Berisha: 21 janarin do e hetojë kryeprokurori i ri. Topi u tha ndërkombëtarëve se nga situata dilet me zgjedhje të parakohshme

0
48

TemA, 25 Janar 2012

Kryeministri Sali Berisha flet në emisionin “Fakt” të Çim Pekës në një intervistë të regjistruar. Berisha lëshon një lumë akuzash ndaj presidentit dhe kryeprokurores. Berisha thotë se Ina Rama kërkoi t’i arrestonte njeriun që ishte përgjegjës për evakuimin e tij nga kryeministria. Kurse për Topin thotë se u deklaroi ndërkombëtarëve se zgjidhja janë zgjedhjet e parakohshme dhe ata e mbështetën për këtë. Berisha thotë se shërbimet e huaja e kishin njoftuar për 21 janarin, kurse SHISH jo.

Kryeministri deklaron se kishte në plan të mos lejonte hetimin e 21 janarit nga Ina Rama dhe u deklaron familjarëve të viktimave se do jetë ai që do zbardhë krimin e 21 janarit me kryeprokurorin e ri që do vendosë. Berisha flet sërish për plumba rikoshet nga arma e Ndrea Prendit kësaj radhe dhe thotë se dihet që në serverin e kryeministrisë ka pasur ndërhyrje, por implikon një kompani që kujdesej për kamerat e jashtme.

Në krah të ambasadorit amerikan, kryeprokurorja pas një viti nga ngjarja e 21 janarit është detyruar në një farë forme edhe ka pranuar me portretin e saj se po bën një kërkesë të sforcuar për heqjen e imuniteteve të tre deputetëve të PS-së për protestën e dhunshme të 21 janarit. Është komentuar kjo dalje e kryeprokurores nga opozita dhe është lenë të kuptohet se një gjë e tillë është bërë nën presionin e kryeministrit ndaj ambasadorit amerikan. Z. Kryeministër a është e vërtet që i keni kërkuar ambasadorit amerikan në takimin që keni pasur para disa ditësh imunitetin e deputeteve të PS?

Eshtë e vërtetë që çështja e 21 janarit, që nga data 22 janar e deri më sot ka qenë një nga çështjet e diskutuara, gjerësisht me komunitetin ndërkombëtar. Pse kjo? Me 21 janar unë kryeministri i vendit u gjeta i rrethuar për 5 orë rresht ndërsa kryeja detyrën time. Ndërtesa u sulmua me hunj, me gurë, me shishe molotov. Një protestë e cila u parapri nga montimi i një video ku implikohej kryeministri i vendit, pra duhej një pretekst për të sjellë njerëzit tek kryeministria, një protestë në të cilën kryeministrit të vendit iu dhanë një seri ultimatumesh në parlament dhe jashtë tij nga kryetari i opozitës, se do të kalosh mbi kufomat, se do ta kesh në prag të derës nga zëvendëskryetari i tij dhe me radhë. Një protestë e cila, në bazë të dhjetëra, për të mos thënë me shumë informacioneve, njerëzit e sjellë u paguan me euro, sepse do të rrëzojmë Sali Berishën. U mblodhën nga jashtë dhe brenda me qëllimin do të rrëzojmë Sali Berishën. Kjo është e vërteta të cilën janë të paktë shqiptarët që nuk e dinë.

Skenari i kësaj proteste ishte shumë i studiuar, i bashkërenduar me kryetarin e shtetit. Shqiptarët duhet të dinë një gjë, që Edi Rama pavarësisht nga i gjithë kompartimenti i tij psikologjik, kurrë nuk do të guxonte të ndërmerrte atë që mori pa mbështetjen e plotë të Bamir Topit, të Ina Ramës dhe të shefit të shërbimeve dhe të ndonjë tjetri. Pra, në këtë rast atë që ata nuk kalkuluan dhe e llogaritën gabim, se unë e kisha ditë pune dhe se nga zyra nuk do të largohesha. Ata menduan shumë variante, por për fat të keq hesapet i bënë me veten e tyre dhe pikërisht se i bënë hesapet me veten e tyre ato nuk ju dolën. Çfarë ndodhi? Gjithçka u zhvillua para kamerave, gjithçka u zhvillua në dritën e diellit, pati të vrarë, pati të plagosur, pati shumë kaos, zhvillime nga me dramatiket dhe tragjiket.

