Bëmë mirë apo keq që e lamë fenë e të parëve?

0
48

MUSTAFA NANO, 11 Shtator 2014

“Pax Albanica”, mbi raportin e shqiptarëve me fenë

Të krishterët e ateistët e konsiderojnë një fatkeqësi, myslimanët si një profilaksi kundër asimilimit.

Bëmë mirë apo keq që lamë fenë e të parëve? Është një pyetje që ende nuk i është dhënë përgjigje, edhe pse diskutohet prej dekadash në qarqet intelektuale. Kjo është një pyetje që ngre edhe analisti Mustafa Nano në librin e tij më të fundit “Pax Albanica”. Pasi i trazoi jo pak ujërat me librin e tij “Unë jam gegë”, Nano vjen pranë lexuesit me një tjetër libër, edhe më impenjativ, mbi raportin e shqiptarëve me fenë. Një botim i shtëpisë botuese “Saras”, ku ai prek disa nga çështjet më të nxehta, që lidhen me këtë raport. Një nga ata me më shumë dilema është konvertimi i shqiptarëve në islam gjatë periudhës së sundimit të Perandorisë Osmane. Nano tenton të japë arsyet pse shqiptarët u konvertuan dhe hoqën dorë nga feja e tyre e mëparshme, duke u kthyer në vendin më të islamizuar në Ballkan, krahas Bosnjës. Por, nëse arsyet e ndërrimit të fesë mund të quhen të zbardhura, ende varet një pikëpyetje: Bëmë mirë a keq që e lamë fenë e të parëve? Kjo pyetje i ndan më dysh shqiptarët, madje edhe vetë ata të fesë myslimane.

Bëmë mirë a keq që e lamë fenë e të parëve?

Pas përmbysjes së komunizmit, në morinë e diskutimeve që janë rihapur në lëmë të fesë, është dhe ai që bëhet në përgjigje të pyetjes: Shqiptarët e kanë ndërruar fenë për të mirën apo për të keqen e tyre? Në këtë diskutim, të krishterët në veçanti e laikët në përgjithësi janë të mendimit se konvertimi në fenë islame ka përbërë një fatkeqësi të madhe ngaqë, në mos tjetër, na ka ndarë nga Europa, ndërsa myslimanët vetë e kanë parë këtë gjë si një profilaksi historike që na ka mbrojtur prej kombeve fqinje, grekëve në Jug e sllavëve në Veri që, përndryshe, do të na kishin asimiluar e zhbërë. Siç shihet, palët mbrojnë pikëpamje krejt të kundërta. E këtu duhet thënë se elita myslimane ka një version të ndryshëm mbi historinë e Shqipërisë në tërësi. Myslimanët flasin për dijetarë të tyre, për atdhetarë të tyre, për shkrimtarë të tyre, dhe bëjnë vlerësime alternative të ngjarjeve e personazheve të historisë sonë, por pjesa tjetër e shoqërisë, elita kulturore e opinioni publik “zyrtar”, që shkruajnë e lexojnë versionet laike, kombëtare, kombëtariste etj., të historisë, ose nuk kanë pasur fare ide mbi çfarë myslimanët mendojnë, ose nuk ua kanë vënë shumë veshin.

Ashtu siç nuk ua kanë vënë veshin as pretendimeve të tyre mbi të mirat që na kanë ardhur prej konvertimit masiv në fenë islame. Syrja Vlora, i ati i Eqremit, shkruan në “Kujtimet” e veta, se “sikur shqiptarët të ishin ndarë nga Perandoria Osmane qysh para një shekulli, sikurse bënë të tjerët, sot përgjithësisht nuk do të kishin shpëtuar pa u përzier me botën greke e sllave”. Këtë e ka shkruar në vitet 1930, në moshë të thyer, kur mendjen e kish të çliruar nga interesat e ambicia, e kur ish bërë kohë që shqiptarët jetonin më vete (“E ka shkrue me akull të kresë”, do thosh Gjergj Fishta në një rast të tillë). Dhe si bej që është, kërraba nuk mund të mos i tërheqë edhe nga vetja, më saktë nga soji i bejlerëve: “Shqipëria, në sajë të fuqisë së bejlerëve e të pashallarëve, shpëtoi nga humbja e kombësisë, dhe më e drejtë akoma, shpëtoi nga asimilimi nën ndikimin e kishave greke e sllave”.

