Andrea Stefani
Shqiptarët do t’i ndjenin shumë më pak pasojat e krizës ekonomike sikur të mos kishin pasur qeverisje kaq të këqija dhe të korruptuara. Keqqeverisja dhe korrupsioni po kushtojnë prej vitesh miliarda të humbura kot, duke e dënuar Shqipërinë që edhe dy dekada pas rënies së komunizmit të mbetet vendi më i varfër i Europës. Janë studimet e specialistëve të ekonomisë dhe kostot e skandaleve korruptive që provojnë se përgjithësisht qeveritë shqiptare në vend, që të zbatojnë politika ekonomike që begatojnë shtetin dhe shtetasit, bëjnë sikur qeverisin. Të votuara nga masa fanatikësh dritëshkurtër, qeveritë e tranzicionit nuk kanë arritur të shfrytëzojnë në dobi të mirëqenies publike gjithë ato potenciale prodhimi që afron vendi. Prandaj në vend të prodhimit bujqësor e industrial, që do të begatonte masën e shqiptarëve, lulëzon importi i prodhimeve të huaja që pasuron një pakicë monopoliste tregtarësh dhe qeveritarësh që qëndrojnë pas tyre, prandaj bilancet e shtetit po përmbyten gjithnjë e më frikshëm nga borxhet e deficitet, ndërsa inflacioni ka kapur për gryke lekun shqiptar dhe pagat mjerane të shumicës së konsumatorëve.
* * *
Nëse vërtet në krye të shtetit do të kish ardhur ndonjë qeveri që do të synonte ta begatonte Shqipërinë si Europa, ambicia e saj e parë do të ishte rritja dyshifrore e Prodhimit të Brendshëm. Një studim i publikuar në vitin 2005 nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, tregon se me një shtesë të prodhimit vjetor prej 8 për qind, niveli i prodhimit për frymë të vendeve të Europës mund të arrihej nga Shqipëria në vitin 2039, ndërsa me një rritje 10 për qind, shqiptarët mund të kapnin nivelin ekonomik të Europës (që supozojmë se do të qëndronte në vend) vetëm në vitin 2032. Pra, sipas atij studimi, Shqipëria rezultonte 30 vjet prapa Europës në pikëpamje të prodhimit për frymë. Dhe mund t’u përgjigjesh si të duash pyetësorëve të kandidaturës për në BE, por do të ishte iluzive se Shqipëria do të mund ta arrinte integrimin e ëndërruar, me këtë performancë të dobët të rritjes ekonomike që vazhdon të manifestojë. Shqipëria është shumë prapa ekonomikisht, prandaj nëse Europa ecën, Shqipëria duhet të vrapojë. Ndryshe, si në paradoksin e Zenonit me Akilin dhe breshkën, ajo nuk do të mund ta arrijë kurrë Europën.
* * *
Por a i ka mundësitë ekonomia shqiptare të rritet në mënyrë dyshifrore? Janë specialistët e fushës që i kanë dhënë një përgjigje pohuese kësaj pyetjeje. Një studim i publikuar nga Banka e Shqipërisë që në nëntor të vitit 2007 tregon se prej vitesh në Shqipëri ekziston një hendek i madh mes produktit potencial dhe atij real. Kështu, specialistëve ju ka rezultuar se rritja potenciale vjetore e Prodhimit të Brendshëm është luhatur nga 6 për qind në vitin 1998, në 12.6 për qind në vitin 2003. Një matje e potencialit të rritjes së prodhimit me një mënyrë tjetër, ka treguar se ai ka variuar nga 4 për qind në vitin 2002, në 13 për qind në vitin 2001. Po t’i krahasosh këto të dhëna me statistikat e rritjes të prodhimit vjetor në vite, do konstatosh se (të paktën për këto 10 vjetët e fundit), qeveritë kanë arritur të rrisin prodhimin vjetor me dy shifra vetëm në vitin 1999. Por është dhe më alarmuese kur shikon se qeveritë e “ndryshimit” të demokratëve me Berishën në krye, nuk po arrijnë dot të kapin as rekordet më të ulëta edhe të ish-qeverive socialiste. Shifra e rritjes së PPB nën qeverisjet e demokratëve janë vërtitur poshtë 7 përqindëshit. Atëherë për çfarë “ndryshimi” në cilësi qeverisjeje mund të flasim sa kohë që qeveria e re që zëvendëson të vjetrën nuk është në gjendje të manifestojë ritme më të larta të prodhimit?