Pasi dola dhe i njoftova shqiptarët se u rrethova për 5 orë, se nuk kisha ndërmend të largohesha, akti i parë ishte se dhashë ato njoftime që më erdhën nga Spitali Ushtarak, sa ishin të sakta të pasakta, për 2-3 viktima se mbaj mend sa ishin kërkova hetim të plotë. Në çdo vend demokratik dhe të lirë çdo viktime hetohet, kudo që të ndodhë dhe në çdo rrethanë që të ndodhë, pastaj është drejtësia që e vlerëson atë, çdo i plagosur hetohet, çdo dëm material hetohet dhe unë bëra thirrje. Thirrja ime gjeti në një hark të shkurtër kohor brenda disa orëve mandat arrestet e të gjithë zinxhirit të komandës së gardës, në një kohë kur Edi Rama deklaronte se nesër do të merrej me horrat e gardës dhe vërtet të nesërmen zonja u mor me “horrat” e gardës, që janë heronjtë e gardës, se ata mbrojtën shteti, mbrojtën dinjitetin .

Pas ekspertizës së FBI i konsideroni heronj?

Ajo ishte një mbrojtje heroike e institucioneve, në pati tejkalime të ligjeve, jam unë i pari që thirra institucionet të hetojnë nëse pati apo jo tejkalim ligji. Por një gjë është e sigurt. Institucionet e një vendi të lirë kurrë nuk pushtohen. Institucionet e një vendi të lirë janë pushtimi i kushtetutës nëse i pushton ato, ato janë të garantuara me ligjet kushtetuese të vendit. Ata mbrojtën në një rrebesh të pafund gurësh, shishe molotov, kallëp dinamiti që u hodhën drejt tyre dhe e vërteta është se mbrojtën integritetin e ndërtesës së Këshillit të Ministrave.

Të qëndrosh në ato kushte siç qëndruan ata është akt heroik, të bësh gabime ato faje ose përgjegjësi, ato nxirren të gjitha mbi bazë ligjore, por të nesërmen siç njoftoi z.Rama, zonja Ina Rama në orën 5 të mëngjesit kërkoi arrestimin e të gjithë zinxhirit të komandës. Këtu kishte dhe një person që duhej të arrestohej pa tjetër. Kush ishte ky person, oficeri përgjegjës për evakuimin e kryeministrit nga kryeministria, i cili nuk kishte qenë në fushë-betejë, i cili ka një detyrë, ka rrugën e vet për të nxjerrë kryeministrin jashtë rrezikut. Ndërkohë që, natyrisht, ai ishte projekti i tyre, se i imi ishte tjetër, ata janë të detyruar të bëjnë projekte siç bëjnë për Presidentin e Republikës, për Kryetaren e Parlamentit, për Kryeministrin siç bëjnë në të gjithë botën.

Përgjegjësi që ka për detyrë të evakuojë kryeministrin?

U lëshua urdhër arresti, i cili nuk kishte qenë me 21 janar këtu, ka qenë në zyrën e tij, maksimumi që mund të ketë qenë, ka qenë në linjën, nga ata kishin planin e tyre për të evakuuar kryeministrin dhe ai u fut në zinxhirin e atyre që duhej arrestuar pa asnjë provë. Kjo zonjë bisedon më Ministrin e Brendshëm dhe i thotë si ka mundësi kjo, se me kë do të mbrojmë nesër institucionet, sepse ky ka deklaruar se nesër do të merremi me horrat e gardës. Në atë kohë nuk u kuptua se horrat e gardës do merreshin me Ina Ramën, kjo i thotë gjëra pa kuptim, jo po të vijnë se unë nuk i arrestoj dhe po të vijnë do t’i mbaj, me një fjalë del qartë skenari, vjen dhe më thotë ministri, i them se ky është një skenar, kjo është faza B sepse dështuan dje, mendoj se do të fitojnë sot, sot do të humbasin më keq.

