TemA, 23 Nëntor 2011
Qeveria serbe ka vendosur që të pajtojë një nga firmat më të fuqishme në Uashington në fushën e lobimit, “Podesta Group”, që të lobojë për interesat e Serbisë në SHBA dhe se për këtë punë kjo firmë do të paguhet nga ajo (qeveria serbe) me 100 000 dollarë në muaj, bën të ditur gazeta e përditshme serbe “Blic”, duke iu referuar burimeve qeveritare serbe dhe duke saktësuar se marrëveshja përkatëse mes të dyjave palëve të interesuara është nënshkruar më 1 tetor të këtij viti.
Sipas gazetës në fjalë, që gjithashtu boton në faqet e saj edhe dokumentin përkatës të kësaj marrëveshjeje, një pjesë e shumës së mësipërme, 25 000 dollarë, do t’i shkojë firmës “Robert Uajt” që angazhoi grupin e mësipërm amerikan të lobimit “Podesta Group” që të lobojë për interesat e Serbisë në Kongresin e SHBA-së.
“Podesta Group”, në fakt, është një nga tre “shtëpitë lobuese” më të fuqishme në Uashington dhe ka ndër klientët më elitarë. Pronari i saj, sikurse vë në dukje gazeta e mësipërme serbe, vizitoi ditët e para të tetorit të këtij viti Beogradin, ku u takua dhe bisedoi me zyrtarët më të lartë të pushtetit shtetëror e qeveritar serb. Firma “Robert Uajt” është pjesëtare e grupit të mësipërm dhe ka lidhje të forta në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.
Me këtë rast, gazeta “Blic” thekson se sigurisht që interesat që Serbia parashikon të mbrojë përmes grupit të mësipërm të njohur lobist amerikan, kanë lidhje në radhë të parë me luftën diplomatike që ajo (Serbia) po zhvillon për Kosovën dhe me integrimet europiane të saj. “Blic” pohon gjithashtu se është përpjekur që të marrë disa detaje më shumë në qeverinë e Serbisë rreth kësaj kontrate lobimi, por pa sukses. As Ambasada e Serbisë në Uashington nuk donte të bënte ndonjë koment rreth kësaj.
Grupi i mësipërm i lobimit është krijuar në vitin 2003 nga Xhon Podesta, i cili ka shërbyer si shef i stafit (1998-2001) të kabinetit të ish-presidentit të SHBA-së, Bill Klinton, dhe me detyra të përkohshme edhe në stafin e sekretares së Shtetit të SHBA-së, Hillari Klinton, dhe në përbërje të tij ka një grup njerëzish të pasur e të njohur si liberalë në fushën e politikës së jashtme amerikane me lidhje të forta, krahas Kongresit amerikan, edhe në Partinë Demokratike në fuqi në SHBA.
“Podesta” është edhe një nga firmat lobuese e kontraktuar nga ana e qeverisë shqiptare. Falë këtij lobimi, muaj më parë u organizua në SHBA takimi mes forumit të biznesit shqiptaro-amerikan. Në këtë takim mori pjesë vetë Kryeministri Sali Berisha. Në këtë forum të investimeve morën pjesë edhe vetë përfaqësues të dy firmave lobuese amerikane “Podesta” dhe “Patton Boggs”.
“Natyrisht, takova miq të shquar të tjerë të kombit tonë dhe që ju jam shumë mirënjohës, ambasadorin Wisner, mikun e shquar Tony Podesta”, tha Berisha në mbledhjen e grupit të PD-së, të zhvilluar pas kthimit nga SHBA-ja. Në mars të këtij viti, qeveria lidhi një kontratë me Podesta-n. Ndërsa qeveria pak ditë më parë akordoi 200 mijë USD për firmën tjetër lobuese “Patton Boggs”.