TemA
Ndryshe nga e hëna, kur nxinte, kësaj here kryeministri është përpjekur të dhurojë shumë shpesh buzëqeshje apo të bëjë fytyrën e njeriut të gëzuar në mbledhjen e qeverisë. Ai foli në fillim për zhvillim dixhital në vend duke premtuar çmime më të ulëta të internetit, por edhe për SMS-të.
“Është një apel për të shtrirë në të gjitha institucionet e vendit zyrën apo kabinetin elektronik, dixhital. Për të reduktuar në mënyrën më të ndjeshme shpenzimet e panevojshme, por edhe për të arritur e vendosur një standard unik. Burokracia shqiptare duhet të jetë burokraci dixhitale.
Progresi në moshën dixhitale gjatë këtij viti ka qenë thelbësor. Shqipëria renditet në një nivel të lakmueshëm të përdorimit të internetit. Ka kapur nivelin rreth 50 përqind dhe ka hedhur bazën për të dalë mbi mesataren evropiane gjatë dy viteve që vijnë.
Çmimi i internetit është i paarsyeshëm, por autoriteti i rregullimit të këtij tregu bashkë me operatorët kryesorë po merr masa për ulje të ndjeshme. Uljet kanë filluar. Së shpejti dhjetëfishohet fluksi i internetit nga vendet fqinje. Së shpejti projektet për internet super të gjerë do bëhen realitet. Teknologjia 3G, pas lëshimit të licencës së parë, sot është dominuese totale në kompaninë Vodafone.
Agjencia e rregullimit të këtij tregu, me një punë serioze, në bashkëpunim me ministrin, bënë realitet portabilitetin e numrit, gjë e cila u jep mundësi qytetarëve që të përzgjedhin kompaninë më të leverdishme për ta. Çmimet kanë një rënie të ndjeshme. Ka një rënie dhe në çmimet e SMS-ve, por jo aty ku duhet. Autoriteti po shqyrton praktikat në mënyrë që të vendosë normat e pranueshme të tarifimit të tyre. Po kështu pritet të ketë një rënie dramatike të çmimit të internetit.
Shqipëria Dixhitale është një ëndërr e bukur, një ëndërr e madhe e Shqipërisë vend i zhvilluar. Mosha dixhitale është një faktor kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit, është një faktor i modernizimit të të gjitha shërbimeve,” tha Berisha.
“Fakti që Shqipëria sot në përqindjen e përdorimit të telefonave mobile, por dhe të internetit, ka kapur nivele që nuk mund të imagjinoheshin tre vjet më përpara, ka të bëjë me pasionin e madh që shqiptarët kanë për të vërtetën, sepse sot komunikimi dhe e vërteta janë një binom i pandarë. Ndaj dhe qeveria mbetet e vendosur për të bërë të gjitha përpjekjet që ky vend të ketë moshën më të konsoliduar dixhitale. Duhet të theksoj se vetëm këtë vit, në universitetet publike do ulen në vitet e para 4600 studentë në këtë degë. Pra po bëjmë gjithçka për t’i paraprirë këtij turravrap të pandalshëm. Pas hyrjes së internetit në çdo shkollë, Posta Shqiptare, ndër më të paktat në Europë e botë, ofron internet falas në 510 zyrat e saj për qytetarët shqiptarë, por jo vetëm në zyra. Përfitojnë edhe njerëzit që kanë banesat rreth tyre. Tek ndiqja një ditë një emision televiziv, rezultonte se gjyshja 82 vjeçare, i kishte nisur një email mbesës së vet në një vend tjetër. Kjo është merita e moshës dixhitale,” vijoi më tej kryeministri.
Më pas Berisha foli për ndryshimet në paketën fiskale. Ai tha se është hequr taksa e importit për fasonët. “Revolucioni fiskal është revolucion që vazhdon pa ndërprerje sepse ka të bëjë me lirinë, ka të bëjë me lirinë e tregut, me lirinë fiskale. Ndaj ne sot vendosim të heqim, të bëjmë zero, taksën prej 10 përqind për të gjitha importet për industrinë e konfeksioneve. Kjo industri, e cila në shumë nga sipërmarrjet e saj funksionon për modën më të lartë të Europës e botës, do ketë mundësi të zgjerohet. Është një nga eksportet më të suksesshme të vendit. Vetëm pesë muajt e fundit janë regjistruar 20 ndërmarrje të reja me fasonë. Ky projektligj është diskutuar gjerësisht me këshillin e biznesit, e ka mirëpritur dhe e ka vlerësuar shumë dhe ne e marrim këtë vendim në një kohë kur të tjerët vetëm rrisin taksat. E marrim këtë vendim se modeli ynë ekonomik funksionon dhe na jep mundësinë ta marrim këtë vendim,” tha Berisha.
Kryeministri shtoi se është përgjysmuar akciza e birrës, edhe pse ka pasur pakënaqësi.
“Ne përgjysmuam akcizën e birrës, por nuk e kuptova pse disa birrëpirës të mëdhenj u mërziten. Kjo është një industri që punëson tre mijë vetë në Shqipëri. Prodhimet e saj janë të shkëlqyera. Nuk janë apasionant i birrës, por sa herë pi birrë, pi birrë vendi. Nuk krahasohet me birrat e tjera, është shumë e mirë, absolutisht,” tha Berisha.
Duke folur për heqjen e tarifës së importit për makinat, Berisha tha se do rritet taksa e karburantit. Ai premtoi se të ardhurat e kësaj takse do shkojnë për mbjellje pemësh.
“Po kështu hiqen taksat e importit dhe shitjes së makinave. Edhe ajo është pjesë e një revolucioni fiskal. Natyrisht do ketë një tarifë mbi karburantin. Kjo është një rritje që nuk është për buxhetin, por është për mjedisin. Duhet të kemi diçka të qartë që duhet të bëjmë gjithçka për të mbrojtur mjedisin, jetën tonë. Sot për fat të keq shëndeti i njeriut nga foshnjet që presin për të lindur gjer te të sapolindurit dhe të moshuarit, janë subjekt i ndikimit të substancave nga më të ndryshmet, të ushqimeve me konservantë. Taksa e karburantit do kalojë e gjitha për mbjellje drurësh frutorë.”
Në fund Berisha tha se do nisë dialogun me të zgjedhurit e ri vendorë për decentralizim fiskal të bashkive e komunave, që të kenë fondet e tyre për projektet zhvillimore.