Dështuan gjërat kaq. Thotë se sot po shkoj tek presidenti, i them jo mos shko fare tek presidenti, sepse presidenti nuk është autor i arrestimit të tyre. Kjo këtë nuk e merr kurrë. Një prokuror pa qenë i çmenduar nuk lëshon dot një urdhër të tillë po nuk qe pjesë e këtij skenari dhe pjesë e këtij skenari prokurori nuk mund të jetë kurrë pa presidentin, shumë e thjeshtë kjo. Presidenti në një akt të tillë kur e shikon kur po shkelen normat, akti i parë e shkarkon, mbledh parlamentin, ka mekanizmat e vete. Shkon ministri i Brendshëm dhe çfarë i thotë Shkëlqesia e tij Presidenti i Republikës, kujdes ato letrat e tua. Të miat i thotë ministri, mos ki merak për letrat e mia. Vjen dhe më thotë mua se kishe pasur të drejtë. Takoj përfaqësuesit e trupit diplomatik, u them se kjo është e gjithë situata.

Ky është një organizim i këtij zotërisë dhe i them nuk kam marrë asnjë informacion nga Shërbimi Informativ Shtetëror, në një kohë kur shërbimet e huaja më kishin njoftuar dhe unë dija gjithçka. Këta zotërinj shkojnë dhe takojnë zotin Topi dhe, zoti Topi ju kërkon se kriza zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme, kjo është e vërteta dhe u nxjerr pikërisht ato teza që kishte organizuar dhe që ju dështuan. Zoti Rama do të vinte të mbante fjalim tek zyra ime, dhe natyrisht qeveria bëhej e pa qenë, dhe pastaj unë po të kisha shpëtuar prej tyre do të thirresha të bëja një marrëveshje mbi dhunën dhe forcën, ose dikush tjetër do të përfaqësonte PD-në, ishte një skenar shumë i studiuar.

Për të qenë pak i qartë. Z. Topi i ka thënë faktorit ndërkombëtar se kjo situatë zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme?

Absolutisht po, dhe faktori ndërkombëtarë ka dalë nga zyra duke thanë se ai zotëria ka të drejtë. Njëri prej tyre të paktën.

Ai njëri prej tyre a është ai që shqiptarët mendojnë se është aleati kryesor?

Shiko, kurrë nuk me ke dëgjuar mua që unë të dekonspiroj, është në natyrën time, nuk bëj publike gjëra që nuk duhen bërë.

U shprehet vazhdimisht se keni pasur kontakte me faktorin ndërkombëtarë për 21 janarin. A është dakord faktori ndërkombëtarë me analizën që i keni bërë gjatë një viti 21 janarit?

21 janari pati një fatkeqësi tjetër të dytë, hetimi. Hetohej nga ajo që duhej hetuar vetë, për herë të parë në historinë e një hetimi, institucioni i akuzës merret përsipër nga një person që duhet të hetohet, Ina Rama dhe po të kishte qoftë edhe një nonagramë moral profesional ajo kurrë nuk do të merrte përsipër hetimin e kësaj çështje, do të kërkonte emërimin e një prokurori të shkëputur prej saj dhe do të pranonte të hetohej nga e para tek e fundit vetë, por këtë s’e bënte dot sepse i dilte implikimi. Këtë se bënte dot, sepse s’e linte Edi Rama, këtë se bënte dot sepse s’e linte Bamir Topi.

Është e njohur për të gjithë shqiptarët kur ajo dekonspiroi, i tha Edi Ramës tekstin e bisedës telefonike me Hysni Burgajn, ishin lëshuar mandatet e arresteve dhe në mandate Ina Rama kishte bërë një gabim teknik dhe Hysni Burgaj, drejtori i përgjithshëm i policisë, i thotë zonjë nuk t’i ekzekutoj por t’i kthej se i ke me lapsuse, dhe Edi Rama del pas 20 minutash konferencë për shtyp, EUREKA, drejtori i policisë i tha prokurores se përgjithshme se i ke me lapsuse. Çfarë ndodhi? Ndodhi ajo që këtu u angazhuan Uashingtoni, Brukseli me të gjithë proxhektorët dhe mundësitë, me telefonatat e tyre dhe kjo zonjë në mënyrën më të paskrupullt u bë objekt sulmi publik të institucionit të saj, për amoralitetin profesional, për shitjen e partishme të dokumenteve që i bënte PS-së dhe ju keni këtu, jo një por një seri deklaratash nga më të rëndat për të, sepse nuk mbaje sekreti, prishej hetimi.

