Berisha dhe Demokracia Kineze

0
38

Bledar H. Prifti, 10.12.2009

Para disa ditësh, Ambasadori Amerikan në Tiranë, z. John L. Withers II, theksoi se raporti i ardhshëm i Departamentit të Shtetit në lidhje me të drejtat e njeriut ka për të qenë problematik për Shqipërinë.

Në vazhdim, ambasadori theksoi se administrata Obama ka kërkuar që në këtë raport të flitet për korrupsionin në një mënyrë që nuk është folur më parë. Përveç korrupsionit, raporti do të përmbledh edhe një vlerësim tejet negativ në lidhje me pavarësinë e institucioneve politike nga politika, lirinë e medias, dhe trafikimin i qenieve njerëzore.

Në lidhje me pavarësinë e institucioneve demokratike nga politika, Ambasadori Withers fokusohet te gjyqësori, duke marrë si shembull ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të politikës në “çështjen Gërdeci”, kurse në lidhje me lirinë e medias, ambasadori i referohet rrahjes së gazetarit Mero Baze për shkak të detyrës së tij.

Me pak fjalë, vitin që vjen, Shqipëria do të marri damkën e të qenit një “vend problematik”, për sa i përket lirive dhe të drejtave të njeriut, apo e parimeve bazë të demokracisë.

E përkthyer ndryshe, në vitin që vjen, Shqipëria ka për t’u radhitur midis vendeve me demokraci problematike, ç’ka do të ketë impakt thelbësor në vlerësimin që do të bëhet për Shqipërinë nga organizmat ndërkombëtarë.

Por më shumë sesa problemet që ngrihen nga Ambasadori Withers, ne duhet të na shqetësojë gjuha diplomatike, me të cilën ai foli. Shumë mund ta kenë vënë re se ajo nuk ishte një gjuhë e zakonshme diplomatike.

Ajo ishte një “gjuhë diplomatike” që sinjalizon se problemet në sistemin politik Shqiptarë “kanë marrë dhenë” dhe se ka pak gjasa se ato do të zgjidhen nga pushteti aktual i Berishës.

Për më shumë, toni i deklaratës lë të kuptohet se marrëdhëniet Washington-Tiranë janë zbehur, dhe duket që “Shtëpia e Bardhë” i sheh me skepticizëm politikat e Tiranës zyrtare.

Por, këtu ka një koençidencë sa të çuditshme aq edhe shqetësuese nëse do të ktheheshim pas në vitin 1996. Në atë kohë, z. Berisha ishte president i Republikës, Partia Socialiste ishte në opozitë, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ishin në rolin e të akredituarit politik.

Situata ishte po e njëjtë: Berisha në pushtet, zgjedhje dhe lekë të vjedhura, opozitë dhe popull në protesta, opozitë të kërcënuar dhe të masakruar nga pushteti i Berishës, dhe SHBA që nuk aprovonin shumicën e politikave të Tiranës zyrtare. Dhe për çudi, këto ngjarje konfliktuale kanë vetëm një protagonist kryesor, dhe ky është kryeministri aktual, Sali Berisha.

Nëse do të pretendonim se fajin për ripërsëritjen e këtij skenari e ka natyra politike e opozitës Socialiste, atëherë fjala do të na ngecte në grykë, pasi jemi përballë faktit që duhet të shpjegojmë edhe rolin dhe vlerësimet negative të SHBA-së përkundrejt qeverisë Berisha-Meta.

Ka disa syresh, si ish-presidenti i atëhershëm, që do të krijonin një teori konspirative, si atëherë në 1997-ën, kur shkatërrimin e aparatit të shtetit u munduan, në mënyrë indirekte, t’ia faturonin shërbimeve sekrete të huaja, në veçanti shërbimit sekret Amerikan, CIA.

Por, historia e kombit Shqiptarë dhe pavarësia e Kosovës nuk jep as më të voglën mundësi për të ideuar kësi teorirash diabolike në ditët e sotme. Skenari i vitit 1996 dhe ai i vitit 2009 kanë të përbashkët të njëjtin regjisor dhe ideologji.

Dy skenarë politikë nuk do të ishin të ngjashme, nëse nuk do të kishin të njëjtin regjisor dhe të njëjtën ideologji që e udhëhiqte atë. Me fjalën regjisor nënkuptoj drejtuesin e aparatit të shtetit që është përgjegjës për mbarëvajtjen e aferave të shtetit, dhe me ideologji i referohem asaj tërësie idesh që kontribuojnë në mënyrën se si duhet të menaxhohen aferat e shtetit.

Dhe përsëri na shfaqet e njëjta simptomë që përjetuam edhe në 1996-ën, zullumi dhe dashuria pa kufij për pushtetin absolut nga ana e Berishës. Si një ish-komunist i vjetër, z. Berisha ka dëshmuar se kur ka qenë në pushtet, ai asnjëherë nuk ka kryer zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në fjalët e Bernard Lewis, motoja dhe hipokrizia politike e Berishës mund të konsiderohej si “[një burrë], një votë, njëherë”.

