Bëja inventarin atdheut tënd, or kungull!

0
90

Nga Bledi Mane, 31 Gusht 2012

1./Bab’i Kolit, bab’i Xenit

Plotësisht tashmë më mbushet mendja se qeverisjen e herës së dytë nuk e more seriozisht. Ndryshe nga idealizmi rural dhe mediokriteti violent i mungesës së të qeverisurit 20 vjet më pare, tashmë pa pyetur për standarte dhe norma bazike, ke shpartalluar filozofitë e Makialvelit, Rusosë, Hobsit, Xhon Lok-ut, ndërsa me kushtetutën e Sabriut dhe të Benit pastrohesh sa herë të zë diareja e trurit.

Nëse vërtetë po të të dhimbsej ky vend dhe buza e shpirti të të ishin plasur 8 vjet në opozitë, atë shtator të 2005-s kur vure bythën mbi karrigen e Fatos Nanos, duhej të mendoheshe mirë. Ta mbaje me zor aty në zyrë kryeministrin paraardhës tëndin e të dy së bashku të përcillnit me përgjegjësi historike nga njeri pushtet në tjetrin asetet, burimet, resurset, minierat, rrugët, qiellin, faunën, florën, pra gjithçka kishte asaj kohe atdheu në pronësi.

Si burrë i pjekur në moshë dhe zot i një atdheu të gjymtuar nga e kaluara dhe e tashmja, duhet të mbaje shënimet e domosdoshme nëpër qitape apo të rregjistroje e dixhitalizoje çdo pasuri të Shqipërisë.

Ti kërkoje llogari e ti bërtisje Nanos, duke i thënë se në ’97-n kur të hoqën zvarrë nga pushteti, e le vendin me mijëra hektarë pyje e kullota dhe me plazhe ku deti njomte rërën e bregut e jo themelet e betonta. T’u kërkoje socialistëve të parë bilancet e aksidenteve rrugore, vrasjeve dhe humbjet e jetëve nëpër spitale nga neglizhenca dhe korrupsioni. Hesap ti kërkoje për kriminalitetin, burgosjet, gjykatat sharlatane, dënimet qesharake, dhunën mbi njerzit e mediumeve, trafiqet(edhe të miat), diskriminimet raciste, arsimin, jetën mizerje të qytetarëve (votuesve)…

Duke i bërë hesapet si tregëtar i ndershëm dhe punëtor, e kishe më të lehtë për të krahasuar Shqipërinë që gjete më 2005-n dhe Shqipërinë që do ta dorëzosh mot pas presioneve.

Ti nuk e more seriozisht qeverisjen për herë të dytë, ndaj nuk ta mban sumatriçja ta bësh një inventar, sikur edhe sipërfqësor. Shtatë vjet si kryeministër të janë rritur me 70% aksidentet automobilistike nëpër rrugët e tua të papërfunduara. Kriminaliteti i 10 muajve të fundit konkurron denjësisht vetëm me 10 muajt e parë të vitit 1997, vit ky që ti e ke shumë për zemër.

Shtresëzimi i brishtë social i shoqërisë deri më 2005-n mori rrokopatje dhe klasa e mesme e shqiptarëve u zhduk pa lenë gjurmë. Diferencat mes borgjezisë servile të pushteteve dhe klasës tashmë të rrënuar të mesme po thellohet frikshëm dhe modeli kazikistanez i pasurimit pa punë e pa merita thjesht do të çojnë në tensione anarkie.

Po ke kurajo malësori, mbyllu i vetëm në zyrë dhe numëro sa lindje e vdekje kanë ndodhur këto shtatë vitet e fundit. Sa zjarre kanë bërë kërdinë, sa minatorë kanë vdekur guvave të mbijetesës, sa fiton në ditë Sokol Fatos Nano, sa fiton Shkëlzeni yt dhe bëj krahasime me financat e një profesionisti të ri shqiptar që punon për koorporatat e këtushme apo një biznesmeneje punëtore që rropatet të jetë korrekte me veten dhe me tatimet e Ritvan Bodes. Numëro sa vota i vodhe Nanos dhe Metës në 1996-n, sa të vodhi Meta me Nanon në 2001-shin dhe krahaso pak këto manipulimet e vjedhjet elektorale 2009-2011 me zgjedhjet e Burundit, Afganistanit dhe Xhibutit.