Tani unë ju jam shumë mirënjohës qeverisë amerikane, e cila bëri përpjekjet më të mëdha për të ndihmuar këtë hetim. Natyrisht, kishte të bënte me një grup njerëzish më të papërgjegjshmit, por që talleshin me veten e tyre, sepse ata çdo ditë tregonin para botës se nuk kanë vullnet për të hetuar. Pse unë jam në union me komunitetin ndërkombëtar? Sepse unë nuk kam kërkuar asgjë tjetër përveç hetimit të organizatorëve, hetimit të sulmuesve, të sponsorizuesve, të vrasjeve dhe të ngjarjeve të tjera. Nuk mund të ketë një njeri i përkushtuar ndaj ligjit, asnjë kërkesë tjetër, përveç këtyre. Këto ishin kërkesat e komunitetit ndërkombëtar, këto komuniteti ndërkombëtar i përsëriti në mënyrë të vazhdueshme. Unë kisha një mundësi.

Që ishte?

Përjashtimi i Ina Ramës nga hetimi. Unë u sulmova, unë ruaja të drejtën e reagimit në mënyrën më absolute kushtetuese së pari dhe e ndoqa këtë. Unë u rrethova, ata që më rrethuan mund të përballeshin me atë që meritonin, unë u vetëkufizova. Kryetari i opozitës më rrethoi mua duke ndenjur tek Kullat shumicën e kohës ku kishte veshë dhe sy që e qarkonin aty dhe që e dëgjonin në çdo gjë bashkë me lejtnantët e tij. Unë u rrethova,unë nuk lëviza vendit, qëndrova gjakftohtë, unë një përgjigje mund t’ju jepja dhe mund tu jepja një përgjigje të merituar. Por çfarë zgjodha? Zgjodha ruajtjen e kuadrit kushtetues ekzistues, sepse kjo zvogëlonte më shumë se gjithë të tjerat dëmin për vendin.

U shprehët se mund tu jepnit përgjigjen e merituar, cila ishte kjo përgjigje e merituar që mund tua jepnit z. Berisha?

Mjetet ligjore kushtetuese, kishte shumë mekanizma.

U shprehet se “unë kisha mundësi të përjashtoja”, me çfarë instrumenti ligjor mund ta përjashtoje nga hetimi?

Po të doja atë e përjashtoja, ajo në hetim nuk merrte pjesë, personalisht, pastaj kisha instrumente ligjor, bëja ligj në parlament. Aty kisha instrumente ligjor të jesh i sigurt për këtë, por duke i hequr totalisht besimin unë pranova që ajo të dalë çdo ditë e më shumë para shqiptarëve në dritën e diellit çdo ditë e më shumë. Erdhi ekspertiza e FBI tani ose edhe e institucioneve tona. Çfarë u bë? U bë gjithçka sipas ligjit, edhe ato ditë ndonëse veproi me një duf, vepruan të dy presidenti dhe kjo, vepruan me një duf politik të pa përmbajtur. Ne u thamë merrini në ndjekje, por jo ti arrestoni pa paraqitur asnjë fakt. Ajo ishte mënyra më e sigurt për të shkatërruar hetimin, ku i ke balistikën, bëji këto të gjitha njëherë. A është larguar njëri nga Shqipëria prej atyre, të gjithë janë këtu, të gjithë janë disponibël për hetim pa përjashtim.

Ne momentin qe kryeprokurorja ka kërkuar imunitetin e tre deputetëve socialiste, njëkohësisht, ka shpallur edhe pafajësinë e tyre duke referuar formën së kërkesës në parlament, ka bërë të qartë se është një kërkesë ose e detyruar ose duke krijuar një imazh pavarësie. Duke parë gjithashtu edhe sjelljen tuaj politike të jepet përshtypja se nuk jeni i shqetësuar për hetimin. Po tregoni kujdes të madh për tu treguar qytetarëve se Ina Rama është palë?

