“Berisha bëri ligj që të legalizojë vilat e Argitës dhe ministrave të oborrit”

0
39

Nga Tema

Partia Socialiste bëri me dije dje se, ligji që po kalon mazhoranca “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin”, po bëhet që të favorizohet Familja e kryeministrit dhe ministrat e oborrit. Deputeti Taulant Balla tha se kërkon nga qeveria që të bëjë publike listën e familjarëve dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë që përfitojnë nga ky ligj i posaçëm.

“Të mësuar me kryeministrin, i cili gjithmonë hesht, sa herë që në afera të këtij lloji janë të përzjera edhe interesat e familjes kryeministrore dhe oborrit të tij, Partia Socialiste po bën sot publikë disa prej përfituesve të drejtpërdrejtë të këtij ligji. Më lejoni t’ju shpjegoj se, sipas këtij projektligji, përfituesit e këtij ligji hipotekojnë në pronësinë e tyre, jo vetëm tokën ku kanë ngritur vilat, por edhe oborret, madje edhe rërën e bregdetit. Pra qeveria që na shiti detin, tashmë po përvetëson edhe rërën dhe bregdetin.

Kam këtu deklaratat e pasurisë sipas formularëve zyrtarë të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Familja kryeministrore: vajza dhe kunata; ministri i Brendshëm i familjes, Lulzim Basha; ministri i Financave; ministri i Shtetit. Mund t’ju them se lista vazhdon e gjatë edhe me ministra të tjerë të oborrit, zëvendësministra e të tjerë e të tjerë zyrtarë”, – tha Balla.

“Pra duket qartë se ky ligj nuk synon të adresojë zgjidhjen e çështjes së pronësisë së tokave të zaptuara në bregdet, por të hipotekojë vilat e Familjes dhe të ministrave.”

Ndërkohë, shoqata “Pronësi me Drejtësi” e konsideron të padrejtë cilësimin e këtyre trojeve si pronë të shtetit, ndërkohë që sipas tyre ato u përkasin pronarëve. Krahas kësaj kjo shoqatë kundërshton edhe mënyrën se si do të bëhet pagesa.

Për sa i përket pronarit të vërtetë të këtyre sipërfaqeve që shteti me anë të një ligji në vitin 1993 i ofroi ndaj individëve të ndryshëm me destinacion zhvillimin e turizmit, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës, Agim Toro, thekson se nuk është e vërtetë që këto troje janë në pronësi të shtetit, pasi, nëse do të ishte kështu, për miratimin e këtij ligji qeveria nuk kishte pse të propozonte shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit “Për kthimin e kompensimin e pronave”.

“Nëse këto prona nuk janë të pronarëve, por të shtetit, atëherë cila është arsyeja që shfuqizohet pika 1/ç e nenit 6 të ligjit për kthimin e kompensimit të pronave? Në këtë pikë thuhet saktësisht kështu: Në rastet kur në pronën e marrë me qira është ndryshuar destinacioni i objekteve të ndërtuara, për të cilën është rënë dakord që të përdoret për veprimtari të stimuluara, toka quhet e pazënë dhe i kthehet subjektit të shpronësuar. Pra, nëse subjekt i këtij ligji nuk janë pronarët, pse duhej që të shfuqizohej kjo pikë? Pra, vetëm kjo gjë shpreh qartë që kemi të bëjmë me troje, ku pronar nuk është shteti por ne”, – shprehet Toro duke shtuar se mbi bazën e këtij ligji Komisioni i Pronave ka vepruar dhe ka kthyer prona te pronarët, kurse tashmë kjo pikë shfuqizohet, ndërkohë që ka edhe pronarë të tjerë, të cilët gëzojnë të drejta të njëjta dhe gjithashtu duhet të përfitojnë nga i njëjti ligj.

Edhe pse është bërë ky ligj, për pronarët e objekteve ekziston mundësia që edhe të mos e shlyejnë vlerën e truallit, pasi në të nuk parashikohen as afate dhe as penalitete, nëse këto afate shkelen

Vjedhja skandaloze e qeverisë me ligjin për shitjen e vilave në fshatrat turistikë

tema.al

21.08.2009

Qeveria po vjedh me ligje pronat e ish-pronarëve. Janë ish-pronarët, të cilët me anë të grupimeve të tyre zyrtare kanë denoncuar vjedhjen që po tentohet të bëhet me anë të shitjes së tokave në fshatrat turistikë. Pak pas deklaratës së kryeministrit të vendit në mbledhje qeverie për legjitimim të shitjes së vilave që ndodhen në fshatrat turistikë, ish-pronarët e cilësuan këtë si vjedhje të hapur. Ata thonë se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të ndaluar këtë veprim, që sipas tyre nuk ndihmon zgjidhjen e lëmshit të konflikteve të pronësisë, por përkundrazi shton dhe një shkelje tjetër.

Berisha

Në mbledhjen e datës 12 të këtij muaji, kryeministri, Sali Berisha, tha se ka kërkuar nga vartësit e tij që sa më parë të sjellin projektligjin për privatizimin e fshatrave turistikë. Në fjalën e tij para medieve, Berisha pranoi abuzimet që janë bërë me licencat dhe qëllimet e fshatrave turistike, dhe sipas tij kjo do të zgjidhet me projektligjin e ri. “Unë do të kërkoja që në mbledhjen e ardhshme të konkludohen disa probleme të rëndësishme, për të cilat është punuar nga ministritë e linjës. Së pari, ligji për privatizimin, pasi nuk mund të bëjmë fjalë për legalizim të fshatrave turistikë.