Krahaso thjesht fare si i le spitalet në 1991 kur zotrote ishe mjek, si i le spitalet në 1997-n kur zotrote ishe pacient i pushtetit, si i gjete spitalet kur u shërove disi në 2005-n dhe si i ke katandisur tashmë me ministrat e Ilirit të Spartak Brahos?

Bëje! E bën dot?

Jo mor, ti nuk ke shans.

Ti ke frikë nga inventaret. Të dridhen leqet e kërcinjve të t’u të fishkur. Nuk thyen dot rekorde në bërje inventaresh, sepse çdo sekondë ky vend gërmohet së jashtmi e së brendshmi, deri sa të mbërrish pranë palcës së kockave. Ty nuk të interesonte t’i bëje invetarin paraardhësit e t’ia lije pasardhësit e porsi burrë krenar e babaxhan ti thuash:

-Po ta le si djalë trim, të fortë, me oreks, të shëndetshëm po ta le atdheun. Mos guxo të ma vjedhësh e sëmurësh, sepse do të jem gati në çdo kohë e moshë të të bëj opozitarin e çmendur.

Ti je egoist i sëmurë plako. Ti vuan pse tashmë u plake e u kërruse, vuan pse nuk jeton dot përjetësisht. Ngaqë po ngordh vetë, kërkon të ngordhë dhe atdheu. Ti je si pirromanët e këtij behari të çmendur, që duke djegur 3 shkurre e 2 pemë, mendojnë se ia morën shpirtin pyllit. Pylli është vetë jeta, jeta është vetë Zoti. A nuk është edhe Shqipëria si vetë pylli, që sa herë e djegin ngadhënjehet si vetë pylli në fundmars?

2./Te vendi i krimit

Nuk kam pse e fsheh. Thjesht po më pëlqejnë.

Performancat mediatike-politike të Aleancës Kuqezi i kam studiuar me kujdes dhe si specialist i medias dhe komunikimit, arrij në konkluzionin se janë vërtetë imperative e të nevojshme!

Më kujtojnë disi ditët e lavdishme të protestave të organizatës joqeveritare “Mjaft”, por pavarësisht se me më pak ironi në përmbajtje, këto atakimet e AK-së po godasin në shenjë. Rrethimi i pallatit të Lul Bashës në Vlorë, protestat pranë vendit ku Berisha kishte premtuar se do të ngrinte xhami qysh më 1993 dhe ajo te stacioni hekurudhor banglandeshas i Tiranës, kanë çliruar atë lloj impakt të cilin partia mëmë e opozitës duket se e ka minimizuar vetëm me trimin e vetëm në luftë, Erion Braçe.

Nuk ka rëndësi tashmë as stina, as muaji, as temperatura. Vendi me hir apo pa hir ka hyrë në oborrin e fushatës zgjedhore dhe ndryshe nga viti 2009, kur edhe ndonjë vjedhje vote tolerohej e shkëmbehej me ndonjë pazar afatshkurtër, tashmë nuk ka kohë për dremitje socialistësh.

Elektoratit nuk i interesojnë ethet e listave paraprake për parlamentarë apo kalkulimet e kodeve bajate zghedhore. I mbarsur me varfërinë dhe humbjen e dinjitetit personal & kolektiv çdo sekondë, ky elektorat ka nevojë që opozitari, porsi ekspert i mirë të tregojë nga vendi i krimit pse, si ndodhi dhe kush mban përgjegjësi për këtë krim.

A nuk do të kishte më tepër vlerë që eksponentët e opozitës të protestojnë dhe komunikojnë me njerzinë te rruga ku vdiq kalimtari, te çerdhja ku vodhi kuzhinierja, te spitali ku lëngon pacienti, te shkolla ku jep mësim mediokri, te rajoni i policisë ku dhunohet qytetari, te kulla ku është strukur gjaksi, te restoranti ku nuk lëshon faturë pronari…

Porsi gazetari që shkon te vendi i krimit e raporton, ashtu dhe opozitari do të lehtësonte pakëz dhembjen dhe do i ngrinte adrenalinën jo vetëm viktimës, por edhe familjarëve, miqve dhe komunitetit…

Mbi plagë dorën, mbi plagë opozitar!