Jo Ina Rama. Këtu nuk kam hequr asgjë nga Bamir Topi. Kjo është ngjarja më e rëndë që nga viti 1924 e deri më sot në këtë kryeqytet, por rrethanat e 1924 me rrethanat 2011 janë të ndryshme si nata me ditën. Cili do të qe ai prokuror që do t’i thoshte vetes prokuror, i cili ka hapur me dhjetëra e dhjetëra çështje duke shpenzuar shumë të mëdha të buxhetit dhe taksapaguesve për shpifje dhe trillime të gazetarëve me të të cilët bashkëpunon për hetimin, duke hapur çështje dhe nuk hap çështje kur kryeministri i vendit lidhet në një video në një aferë që nuk kishte asnjë lidhje. Cili është ai prokuror që, pas një batërdie dhe ngjarje tragjike lëshon urdhër arresti për të gjithë zinxhirin e komandës së Gardës së Republikës, t’i japë këto për të të thënë se nuk jam fare i shqetësuar për hetimin, sepse hetimin nuk mund ta bëjnë ata të cilët do të hetohen. Jo. Një gjë të jeni të sigurt.

Pra nuk do të ketë hetim?

Nga Ina Rama?! Çfarë hetimi! Nga Ina Rama ka vetëm prishje të provave intensive, shitje të dokumenteve dhe pengesa nga më serioze të hetimit gjatë një viti.

Me këtë po u thoni familjeve të viktimave se autorët e vrasësve do të hetohen vetëm kur të kemi një kryeprokuror të ri?

Absolutisht, familjeve të viktimave do t’i garantoj se në përputhje me të gjitha kapacitetet e shtetit ligjor, gjithçka do të hetohet rreth vrasjes së njerëzve të tyre. Është familja e viktimave të Ziverit në mos gaboj, vëllai i tij tha se erdha nga Greqia se do rrëzojmë Sali Berishën, e kanë të gjitha mediat këtë. Kjo kërkon një hetim. Por këtë hetim nuk mund ta bëjnë ata të cilët ishin pjesë e këtij puçi për të rrëzuar Sali Berishën, por çfarë ka tjetër. Ata nuk mund të pengojnë ecurinë. Ne bëmë zgjedhjet e 8 majit më të mirat e bëra ndonjëherë në këtë vend, shqiptarët folën me 142 mijë vota kundër kësaj minorance dhe kjo ishte një arritje e madhe. Do të vazhdohet. Ata që vendosën dy mandatet, do të mbarojnë këtë mandat, të mandatuar të tjerë do të vijnë dhe ligji do të bëhet. Kaq është e gjithë puna.

Pra 21 janari do të hetohet me një kryeprokuror të ri?

21 janari do të hetohet në kushtet më normale, dhe është kush sinekuanon për paqen e këtij vendi që të hetohet, kaq. Nuk zgjidhet 21 janari me listën që bën Edi Rama për hetim. Cili shqiptarë mund të thotë këtu, se do të na bindë ne se Besnik Bare qenka më përgjegjës sesa deputetët e filmuar duke nxituar dhunën. Nuk ka ndonjë film për Besnik Baren duke nxituar dhunën para kryeministrisë?! Apo ai që mori makinën te Ura e Lanës, para kamerave, e mori duke shtyrë si halabak deri sa e solli këtu dhe ai ishte deputet dhe se ka thirrur askush deri më sot dhe thyen rrethimin e kryeministri. Fatmirësisht si në rrugë ashtu edhe në bunkerin ku u kyç Edi Rama që priste për të ardhur dhe mbajtur fjalimin ka pasur dhe ka me qindra dëshmitarë, ka pasur dhe ka me mijëra fotografi, ka pasur dhe ka mijëra orë filmim nga të gjitha kamerat e vendit. Është një ngjarje me e thjeshta për tu nxjerrë, ka pasur dhe ka me qindra deklarata për njerëz të paguar që do rrëzojmë kryeministrin.

Të paktën sipas ekspertizës së SHBA, që ka ndihmuar dhe është shprehur se do të ndihmojmë dhe jemi të përfshirë në këtë hetim edhe me kërkesën e institucioneve shqiptare. Tashmë duket se prej një prej flet arresteve që ka firmosur kryeprokurorja natën e 21 janarit kishte të drejtë. Bëhet fjalë për Komandantin e Gardës?

Plotësisht dakord. Është e vërtetë që u pengua ato ditë për shkak të detyrës, por pastaj s’e pengoi njëri. Erdhi një prokuror amerikan këtu. Kishte një prokuror amerikan dhe prania e tij ishte një nga rrethanat që unë pranova që Ina Rama të vazhdonte.

