Berisha dhe hakmarrja ndaj të vetëve

0
43


Nga Mero Baze

Sali Berisha duket i qetë dhe hakmarrës ndaj të vetëve pas seancës degraduese të ditës së hënë. Shfaqur para shqiptarëve me një fjalor degradues dhe rrëshqitje të verifikueshme psiqike, Berisha duket se është rikthyer i qetë dhe i relaksuar nga udhëtimi me gruan e tij në Itali. Kjo shihet qartë në komunikimin publik të Partisë Demokratike dy ditët e fundit. Berisha ka bërë kujdes të madh për të qenë deri në fund cinik me njerëzit e kampit të vet, të cilët i ka thirrur aty për t’i përdorur.

Kulmi i cinizmit natyrisht mbetet Arben Imami. Ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri lidhen gjerësisht me angazhimin e tij politik dhe civil kundër Sali Berishës, të cilat kulmuan me mosnjohjen e marrëveshjes së 9 Marsit në Jug të vendit dhe fillimin e organizimit të pavarur të atyre që fillimisht u quajtën Komitete të Shpëtimit Publik. Të parin e këtij lloji zoti Imami e promovoi në Gjirokastër dhe më vonë ata u përhapën në qytete kryesore të jugut të Shqipërisë. Fjalori i atëhershëm i Arben Imamit ishte radikal dhe mbështetej në tezën se një qeveri e paligjshme që ka vjedhur votat, përmbyset vetëm me kryengritje. Sot nuk jemi në një situatë tërësisht të ngjashme.

Votat janë vjedhur dhe është ndalur me ligj kontrolli i tyre, por opozita është ende brenda institucioneve. Vjedhja është shtuar dhe zëvendëskryeministri është kapur me presh në dorë, por problemi është ende në proces hetimi nga drejtësia dhe diskretitimi nga opozita. Opozita ka bërë thirrje për një demonstrim kombëtar kundër qeverisë dhe ka paralajmëruar shmangien e provokimeve nga qeveria. Në këto kushte tërësisht normale për standardet e një vendi, i cili duhet të jetë i lirë të ushtrojë të drejtën për të protestuar, Sali Berisha gjen pikërisht këtë njeri të dalë dhe të paralajmërojë “kundër një rebelimi të kuq komunist” që po organizon opozita.

Unë e njoh zotin Imami dhe vazhdoj të ruaj mendim të mirë për integritetin e tij si nëpunës i shtetit shqiptar, por tashmë ai duket se dëshiron të jetë më shumë një nëpunës i mirë i partisë së Sali Berishës. Nuk është se mund ta qortoj për këtë, pasi ndoshta ka planet e veta si mund t’i hyjë në zemër Sali Berishës, por më duket çmim i lartë ky poshtërim publik i tij. Jam i qartë se shumë njerëz që duan të bëjnë karrierë në atë parti, duhet të kalojnë në provën e poshtërimit publik, dhe kjo në të vërtetë nxit antivlerat në krye të asaj partie.

Rasti i zotit Iamami nëse është sakrificë për karrierë, është i kuptueshëm, por nëse dhe pas kësaj Berisha nuk i hap rrugë karrierës së tij për në vend të zotit Bode, është shumë për të. Ajo do të na bëjë të dyshojmë pastaj se problemet e tij me të vërtetën dhe ndershmërinë si ministër janë më të thella se sa nevoja për të kaluar provën e poshtërimit dhe cinizmit të Sali Berishës ndaj njerëzve që i kanë hapur probleme në karrierën e tij.

Dhe Arben Imami është një njeri që e ka detyruar Sali Berishën të flejë natën vetëm në zyrë, pa ditur ku i ka fëmijët e arratisur dhe gruan e fshehur në periferi të Tiranës. Shpresoj të jetë duke ditur se ç’bën, edhe pse kam filluar të dyshoj se një nga personazhet ende të pashfaqur të një kasete që hyn në zyra ministrash e kërkon privilegje për kompani ruse, e nxjerr përditë në gazetë si ministër të suksesshëm. Zoti na ruajt nëse është katandisur peng deri atje.

Personazhi i dytë me të cilën Berisha duket se po hakmerret duke e bërë gazi i botës është zonja Doda. Në qeveritë e egra socialiste kundër Berishës siç ishte ajo e viteve 1998- 2000, kjo ka shërbyer si zëdhënëse e Ilir Metës dhe e disa ministrave socialistë. Pastaj u largua për probleme të saj personale. Cinizmi i tepruar i Sali Berishës është se e detyron këtë grua të dalë dhe të flasë për vlerat familjare dhe dhunën në familje. Një zot e di si nuk e thyejnë televizionin ata që e njohin atë, por s’kanë paturpësinë e Sali Berishës të merren me të publikisht.

I fundit, por jo i fundit për të qenë qesharak, mbetet Bogdani. Ky militant i hershëm i Edi Ramës, që vjen nga një familje e njohur socialiste e Tiranës, babi i të cilit ka qenë zyrtar i rëndësishëm në qeveritë socialiste, dhe i martuar me një grua, prindërit e të cilës Berisha i ka lakuar si krerët më të rrezikshëm të Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, që kanë vepruar sipas tij dhe kundër “demokracisë”, tani ka marrë flamurin e shantazhit publik ndaj gazetarëve që publikuan skandalin e kasetës së zëvendëskryeministrit, duke i quajtur spiunë të Sigurimit. Natyrisht që këto sajesa nuk impresionojnë askënd, por cinizmi i Berishës ndaj një dhëndri sigurimsi dhe familje komunisti, është për tu shënuar.

Nuk besoj se do të kishte dikush kohë dhe qetësinë në këto ditë t’i shkonte mendja të bënte cinikun që Sali Berisha bën me disa figura të PD-së, që i kanë pas sjellë më parë telashe. Mjafton të kujtojmë përmbledhtazi se tani kundër “rebelimit të kuq” flet Arben Imami, kundër “prishjes së familjes” flet Mesila Doda dhe kundër Sigurimit të Shtetit flet dhëndëri i “Klanit Çepani” në Sigurimin e Shtetit, për të kuptuar sa hakmarrës mbetet Sali Berisha dhe ndaj të vetëve.