Berisha do të humbasë

0
49

Nga Andi Kananaj, 24 Shtator 2012

Berisha nuk është rasti i mazokistit, i gatshëm të humbë falë emocionit të fortë që shkakton statusi i viktimës. Pa dashur të sfidojmë sedrën enigmatike të Kryeministrit (Zot na ruaj!) po rreshtojmë arsyet logjike, edhe për një mendje më pak të çoroditur se ajo e kujt është në fazën e vetë-lëndimit.

Nga eksperienca greke dimë se “Demokracia re” ishte partia që çoi vendin në krizë. Në fakt, nga viti 2004 deri në vitin 2009 kjo parti u mundua të imitonte, edhe pse në rrethana të ndryshme tashmë, suksesin e Greqisë të viteve ‘81-‘89, kohë kur Papandreu (i ati) dhe Pasoku, ngritën nivelin e jetesës në vend. Përtej çdo perceptimi real të kushteve në vend, partia e djathtë tentoi me çdo kusht të krijonte iluzionin se grekët ishin të kamur, si në kohët e tyre më të mira. Kur maska ra, Pasoku me Papandreun e ri fituan për t’u sakrifikuar në emër të së vërtetës së hidhur.

Papandreu (megjithëse nuk shquhet për besimtar) u kryqëzua si Krisht katolik në kryqin ortodoks. Partia e tij u rrudh në 12% si asnjëherë tjetër në histori. Papandreu nuk pati as kohën e mjaftueshme të kuptonte se çfarë po i ndodhte. Grekët rreth tij e urrenin me të njëjtën forcë me të cilën e kishin dashur më parë. “Nea Dimokratia” u rikthye në pushtet si e vetmja alternativë me kurajon për të gënjyer përsëri. Të zhytur në krizën më të egër të mundshme, grekët arritën ta përballonin të vërtetën duke votuar partinë që i gënjeu më me sukses.

Me humbjen e vitit 2013, Berisha do të çlirohet përfundimisht nga pesha e borxheve që ka ngritur për çdo shirit inaugurimi të prerë. Fytyra e tij është ajo e një njeriu që ka një plan djallëzor. Shteti ka në dosjet e veta mbi 200 firma të cilave u duhen paguar dhjetëra milionë dollarë. E të mendosh se vetëm 2 miliardë dollarë mjaftojnë për të realizuar 2/3 e buxhetit të lodhur shqiptar. E gjitha kjo, një peshë monetare e fshehur më së miri pas batutave bajate për bllokun, të kuqtë, imunitetet, taksën e sheshtë dhe krolin e stinës. Herën e fundit që kjo ndodhi, Berisha ishte në krye të shtetit por në një pozicion tjetër. Asokohe nuk i mjaftoi ushtria për të transformuar borxhin e piramidave në humor të zi me veten. Ajo kohë i kujton se nuk ka një shans të dytë.

Berisha, si i vetmi politikan që pati për herë të parë shansin që të ketë një shans të dytë, e ka të qartë se për të hyrë në histori si “Njeriu i demokracisë” (u gjet vend edhe për Hajdarin, me një jetë të vetme), i duhet të realizojë atë për të cilën u zgjodh në vitet ‘90 nga shtabi politik i Ramiz Alisë, pluralizmin. Dhe kjo, jo thjesht si mundësi regjistrimi në radhë në gjykatë, por si mundësi reale për rotacion politik. Diferenca midis Bashkimeve profesionale dhe një partie politike ishte mundësia e marrjes së pushtetit politik dhe ekzekutiv. Emri i Kryeministrit aktual lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me vjedhjet elektorale.

Ashtu siç është organikisht i lidhur me dhunën dhe ekstremizimin e saj kundër kundërshtarëve të vet. Kjo e kthen Berishën në njeriun-tranzicion për askund. Historia, që ka gjithë kohën që nuk do të ketë kurrë kryetari i Partisë Demokratike, do të dijë të vlerësojë braktisjen e misionit të shefit të së djathtës politike. Berisha e di se për të rimarrë pozicion në librin e memories kolektive të shqiptarëve, duhet të dalë nga loja pak para mbarimit të saj. Vetëm kështu mund të besojë se publiku do ta duartrokasë. Pak shpresë ka, por nuk mund të shpresojë të ketë më shumë fat se paraardhësi i tij, vjenezi i suksesshëm i natyralizuar.

Berishës i duhet vetëm të mbyllë hesapet me Mafien që e komandon. Në kushte të tjera, kryepushtetari do të dinte ta kontrollonte raportin e tij me politikën. Por në momentin që, si në një dramë të Gëtes, Berisha shet shpirtin tek Mefistofeli i parasë, koha për të pushon së ekzistuari. Kontrata me Mafien nuk mund të zhbëhet si në një ndarje romantike. Nuk mjaftojnë fjalitë “të mos e marrim veten seriozisht”, apo “më duhet të njoh veten më parë, dhe atë ç’ka dua nga jeta”. Ky moment post-modernizmi nuk prek asnjë nga talentet e krimit. Koha ka ngrirë deri në vdekje. Për atë që duhet të vijë më pas, ka plot struktura biblike ku adresohen të interesuarit. Berisha këtë e di, dhe përfundimisht mendon të inskenojë forcën e fitores. Të paktën do të tentojë të iluzionojë padronët e vet për një fitore të mundshme. Flamuri, Poni, Ajazi, Bylykbashi, këta janë marionetat e teatrit të ri të vjedhjes. E Berisha e di se pas kësaj nuk do jetë më mielli që do t’i bjerë mbi kokë, aq më keq me reflekset e vonuara prej burri të lodhur nga mosha tashmë.