Në një fare mënyre e keni përjashtuar, e keni dubluar nga hetimi?

Jo përjashtuar, dubluar, pa diskutim. Pra pse nuk e lëshoi. Prokurorja mund të kishte të drejtë për komandantin e gardës dhe mund të kishte të drejtë për çdo gjë, por gjithçka duhet ta bazonte evident, mbi provat, në të cilat duhej të bazohej urdhër arresti. Kaq ishte e gjithë puna. Edhe dje prokuroria foli për vrasës, prokuroria ka një fatkeqësi, përdori gjuhën e Edi Ramës, foli për vrasës, por ata do sqarohen. Kurse prokurorja komunikoi atë që komunikoi Edi Rama. Të shtëna fatale, kjo është ajo që dimë deri tani. A kanë deklaruar me qindra here se u qëlluan me snajper, kjo ishte një pistoletë që duhet të faktohet. Prokurorja është prokurore, po të mos jete e verbër nga dufi politik dhe problemi i brendshëm i saj, ajo flet, përzgjedh gjuhën e ligjit dhe gjuha e ligjit është të shtëna fatale, pastaj a ishin të qëllimshme, a ishin me nishan, a ishin rikoshet ato do të qartësohen. Fakti është se ajo ka një evidencë që lidh plumbin e të ndierit Myrtaj me këtë revole.

Gjithsesi ato do të behën publike. Kryeprokurorja e ka ekspertizën, ju a jeni informuar se çfarë përmban kjo ekspertizë?

As që kam ndonjë interes për të. Unë jam kryeministër. Do të informohet i akuzuari, do të informohet avokati i tij, do të informohet gjykatësi, gjer këtu ky është një proces ligjor që ecën mbi bazën e shinave ligjore, por unë nuk mund dhe nuk kam as edhe një qortim për të gjithë qëndrimin për ekspertizën. Ky është një zhvillim tani që ecën në hullitë e shtetit ligjor. Cila do jetë e vërteta? Prokuroria dha pretencën dje, mori përsipër të bëjë një diçka që ishte e diktuar.

Prokuroria e ka ekspertizën dhe mund të ketë të drejtë për pretencën?

Ka hetim prokurorie, ka hetim gjyqësor. Pretenca i jepet tjetrit para gjykatësit, jo para gazetarëve.

Z.Kryeministër me 21 janar 2011, ish-komandanti i gardës ka qenë në zyrën tuaj apo jo?

Në zyrën time?! Ka qenë në zyrën time, me ka thënë nëse mos gaboj a mund të dalësh në një zyrë dhomë tjetër. I kam thënë: jam shumë mirë nuk dal, sepse gjuanin tek dritaret. Më ka kërkuar që të dal në dhomë tjetër bashkë me oficeret e mi nuk di të me ketë thënë gjë tjetër.

A keni lëvizur me 21 janar nga zyra juaj?

Asnjë moment, as nga tavolina ime, as edhe një minutë të vetme.

Në mos gabohem tavolina juaj është afër dritares z.kryeministër?

Aty kam qenë, nuk kam lëvizur, kam qenë aty. Kanë ardhur disa nga bashkëpunëtorët e mi.

Në këto 21 vite pluralizëm në Shqipëri, protesta të dhunshme ose jo ka disa herë viktima. Është hera e parë që njëri prej qitësve ka emër. Gjithsesi po i referohem nga 2 prilli. Tashmë opozita është vërsulur dhe po i mëshon idesë se komandanti i gardës ka marrë urdhër nga kryeministri dhe Ministri i Brendshëm për të hapur zjarr. A është e vërtetë kjo?

Komandanti i gardës dhe çdo gardist nuk merr urdhër në asnjë rrethanë, as nga kryeministri, as nga Ministri i Brendshëm. Pse? Garda e republikës funksionon mbi bazën e një ligji të veçantë. Ligj i cili përcakton rigorozisht qëndrimin e anëtarëve të saj, në mbrojtje të ndërtesave të institucioneve kushtetuese dhe të personaliteteve të institucioneve kushtetuese. I ka shumë të qarta. Ligji përcakton qartësisht, po u sulmua objekti, do të shtish në ajër, po u vazhdua do të shtish në këmbë, po vazhdoi do ta asgjësosh. Ligji thotë se po qëlloi kush drejt teje me objekte do të qëllosh në ajër, po vazhdoi do të qëllosh tek këmbët, po vazhdoi do ta asgjësosh, jo grada, por nuk ka vend roje ushtarake mbi tokë që nuk ka këtë rregull.