Në vitin 1902, në gazetën “Kalendari Kombiar”, autori me emrin “Një korçar i krishterë”, shkruante se nuk ishte e vërtetë që myslimanizmi u kish sjellë vetëm dëm shqiptarëve. Sipas tij, myslimanizmi na ka vlejtur, ngaqë së pari, duke na ndarë me popullsitë fqinje, na ka ndihmuar të ruajmë traditat e zakonet tona, së dyti ka luajtur një rol vendimtar në dallimin shqiptar / grek apo shqiptar / sllav, së treti ka favorizuar shtrirjen e hapësirës shqiptare, e së katërti e ka mbajtur Epirin e Veriut (siç e quanin grekët) pjesë të pandarë të Shqipërisë. Ky “korçar i krishterë”, po të ishte gjallë sot, kish për të qenë një spin doctor i shkëlqyer, gjë që duket nga mjeshtëria e tij për ta qepur e kopsitur mirë një tezë të diskutueshme.

Në thelb, janë tezat e këtij “korçari të krishterë” që janë marrë e përsëritur më pas, o një nga një, o të tëra tok, nga të gjithë ata që kanë besuar se kombi shqiptar veç mirë ka pasur nga konvertimi masiv në fenë islame. Madje, argumenti i dytë që ai jep është parapëlqyer edhe nga historiografia jonë zyrtare. Selim Islami, autori i studimit me titull “Shqipëria përballë pushtimit osman”, që është përfshirë në “Historinë e popullit shqiptar” të Akademisë së Shkencave, shkruan: “Konvertimi në islamizëm i shqiptarëve shkëputi shumë prej tyre nga ndikimi i kishave ortodokse sllave e greke (që liturgjinë e mbanin në gjuhën sllave e greke), duke ndërprerë kështu vrullin e procesit shekullor të sllavizimit e të greqizimit të shqiptarëve. Gjithashtu, islamizimi u dha mundësi shqiptarëve që të integroheshin në jetën e Perandorisë Osmane dhe të ruanin, deri në njëfarë mase, pozitat e tyre ekonomike e politike”.

Ata që e shohin ndryshe këtë punë janë më të shumtë, sigurisht, e mes tyre ka myslimanë të të gjitha kategorive. Në librin “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane”, Nuray Bozbora flet për një letër që disa shqiptarë të Maqedonisë, që të gjithë myslimanë, i dërgojnë konsullit anglez në Shkup, në vitin 1903. Jep dhe emrat e shqiptarëve: Agap Pasha, Hysen Pasha, Myrteza Pasha, Sulejman Pasha, Ali Draga pashazade, Nexhip Beu, Jusuf Aga, Zenel Beu etj. Dhe në këtë letër, këta të fundit, mes të tjerash, shkruajnë se “nga gabimet më të mëdha të shqiptarëve ka qenë kalimi i tyre masiv në fenë islame dhe si rezultat i presionit turk kanë mbetur injorantë”.

Nuk është çudi që këtë pohim ta kenë bërë edhe për një interes a taktikë të çastit, por kjo ish, ndërkohë, një ide që pëshpëritej mes shqiptarëve, sidomos atyre të elitës kulturore e politike, në fillim të shekullit XX. Faik Konica, siç e thashë më sipër, ishte ndër të parët shqiptarë të traditës myslimane që i ka mëshuar kësaj teze, herë në mënyrë të troçtë e herë në mënyrë të tërthortë. Pas tij, edhe në shembullin e tij, kanë qenë të shumtë eksponentët e kulturës shqiptare gjatë shekullit XX, në kohë të ndryshme, që nuk e kanë fshehur se këtë punë e kanë parë po njësoj. Për studiuesin e ditëve të sotme, Piro Misha, që është marrë shumë me këtë temë, “kthimi i pjesës më të madhe të shqiptarëve në islamizëm … është një ndër faktorët (ndonëse, pa dyshim, jo i vetmi) që shpjegojnë vonesën e krijimit të një ndërgjegjeje kombëtare krahasuar me popujt fqinjë”.