“Berisha, atentat Kushtetutës, gjunjëzim drejtësisë. Emrin ma kanë vënë prindërit”

0
85

Ened Janina

Në një intervistë për Shekullin dje pas deklaratave të bëra nga Berisha, nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu e cilëson një kërkesë të mundshme për shkarkimin e tij si një paçavure të radhës nga politika shqiptare, një atentat Kushtetutës dhe një përpjekje për gjunjëzim të drejtësisë. Lidhur me etiketimet e Berishës për Spahiun si “e ka emrin Kreshnik, por është liliput”, nënkryetari i KLD thotë se prindërit i kanë vënë emrin Kreshnik për shkak se janë shqiptarë të mirë.

Z. Spahiu, grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka paraqitur një kërkesë për shkarkimin tuaj nga posti i nënkryetarit të KLD-së. Si e vlerësoni ju këtë kërkesë?

Jam shumë kurioz të shoh këtë “paçavure” të radhës nga politika shqiptare. Vetëm në Shqipëri ndodh që çohet një kryeministër dhe godet hapur drejtësinë në ditën që njerëzit presin drejtësi, në kushtet kur Kushtetuta e ndan pushtetin gjyqësor nga ai politik. Kushtetuta e saktëson qartë emërimin e zv. kryetarit të Këshillit të Larte të Drejtësisë si dhe kthjellon në mënyrë precize rastet e mbarimit të mandatit të anëtarit të KLD-së.

A ju ka ardhur ju ndonjë kërkesë, apo ishte e papritur për ju kjo deklaratë e sotme?

Aspak… Madje kjo ka katër vjet që ka nisur me kërkesën e ish-ministrit të Drejtësisë të qeverisë Berisha 1, kur ne shkarkuam gjyqtarët e çështjes Gërdeci që i dhanë pafajësi Mihal Delijorgjit. Dhe ka vazhduar kështu me radhë deri në kërkesën e fundit për shkarkim nga parlamenti. Ky është atentat kundër Kushtetutës dhe nënshtrim i të gjithë nomeklaturës. Ndër të tjera duhet pyetur PD, por mbetem i hapur dhe shume kureshtar për arsyet ligjore dhe legjitimitetin kushtetues të kërkesës. Arsyet besoj se u deklaruan hapur nga kryeministri dhe sipas tij është Aleanca Kuq e Zi.

Z. Spahiu, a besoni ju se PD do mund të arrij kuorumin e nevojshëm për t’ju shkarkuar në parlament?

E ku pyesin deputetët e sotëm për kuorum… A ju kujtohet sa herë i kemi faktuar se votojnë me dy duar, për shokun dhe çdokënd që kanë rrotull?! Çështja është më e thellë se kaq. Kuvendi nuk ka tagrin ligjor për të bërë hetim dhe aq më tepër shkarkimin e zëvendës kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Largohem apo shkarkohem kjo është me pak rëndësi sepse unë e kam zgjedhur rrugën time, por është thellësisht serioz precedenti antikushtetues për të ardhmen.

Kryeministri Berisha deklaroi madje që nuk e meritoni emrin Kreshnik, por jeni “një liliput i pavlerë”, siç ai u shpreh. Si e gjykoni ju, keni ju një koment në lidhje me këto etiketime?

Jo. Jo, sepse ky është ndryshimi mes meje dhe kryeministrit. Unë quhem Kreshnik për shkak se jam bir i dy prindërve të mirë shqiptarë. Dhe ndjej keqardhje qe kryeministri për të disatën herë kalon çdo kufij etik dhe moral ne një debat. Do e ftoja që në këtë konflikt, se paku të ruante disa raporte, jo për mua, por për institucionin dhe publikun që do na ndjekë. Etiketimet dhe vlerësimet për njëri tjetrin le t’ia lemë publikut.

Ka shumë zëra që e lidhin Aleancën Kuq e Zi me një parti të ardhshme. A janë të vërteta këto zëra dhe cili do të jetë posti juaj nëse kjo do të ndodhë?

Aleanca Kuq e Zi është më e madhe se partitë politike dhe meriton një vlerësim tjetër. Unë njoh statusin e Aleancës Kuq e Zi dhe ai nuk është një organizim politik.

Cila është marrëdhënia juaj me Presidentin Topi jashtë KLD-së?

Marrëdhëniet njerëzore dhe miqësore me shumë personalitete janë raporte personale për të cilat kam përshtypje që nuk ka interes për publikun.