Të shkojë dikush të qëllojë me gurë një ushtarak në vend roje, ka ndodhur dhe ndodh kudo, ka ndodhur dhe para 3-4 vjetësh këtu, sepse ushtari nuk kam as shkopin, as hurin, as gurin, as nuk ikën, ushtari është i destinuar të qëndrojë në pozicionin ku ka një betim. Është i detyruar të qëndrojë ku është caktuar. Në këtë kontekst ushtarët dhe oficerët e gardës kanë qenë objekt i një agresioni të pa parë, me qindra tulla, janë të gjitha të filmuara nga kamerat, me kallëp dinamiti, janë të gjitha të filmuara nga kamerat, me shishe molotov, janë të gjitha të filmuara nga kamerat. A kanë tejkaluar apo jo ligjin le të flasë gjykata. Këtu unë nuk jam gjykatës, kam besim të plotë në sistemin e drejtësisë, do të flasë gjykata, por ata që bërtasin se ishte jashtë apo brenda gardhit.

E di se çfarë thonë ata, po të vrava nga jashtë gardhit, do të më thuash faleminderit, nuk ka asnjë lloj lidhje kjo. Po gjuajte drejt ushtarit, ushtari, gardisti, oficeri ka ligjin mbi bazën e të cilit ka vepruar dhe do të veproje në të gjitha kohërat, mos e gjuaj, nuk është plagosur as edhe një i vetëm nga armët e policisë, të paktën nuk kanë mundur të faktojnë, së dyti të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve partnere dhe mike, në unanimitet kanë theksuar se policia u godit e para. Pra policia nuk provokoi siç tha zoti Rama, ishte axhenda e parapërgatitur. Imagjino ti ata djem të rinj, një grup banditësh, kriminelesh vërsulen sikur të ishin jo njerëz, me qindra e mijëra gur, kallëp dinamiti e shishe molotov, kjo ishte e gjithë situata dhe ky ishte qëndrimi i gardës.

Vazhdon aludimi i mediave pranë opozitës. Pretendohet se Komandanti i gardës është urdhëruar dhe i është bërë presion nga një prej truprojave tuaj për të hapur zjarr?

Sa për dijeni truprojat e mia janë vartës së Komandantit të Gardës. Duhet ta dinë qytetarët se Komandanti i Gardës i ka në varësi të gjithanshme truprojat e mia. Nga truprojat e mia nuk është asnjëri gjeneral. Komandanti i Gardës është Gjeneral, kështu që nuk merr urdhra nga asnjë person i vetëm, nuk mund të marrë urdhër nga asnjë person për të përdoruar armën e zjarrit jashtë kushteve ligjore.

Një tjetër çështje që ka të bëjë me akuzat që bëhen ndaj jo vetëm stafit të gardës por edhe stafit të kryeministrisë është zhdukja e provave e serverit në kryeministri. Tashmë pretendohet nga prokuroria s kjo është e vërtetuar edhe nga ekspertiza e FBI. Cila është e vërteta z.Kryeministër?

Nuk dua të futem në teknikalitete, por meqenëse më bërë këtë pyetje, unë vetëm kaq dua të të them. Ka një raport të dërguar nga kryeministri lidhur me këtë çështje , i cili për ata që dinë ta lexojnë ka të gjithë te vërtetën. Ata që duan ta përdorin politikisht ai raport aty është dhe ai i nxjerr të gjitha. Së pari, këtu gjithçka është mbi bazën e një rregulli të caktuar, asnjë punonjës i kryeministrisë nuk është përgjegjës për sistemin e kamerave jashtë ndërtese. Punonjësi i kryeministrisë, është përgjegjës për kompjuterat dhe të gjithë sistemin kompjuterit dhe janë dy IT që përgjigjen për këtë, sidoqoftë kjo është një çështjen hetimi. Por se cili ka qenë raporti i dërguar nga kryeministria kjo është shumë e thjeshtë dhe është publike. Nuk është ai konstatim i FBI, ai konstatim është i raportit të dërguar me firmën e Sekretarit të Përgjithshëm, prokurorisë, para se ata të marrin serverin.

