TemA Online, 6 Shkurt 2013
Kryeministri Berisha vazhdon të këmbëngulë se borxhi publik nuk mund të jetë një rrezik për Shqipërinë, pavarësisht se e ka kaluar 60%, nivelin maksimal të këshilluar nga ana e ekspertëve. Këtë gjë ai e përsëriti edhe gjatë një takimi të zhvilluar me kreun e BERZH-it, Suma Chakrabatti.
Sipas Berishës, borxhi nuk është një lak në fyt për qeverinë shqiptare. Ai tha se niveli 60% i borxhit nuk mund të jetë vija e kuqe, e cila nuk duhet të kalohet.
“Qeveria do i qëndrojë borxhit dhe i kemi qëndruar gjatë 5 viteve të fundit. Nuk besoj se niveli 60 përqind është vija e kuqe. Vija e kuqe është ajo që kërcënon mundësinë e shërbimit të borxhit. Borxhi në tërësi i ka shërbyer dhe i shërben sistemit për zhvillim dhe ndërtim, por kthehet në një lak në fyt në momentin që shfaqen shërbimet serioze ndaj tij. Mund të them se qeveria shqiptare nuk ka vështirësi në shërbimin ndaj borxhit dhe të parandalojë një situatë që e nxjerr në gjendje të vështirë. Realisht ky është një borxh që kontrollohet pa ndonjë vështirësi të madhe”, tha Berisha gjatë fjalës së tij.
Ndërkohë, ai e ka përshkruar me vetëm një fjali takimin e zhvilluar ditën e djeshme me Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle: “Unë jam gati t’i votoj që nesër tre ligjet, nuk kisha pse ti diskutoja me komisionarin Fyle”.