal, ai nuk kishte si të kishte sukses. Për ta ilustruar këtë, mjafton tu them se qeveria Berisha në vitet 2006- 2007, që punoi me sistemin e vjetër fiskal, ka pasur dy herë rresht buxhet suplementar gjatë vitit për shkak të të ardhurave të mëdha, kurse pas këtij sistemi të ri fiskal, ka pasur çdo vit nga tri herë në vit ndryshim buxheti për ta ulur atë për shkak të mosrealizimit.
Pra është e qartë se sistemi ka dështuar!
Partia Socialiste, e cila është alternativa qeverisëse në vend, ka dalë dje me një projekt të guximshëm duke kërkuar dhe premtuar rrëzimin e këtij eksperimenti dhe rikthimin tek një sistem klasik taksash, i rekomanduar nga FMN dhe Banka Botërore. Ky propozim, i cili mund të konsiderohet si propozimi më me peshë që ndonjë parti shqiptare ka bërë në opozitë, kërkon debat thelbësor dhe sidomos përgjigje thelbësore. Nxjerrja e një gruaje me gjyzlykë që lexon deklarata kundër mbledhjeve të opozitës, nuk e zgjidh problemin. As lajthitjet e Berishës fshat më fshat e zyrë më zyrë nuk janë një përgjigje. Për herë të parë opozita ka hedhur dorashkën për një reformë të thellë fiskale në vend dhe mbi të gjitha për pranimin e një dështimi të madh fiskal dhe përgjigja duhet të jetë serioze.
Ministri i Financave, i cili duket se është i vetmi që e di që ky sistem nuk funksionon, ka një problem më të madh se sa pranimi i dështimit të këtij sistemi. Atij i kanë dështuar jo vetëm sistemi, por dhe manovrat. Për shembull, për të shmangur boshatisjen e arkës nga taksa e sheshtë, ai ka disafishuar fjala vjen taksat e lojërave të fatit me shpresë se me këtë manovër do te mbushë arkën. Por çfarë ka ndodhur? Aty është ngushtuar menjëherë baza e taksapaguesve, dhe tanimë në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë e dinë të gjithë se tabelat janë të tjetër kujt dhe lojërat e fatit drejtohen nga njerëz të afërt të Familjes Berisha, që mbledhin miliona çdo muaj dhe nuk dorëzojnë asnjë lek në arkën e Bodes. Pra, sistemi i tij i dhunshëm ndaj një biznesi siç janë lojërat e fatit, jo vetëm që ka dështuar, por ka prodhuar korrupsion gjigant. Ndryshimi i rregullave dhe manovrimet me gjoba dhe kontrolle të orientuara politikisht bënë që dhjetëra biznese të mëdha të ngrijnë veprimtarinë e tyre dhe në skenë të shfaqen biznesmenë të rinj, të lidhur me Familjen në pushtet.
Duke dalë jashtë rregullave të tregut dhe me lidhje politike, këta biznesmenë krijuan monopole të frikshme siç është monopoli në rrjetin e supermarketeve, monopol në kafe, monopol në leje ndërtimi në zonën bregdetare, monopol në punët publike të ndërtimit të rrugëve etj, dhe si rrjedhojë ata nxorën nga tregu biznesmenë të mëdhenj realë, që paguanin taksa dhe mbanin gjallë ekonominë. Delfinët e rinj të Familjes natyrisht që nuk paguajnë taksa pasi mbajnë nëpër xhepa fotografitë me dreka e darka me Ridvan Boden dhe Sali Berishën dhe s’guxon tu marrë njeri lek. Si të tillë ata kanë ndikuar dyfish më keq në krizën reale që kanë sot financat publike, ku detyrimet për borxhin publik janë më të mëdha se të ardhurat që prodhon rritja ekonomike, e ngushtuar tek një përqindëshi dhe vendi po shkon drejt falimentimit.
Realiteti i taksës së sheshtë në Shqipëri duhet pranuar si realitet i hidhur dhe dështim, dhe mbi të gjitha jo aq për faj të taksës së sheshtë, se sa tek vetë mosbesimi që qeveria, përveç Berishës, pati tek ky sistem. Duke mos qenë e bindur së pari administrata fiskale dhe Ministri i Financave, ky sistem lindi i vdekur, për shkak të manovrave që rrethuan dhe goditën liberalizimin që ai ka në themel të suksesit të mundshëm të triumfit të tij që nuk është parë në fakt askund. Tashmë që ka dështuar dhe taksa e sheshtë, dhe manovrat për të ambalazhuar atë, propozimi i opozitës është e vetmja varkë shpëtimi për financat publike.
Në spiralen e krizës ku po hyn vendi, do të jetë shumë vonë që nesër qeveria të kërkojë “unitet kombëtar” për kalimin e krizës siç po bën Greqia apo ndonjë vend tjetër. Sot, kur opozita ja ka lehtësuar punën qeverisë duke ja hequr turpin për dështimin e turpshëm të sistemit të saj fiskal, është mirë që të debatohet me guxim për ta ndalur të tatëpjetën. Në krah të opozitës kundër taksës së sheshtë është qartazi FMN, e cila e ka rekomanduar vazhdimisht ikjen nga eksperimenti i rrezikshëm dhe i pasinqertë i taksës së sheshtë.
Asnjëherë opozita në këtë vend nuk ka bërë ndonjë propozim kaq të guximshëm dhe kaq radikal për sistemin e taksave. As PD kur ishte në opozitë nuk e kishte program taksën e sheshtë, por e adaptoi atë gjatë rrugës kur erdhi në pushtet me stilin klasik të Berishës për të bërë gjërat rastësore kauza të tij.
Propozimi i opozitës është më i guximshëm se ç’është vetë opozita dhe Berisha duhet të jetë më i frikësuar nga kjo, se ç’është realisht nga dështimi i projektit të tij për një sistem të ri fiskal bazuar tek taksa e sheshtë, që thjesht ka prodhuar disa milionerë të rinj që sillen rrotull tij, pa paguar asgjë për ekonominë dhe buxhetin, i cili ka varur shpresat tek rrogat e pastruesve, punëtorëve të zakonshëm dhe gjobave të administratës fiskale. Propozimi është bërë në kohën e duhur kur nga qeveria nuk pritet asnjë ide e re për taksat, nga Ridvan Bode asgjë e re përveç nuses, dhe nga Berisha asgjë e re përveç gafave. Ndaj është mirë që t’i vjedhin projektin Edi Ramës për të ndalur të keqen. Është e vetmja vjedhje për të cilin s’do t’i ndëshkojmë.