ResPublica.al, 11 korrik 2012
Keni rastisur ndonjëherë të takoni persona afër Berishës? Të thonë të gjithë të njëjtën gjë, sapo konstatojnë se kanë përballë një person kritik me të. “Si? Po ti nuk e ke takuar kurrë Doktorin? Takoje, njëherë takoje… Ooo, shumë i këndshëm, shumë shakaxhi”. Me siguri e kanë fjalën për momente të tilla si ai sot në mbledhjen e qeverisë, ku kryeministri S.Berisha iu rikthye çështjes së prerjes së egër të pemëve në Parkun Kombëtar pranë rrugës së Elbasanit.
9 ditë më parë, në 2 korrik, në mbledhjen e një Komiteti Ndërministror të Planifikimit të Strategjive, S.Berisha tha: “…Qeveria nuk mund të mos investojë për ndërtimin e rrugës së Elbasanit, sepse kjo përbën një domosdoshmëri të madhe për faktin se Farka po shndërrohet në një nga qytetet e mëdha të vendit. Jam i bindur se ata qytetarë që e kanë të domosdoshme rrugën e gjerë, të përshtatshme për të ardhur në qendër të Tiranës, do të votonin jo një herë, por shumë herë për zgjerimin e rrugës”.
Deri në këtë ditë, banorët e Farkës nuk e dinin as vetë që ishin ata shkaku i prerjes së pemëve (pas kësaj deklarate, me siguri e dinë). Vetë kryeministri ua krijoi, ua shpalli dhe ua dorëzoi “të drejtën” në emër të nevojave të tyre urbane, zgjerimit të rrugës. Dhe “e drejta” (paçka se e sajuar kësisoj) është me ta në këtë rast, – prapë sipas kryeministrit.
Por sot, në mbledhjen e qeverisë, shpërdarësi i të drejtave i dha bujarisht të drejtë edhe…Lubonjës (!) që kundërshtoi fort prerjen e këtyre pemëve. Dhe sot na del se gjëja më e rëndësishme në këtë batërdi është që…fadromat janë të një ish-deputeti të PS.
“Nuk mund të mos them që kishte të drejtë Lubonja për atë që i ndodhi në Rrugën e Elbasanit, e fitoi firma e ish-deputetit të PS-së. Shkuan bënë luftë me fadromat e tij. Shoqëria civile e kësaj fushe ka dhënë kontribute të mëdha…” – tha sot Berisha.
Pyetja 1: A mund të kenë të drejtë njëkohësisht edhe banorët e Farkës edhe Lubonja? Pyetja 2: Po se të kujt janë fadromat ç’lidhje ka me atë që ndodhi? Pyetja 3: Shaka është kjo?
Në fakt është tallje. Jo vetëm me Lubonjën. Me të gjithë.