Borgjezia e re duhet që në mënyrë përfundimtare të blejë me çmim tregu tokën që vilat e tyre kanë zënë në fshatrat turistikë, dhe këto fonde kalojnë për pronarët. Në këtë mënyrë ata do t’i gëzojnë edhe më shumë shtëpitë e tyre të weekend-it. Statusi i fshatrave turistikë është një problem i ndërlikuar gjatë rrugës, por tani do t’i japim përgjigje përfundimtare në interes të dyanshëm, të atyre që i posedojnë shtëpitë dhe të pronarëve, sepse të gjitha këto fonde do të kalojnë për pronarët. Statusi i tyre nuk lejon që të përdoren praktikat e legalizimit për to, pasi kemi të bëjmë realisht me atë që unë e quaj borgjezia e re, por që në fakt nuk ka ndërmend ta deklarojë veten të tillë asnjëherë, gjë të cilën unë personalisht nuk arrij ta kuptoj”, – u shpreh kryeministri.

Ish-pronarët

I menjëhershëm ka qenë reagimi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”. Agim Toro, sekretari i kësaj shoqate, shpjegon se konflikti i krijuar me mosfunksionimin e fshatrave turistikë si të tillë duhet të zgjidhet duke hedhur një hap pas, dhe jo duke përkeqësuar situatën. Zoti Toro shpjegon se përgjegjësinë për shkeljet, pra për shitjen e vilave dhe ndërtesave të tjera në fshatrat turistikë, duhet ta mbajnë ndërtuesit dhe jo pronarët, të cilëve u është zonë toka. Sipas tij, nuk ka pse tokat t’iu falen atyre që i vodhën, por t’iu kthehen pronarëve.

“Ka shumë paqartësi në këtë pjesë. Nuk dihet ende çfarë do t’iu shitet atyre që i kanë blerë këto vila. Do t’iu shitet vetëm vila, vila me gjithë oborr, apo dhe disa hektarë tokë që rrethojnë fshatin turistik”, – shprehet Agim Toro.

Një fshat turistik ka një sipërfaqe që varion nga 3 deri në 5 apo 6 hektarë, ndërkohë me ligj çdo fshat turistik ka dhe një sipërfaqe prej rreth 100 hektarë përreth, që quhet zonë e mbrojtur. Në këtë zonë nuk lejohen ndërtimet, të çfarëdo lloji qofshin. Kështu, të ashtuquajturit “borgjezët e rinj” mund të përfitojnë me anë të projektligjit dhe këtë sipërfaqe toke. “Të gjithë fshatrat turistikë janë ngritur mbi toka pronarësh të ligjshëm. Kjo tokë, nëse fshatrat turistikë do të funksiononin si të tillë, është me qira për 99 vjet, por tashmë kryeministri kërkon ta shesë”, – thotë Agim Toro. Pronarët kërkojnë që të ndëshkohen ndërtuesit që shitën fshatrat, dhe t’iu jepet e drejtë pronarëve të tokës të vendosin me pronën e tyre. “Nuk është qeveria apo kryeministri që duhet të vendosë për pronën e dikujt tjetër. Askund, në asnjë vend demokratik nuk ndodh kjo, që prona t`i merret pronarit dhe dikush pas asnjë titull pronësie ta shesë atë”, – thotë Agim Toro.

Çmimet e tokës

Çmimet e tregut që njeh qeveria në bregdet arrijnë deri në 36 mijë lekë të vjetra, në një kohë kur një metër katror tokë në zona bregdetare arrin në një vlerë disa herë më të lartë. Dhe në këtë pikë ish-pronarët kundërshtojnë, pasi ata nuk do të arrijnë kurrë të marrin as trojet dhe as shuma financiare.

Fshatrat turistikë

Deri në vitet 2004-2005 qeveritë shqiptare kanë dhënë 32 licenca për ndërtimin e fshatrave turistikë. Këto leje kishin si qëllim promovimin e një turizmi elitar, por ndodhi krejt ndryshe nga parashikimi. Sipas të dhënave, nga 32 fshatra turistikë, vetëm dy prej tyre funksionojnë si të tillë, duke respektuar ligjet dhe lejet e marra. Për 30 të tjerët vëzhgimet tregojnë se aty nuk ndodh ajo çka përcaktohet në ligj. Kështu, një fshat turistik duhet të funksionojë si një hotel apo resort turistik, ku vilat dhe ambientet e tjera të merren me qira nga pushues apo turistë të ndryshëm. Pas ndërtimit, subjektet apo personat që zotëronin lejet kanë shitur ndërtesat, duke i kthyer fshatrat turistikë në fshatra rezidencialë, pra duke shkelur ligjin.

Në nenin 301 të ligjit “Për turizmin” Nr. 9734, datë 14.5.2007 thuhet shprehimisht që ndalohet shitja. Një tjetër shkelje apo më saktë abuzim financiar është dhe mbi përfitimet fiskale që kanë pasur subjektet që ndërtuan fshatrat turistikë. Për të promovuar turizmin, me vendim qeverie, ka lehtësira fiskale për ndërtuesit e një fshati turistik. Kështu, subjekti nuk tatohet dhe nuk paguan detyrime doganore për mallrat që sjell në Shqipëri, të cilat i përdor për ndërtimin e fshatit. Veç kësaj, një fshat turistik nuk paguan disa taksa lokale. Tashmë, me shitjen e fshatrave turistikë ndërtuesit duhet të kthejnë pas detyrimet e papaguara.