Nga: KOZETA ZAVALANI
TIRANE – Intervista e vitit 2001, kur aktori i famshëm kishte shkelur në Shqipëri pas 31 vitesh, së bashku me bashkëshorten Branka, si i ftuar në spektaklin e Vera Grabockës “Dua më shumë Shqipërinë”…
Pas 31 vjetësh është kthyer në Shqipëri aktori i madh shqiptar Bekim Fehmiu, shumë i njohur në skenën dhe ekranet ndërkombëtare, partner i aktoreve të shquara si Ava Gardner, Klaudia Kardinale apo Irene Papas. I ftuar nga zonja Vera Grabocka për të nderuar spektaklin “Dua më shumë Shqipërinë”, ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij zonja Branka Petriç – Fehmiu edhe ajo aktore, që shkelte për herën e parë tokën, aq shumë të dëshiruar të burrit dhe djemve të saj.
Mbas 56 vjet karrierë artistike të suksesshme, ai falënderon publikun shqiptar për emocionet e këndshme që i kanë sjellë artistit, që për vite të tëra u ka shkaktuar emocione të fuqishme të tjerëve, fatkeqësisht në gjuhë të huaj dhe asnjëherë në gjuhën shqipe. Dhe për këtë, ai guxon të qortojë vetveten, duke folur gjuhën e nënës së tij, që ai e vlerëson shumë. Nga skena e spektaklit të Pallatit të Kongreseve ai ka vlerësuar shumë femrën shqiptare, të personifikuar tek zonja Vera Grabocka duke e përcaktuar atë si “një fuqi të madhe kulturore, botërore”. Kjo më shqyti për ta takuar menjëherë pas koncertit, së bashku me të shoqen, që ishte e mrekulluar nga mikpritja shqiptare.
Zoti Bekim, si ndjeheni në Shqipëri?
Unë ju them se, ku ka shkelur këmba ime, ka qenë Shqipëri. “S’ka gjë më të fuqishme se dashuria” ka thënë Bethoveni i madh. Ndaj, edhe unë me dashurinë për Shqipërinë në zemër e në shpirt kam qenë në çdo hap e në çdo vend ku kam shkuar. Kudo kam dashur të lë gjurmët e mia si shqiptar, që edhe kur të mos jem në jetë të ketë mbetur vepra ime. Dhe për këtë, së pari duhet të falënderoj nënën time.
Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?
Me sa duket fati im ka qenë që çdo 30-31 vjet të jem në Shqipëri. Për herë të parë kam qenë në vitin 1939 së bashku me familjen time, dhe pas 10 vjetëve më 1949 jam kthyer në shtëpinë time në Kosovë. Në vitin 1972 kam qenë i ftuar nga Pirro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti si mysafir në Kinostudion “Shqipëria e re”. Falënderoj gjithashtu edhe Ramadan Sokolin, që më ka falur një kasetë magnetofoni me incizime të interpretimeve të Aleksandër Moisiut dhe të librit “16 shekuj”, që fillon me kapitullin “Njihe vetveten”.
Dhe unë e njoha vetveten nëpër botë duke filluar nga shekulli III me inxhinierin e parë në historinë e Evropës, fotografia e të cilit gjendet në monedhën 20 shilinga austriake, deri tek mjeshtrit që kanë ngritur Pjacën San Marko në Venedik apo Taxhmahallë. Por, çfarë kemi bërë për veten tonë këtu në Shqipëri? Mos e keni dëgjuar Bekim Fehmiun në ndonjë nga filmat e tij të flasë shqip? Jo. Unë tani po përsëris në shqip poezinë e flamurit; “O flamur gjak, o flamur shkabë
O vend, o vatër, o nënë e babë. Lagur me lot, djegur me flakë Flamur i madh për vegjëli”.
Sa e kini ndjerë peshën e faktit që keni interpretuar gjithmonë në gjuhë të huaj, kur në dejet tuaja rrjedh gjak shqiptar?
Pikë së pari Bekim Fehmiu është shqiptar dhe ai, dashje pa dashje këtë emër e merr me vete, kudo. E kam pas një babë të mençur që më ka dhënë dy këshilla; E para: “Nuk ekzistojnë popuj të mirë e të këqij, religjione të mira e të këqija, por ekzistojnë vetëm njerëz të mirë e të këqij”. Dhe e dyta: “Në qoftë se nuk e do popullin tënd nga i cili rrjedh, me të gjitha të metat, marrëzirat apo të mirat që ai ka, nuk mundesh me dashtë askënd.
Po, si ia ka mbërritur Bekim Fehmiu të fitojë këtë famë e sukses në kinematografinë e huaj?
Nuk ka qenë aspak e lehtë. Ju duhet ta dini se jam i pari shtetas nga të gjitha shtetet lindore, komuniste, që nuk kam pranuar ta ndërroj emrin tim shqiptar. Kam qenë në Romë për xhirimet e filmit “Aventurierët”, pas pesë javësh xhirimi më thërrasin dhe më urdhërojnë të ndërroj emrin. “Jo, – u them prerë, – ky është emri im dhe unë vetëm me këtë emër do të punoj, në qoftë se nuk pranoni ju, unë e prish kontratën e filmit me ju…” Atëherë pata ndërhyrje e presione nga më të ndryshmet, pasi u shkaktoja shumë dëme financiare po të largohesha nga xhirimi, sepse ishim në mes të filmit dhe ai duhet të përfundonte sa më parë. Kështu, ata u detyruan të më imponohen me emrin tim shqiptar.
Çfarë do të veçonit nga karakteristikat e shqiptarit, cilat janë ato që ju i vlerësoni më shumë?
Krenarinë, vendosmërinë dhe shpirtin e paepur. Po ju tregoj një shembull nga jeta ime artistike. Kam qenë me xhirime në Itali dhe isha vendosur në “Grand Hotel” në Romë. Aty ishte edhe i madhi Çarli Blludon, që shëtiste çdo natë me yjet e kinematografisë. I kishte bërë përshtypje mungesa ime dhe më kishte kërkuar, por unë atëherë në kohën e lirë studioja gjuhën angleze dhe nuk kisha kohë, megjithatë, për këmbënguljen e tij i lë takim në orën 16:30. Jam shumë korrekt në orar dhe shkova pak minuta para orarit, dhe e prita në holl. Kaluan 10, 30 minuta, kaloi një orë, dy orë dhe unë më në fund nuk durova.
I shkrova një letër ku i thosha se, koha ime e lirë kishte kaluar dhe unë nuk kisha më tepër se dy orë kohë për të. Të nesërmen ai më kërkon të falur dhe më lutet për ta pritur në një tjetër ditë, por unë, siç iu thashë, nuk kisha më kohë e iu përgjigja: “Unë ju respektoj, por ajo ishte dita ime e vetme e lirë”. Doja që gjithkush të respektonte vendimet për lirinë time, për jetën time. Kështu që u desh të kalonin shumë muaj deri në Krishtlindjet, kur unë, së bashku me gruan time Branka isha në Bogota, dhe zoti Çarli organizoi një pritje madhështore për ne, ku na mbuluan me peshqeshe. Dhe gjithçka ia dedikoj krenarisë sime dhe punës së palodhur e cilësore, që u ka imponuar të gjithëve respekt.
(GazetaShqiptare/BalkanWeb)