Për Berishën demokracia duhet të ekzistojë deri atëherë sa ajo të mundësojë ardhjen e tij në pushtet.

Pas kësaj, demokracia dhe parimet demokratike nuk mund të ekzistojnë për Berishën, përveç rasteve kur ato sigurojnë pushtetin e tij. Bile, çdo tentativë që do të kërcënonte pushtetin e Berishës do të konsiderohej jo-demokratike, kurse personat pjesëmarrës në to do të etiketoheshin si punista, mafiozë dhe armiq.

Etiketimi i kundërshtarëve me këto terma do të ishte thjesht fillimi i një reprezalje politike kundrejt kundërshtarëve të tij politik.

Këtë e përjetuam në periudhën 1992-1997 dhe, fatkeqësisht, mund ta përjetojmë edhe në ditët që do të vijnë, nëse populli Shqiptar lejon që të vazhdojë e njëjta mendësi politike.

Fatkeqësisht, ka një tendencë të pushtetit aktual dhe të mbështetësve të tij për të fshirë nga mendja e popullit, apo për të etiketuar si anarkist, këdo që analizon dhe paralajmëron ripërsëritjen e tragjedisë së vitit 1997-të. Të heqësh nga mendja tragjedinë e vitit 1997 do të thotë që të krijosh premisa dhe mundësi që ajo tragjedi të përsëritet.

Nuk mund të ndërtohet një e ardhme pa pasur parasysh dhe analizuar të shkuarën. E tashmja është nyja që lidh të shkuarën me të ardhmen. Një e tashme si e shkuara kurrë nuk mund të krijojë një të ardhme.

Ndaj çështja qëndron se si e ardhmja të bëhet e ndryshme dhe më e mirë se e shkuara, dhe jo kopje e saj. Sistemet politike evoluojnë, sepse ato mësojnë nga e shkuara e tyre dhe kanë tendencën të krijojnë modele më të mira se ato të shkuarat.

Krejt e kundërta ka ndodhur me politikën Shqiptare dhe sistemin e saj politik. Në vend që të krijonim një model më të mirë të sistemit politik në krahasim me modelet e mëparshëm, ne risollëm në jetë një model tejet të dështuar–modelin neokomunist Berisha. Ky është një model që ka një ndërthurje të elementëve demokratike me elementët diktatorialë të tipit komunist. E thënë më thjeshtë, ne kemi rikrijuar një sistem politik Kinez.

Demokracia jonë mund të konsiderohet “demokraci Kineze” për faktin se ne jemi përballë faktit kur kemi një miksim të vlerave demokratike me ato diktatoriale.
Jetojmë në një vend, ku demokracia dhe drejtësia janë privilegj vetëm i pushtetarëve, dhe jo i popullit mbarë. U vranë 26 persona në Gërdec dhe mijëra të tjerë po vuajnë pasojat. A ka parë njëri nga këta drejtësi deri më sot? JO!

Sa qindra e mijëra Shqiptarë të tjerë enden nëpër gjykata në kërkim të drejtësisë? Sa qindra e mijëra Shqiptarë kërcënohen më heqjen e bukës së gojës në rast se nuk mbështesin qeverinë e neokomunistit Berisha? Sa mijëra biznese janë të kërcënuar sot e kësaj dite nga aparati i shtetit dhe forcat e tij paramilitare?

Sa media dhe gazetarë ndjehen të kërcënuar nga represioni qeveritar? Sa institucione demokratike janë vënë “nën hyqmën” e neokomunistit Berisha? Janë përgjigjet për këto pyetje dhe shumë të tjera që na tregojnë neve se po jetojmë në një “demokraci Kineze”

Ndaj, reagimi i fuqishëm i ambasadorit Amerikan, dhe raporti i mëvonshëm i Departamentit të Shtetit, në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut, korrupsionin galopant, dhe represionin qeveritar mbi institucionet demokratike duhet të konsiderohet si një kambanë alarmi për shoqërinë Shqiptare dhe rrezikun që i kanoset asaj nga vendosja e neokomunizmit Berishian.

Gjithashtu, historia makabre e urrejtjes së popullit për popullin po promovohet nga pushteti Berishian përmes një lufte klasash të tipit komunist. Është përzier krundja me miellin dhe nuk po marrim vesh kush është kush në këtë sistem politik.

Nëse deri dje për Shqiptarët çështja kryesore ishte rrëzimi i komunizmit, sot çështja kryesore për shoqërinë Shqiptare është të ndash demokratin nga komunisti dhe të mirin nga i ligu. Në këto kushte, demokracia e brishtë Shqiptare rrezikon të kthehet, në mos është kthyer, në një “demokraci Kineze”.