Pra ka raportuar stafi i kryeministrisë se është prekur server?

Stafi i kryeministrisë nuk e ka kompetencën e serverit, por është marrë për tu kontrolluar, sepse këtu ka disa sisteme kamerash të vjetra, është marrë kompania, e cila ka bërë të gjithë konstatimin dhe ky konstatim i kompanisë, i është dërguar prokurorisë me vulë dhe me firmë nga kryeministria para se ata të vijnë dhe të marrin serverin. Unë kam besim të plotë, në ekspertizën e kompanisë që kishte vendosur sistemi, sikundër ajo që më bën pak përshtypje, rikuperimi, në dijeni time, unë nuk jam ekspert, nga softet gjithçka rikuperohet, megjithëse këtë nuk e marr për të vërtetë absolute, sepse nuk e di.

Kalojmë tek akuza e fundit për 21 janarit. Pretendohet se një shofer pranë jush i ka dërguar para dhe ka kërkuar që ju të vizitoni familjen e njërës prej viktimave?

Së pari, ajo që thoni ju, ai zotëri s’ka qenë kurrë shofer pranë mejë. Kjo në mënyrë absolute. Unë kam një organikë të shpallur publikisht dhe të njohur dhe ky zotëri s’ka qenë qoftë edhe një ditë të vetme shofer pranë meje. Së dyti, jo asaj familje por kurrë as më ka shkuar ndërmend të dërgoj dhe të bej qoftë edhe një gjest të vetëm më pak edhe më shumë sesa ngushëllimet publike. Unë këtë kam gjykuar dhe kam bërë zgjedhjen time. Zgjedhje qartësisht e prerë. Për të vdekurit ngushëllime dhe vetëm ngushëllime, më tutje as edhe një akt të vetëm. Po të doja mund të ndërmerrja disa. Kam gjykuar, detyra ime si kryeministër është të shpreh ngushëllimet publike.

Çdo gjë tjetër është trillim manipulim fatkeq me fatkeqësinë, dhe ju e patë sesi në një skenar nga më mjeranët më fatkeqët, manipulohej për të çelur fushatën elektorale me lotët e atyre njerëzve që kanë të drejtë për dhimbjen, nga një njeri i cili i solli njerëzit mish për top duke besuar se do të mund të ulej në atë karrige, pasi është krejtësisht i pa shpresë për të fituar në mënyrë legjitime. Një antikulturë e së shkuarës u përplase me kulturën demokratike, me institucionet kushtetuese. Sot jemi 22 vjet nga 90, sot ka një gjeneratë me zero me asnjë ditë jetë në diktaturën komuniste. Sot vendi është krejt tjetër, por këtij vendi i ka mbetur një relike, një grusht njerëzish neo-bllokmenësh të cilët adaptuan krejtësisht doktrinën dhe filozofinë e etërve të tyre. PS e ka udhëhequr për një kohë të gjatë Fatos Nano. Fatos Nano rridhte nga një familje, do të me fali por dogmatike, porsa i përket doktrinës, por vetë ama, e vërteta është se ai ishte problemi i saj. Ishte problemi i saj.

Gjatë gjithë periudhës së tij në pushtet me të gjitha plus minuset e tij askush nuk mund të thotë se u përpoq të rikthente klishetë e së shkuarës. Kurse ky zotëri, ka vetëm një linjë dhe një fill, të vendosë në kupolë, fëmijët e ish-byrosë politike. Deri këtu prapë do të ishte e gabuar, që të merrje bijtë përgjegjësit për etërit, por kur bijtë replikojnë etërit, kur bijtë montojnë në stilin më stalinist video për të implikuar kryeministrin dhe të tjetër trokasin e brohorasin dhe të tjerët i thonë shyqyr që e gjetën dhe ndërmarrin një veprim të tillë, atëherë ata kanë vetëm një vëprim të shkuar. Kjo kulturë mori një përgjigje kushtetuese. Kjo kulturë mori një përgjigje ligjore në maj të këtij viti dhe kjo antikulturë nuk ka të ardhme.