Pak kohë më parë, të gjithë panë Kryeministrin Berisha që u betua publikisht se Shqipëria do të kishte një rritje dyshifrore, se nuk do të prekej nga kriza ekonomike! Madje ai vuri “bast” me FMN-në për një gjë të tillë. Dhe s’ka shqiptar që e do xhepin e vet, që të mos uronte fitoren e bastit nga Berisha. Por sikundër dje, qeveritarët komunistë, edhe Berisha sot, i ka vënë telat të buria e makinës së ekonomisë, te propaganda dhe jo te motori i saj. Prandaj dhe makina nuk ecën, por ka ngecur keq, përkundër premtimeve të bëra nga Kryeministri, në llucën e krizës. Rritja galoponte ekonomike dyshifrore nuk kërkon llafe, por punësim, përmirësime teknologjike në stokun e kapitalit, përdorimin e tij, si dhe në shumë drejtime të tjera. Dhe mbi të gjitha jo në shpenzimin e energjive për kapjen e shtetit, sikundër po bën Kryeministri, por në vënien në punë të makinës së shtetit, duke përdorur si karburant lirinë.
* * *
Element integral i keqqeverisjeve autoritare është edhe korrupsioni që nxitet nga presionet mbi drejtësinë, pengimi ose kapja e saj. Ky korrupsion i pandëshkuar i kushton buxhetit publik qindra milionë euro, që mund të ishin sot në dispozicion të lehtësimit të pasojave të krizës. Por kriza nuk ka si të mos rëndohet, kur me gjithë paralajmërimet e FMN-së, opozitës politike, medias për shpenzime më të matura, qeveria nga 500 milionë euro për rrugën Durrës-Kukës të deklaruara publikisht nga ministri Olldashi shpenzon, ende s’dihet sepse, rreth 1 miliard e kusur euro. Deficiti buxhetor nuk mund të mos rëndojë borxhin publik, duke e përthyer më pas edhe në inflacion që gërryen rrogat dhe pensionet e mjera të shumicës së shqiptarëve, kur qeveria (përsëri s’dihet sepse) vendosi ta paguajë korruptivisht kompaninë e huaj që prodhon pasaportat biometrike me rreth 200 milionë euro më shumë, pa përmendur dhjetëra afera të tjera korruptive me privatizimet që kanë kushtuar edhe më shumë miliona në buxhet.
Gjendja e qytetarëve nuk mund të mos përkeqësohet kur Kryeministri, me voluntarizmin që e karakterizon, tenton me cinizëm të kompensojë qindra milionët e shpenzuar aventurisht, me eksporte të sforcuara të energjisë, duke detyruar konservimin e ujërave në kaskadën e Drinit në dhunim të rregulloreve teknike me pasojë përmbytjen e pasurisë, bagëtive dhe të mbjellave të mijëra familjeve që s’kanë mundur të marrin dëmshpërblimin që ju takon edhe sot e kësaj dite. Edhe pse jua premtoi qeveria, që disa prej tyre thanë se “s’ka faj”, sepse e kanë votuar me shpresë se do t’i nxirrte nga varfëria. E kanë votuar se ishin të varfër. Kështu, Shqipëria mbetet në rrethin vicioz të keqqeverisjes dhe korrupsionit që prodhon varfëri dhe të varfërisë që prodhon keqqeverisje dhe korrupsion. Si dikur nën komunizëm, Shqipëria ndodhet përsëri në rrethim. Pa çarjen e këtij rrethimi, vajtja në Europë është një iluzion.