BE “rrëzon” vendimin e KQZ-së për votat e hedhura “gabimisht”

0
41


Ylli Pata, 25.05.2011

Ashton dhe Fule: Këshilltarë të huaj për vendimet e debatuara

Dy nga krerët më të lartë të Bashkimit Europian, i kanë vendosur një notë më shumë se dyshuese, faktikisht shqetësuese vendimit të KQZ-së për shqyrtimin e votave të “gabuara” nga ana e KQZ-së. Dje në mbrëmje, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Catherine Ashton dhe Stefan Fule, Komisioner për Zgjerimin dhe Politikat Europiane të Fqinjësisë, kanë lëshuar një deklaratë zyrtare në të cilën theksohet: “Ne kemi mbajtur shënim ditën e djeshme bërjen publike nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të rezultatit për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Tiranës.

Megjithatë ne kemi mbajtur shënim që çështja e logjikës ligjore të vendimeve të KQZ-së, për të numëruar të ashtuquajturat vota ‘të hedhura gabimisht’, është një çështje që përbën shqetësim. Procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende. Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër plotësimin e procedurave të apelit dhe publikimin e rezultateve përfundimtare si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i monitorimit të zgjedhjeve të OSBE/ODHIR. Bashkimi Evropian pret qe procedurat e apelimit të jenë të ndershme, transparente dhe të mbahen në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues.

Zgjidhje konsensuale dhe të qëndrueshme mund të gjenden për ato çështje të cilat nuk janë mbuluar në mënyrë eksplicite nga ligji dhe që kërkojnë interpretim. Për këtë qëllim, partitë duhet të nisin menjëherë dialogun në mënyrë që të bien dakord se si ta trajtojnë çështjen e votave “të hedhura gabimisht”. Një mundësi që mund të merret në konsideratë është që të kërkohet këshillim nga jashtë i pavarur për vendimet e debatuara të KQZ-së. Interesi i vendit dhe vazhdimësia e procesit të integrimit evropian duhet të mbizotërojë para interesave partiake. Udhëheqësit politikë duhet të jenë në lartësinë e aspiratave evropiane dhe demokratike të qytetarëve shqiptarë.”

PE

Parlamenti Europian do të diskutojë sot paradite në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri. Ende pa u dhënë rezultati përfundimtar, Brukseli është i alarmuar në lidhje me zhvillimet në Tiranë dhe të gjitha strukturat e tij si Komisioni, Këshilli, por edhe Parlamenti Europian kanë vendosur në axhendë çështjen “Shqipëri”. Ditën e djeshme ka pasur dy deklarata të forta nga Komisioni dhe Këshilli Europian, ndërsa sot paradite nga ora 10-12.30, për dy orë e gjysmë do të debatohet për zgjedhjet shqiptare në një seancë të posaçme të komisionit të jashtëm të Parlamentit Europian, ku do të raportojë kreu i delegacionit për Ballkanin dhe reporteri për zgjedhjet e 8 majit, Eduard Kukan. Siç mësohet, në korridoret e Parlamentit Europian këto ditë kanë qarkulluar qëndrime shqetësuese për procesin zgjedhor Shqiptar.

Në takimin e sotëm do të diskutohet në lidhje me qëndrimet e mbajtura nga dy zëdhënëset përkatëse, por edhe me sjelljet e klasës politike shqiptare. Në debatet që do të mbahen në Parlamentin Europian pritet të ketë mendime të ndryshme nga të majtët dhe të djathtët, por ajo që mbizotëron aktualisht është se vështirë se nxjerr një deklaratë pozitive për zgjedhjet e 8 majit.

KE

Komisioni Europian pret rezultatin e procesit zgjedhor në Shqipëri. E pyetur nëse Komisioni do të njohë rezultatin përfundimtar për garën e Tiranës, zëdhënësja e Komisionerit Fule, Natasha Butler, shpjegoi se do të merret parasysh dhe saktësia ligjore e vendimmarrjes nga KQZ-ja. “Pikë së pari, në lidhje me pyetjen se a do ta njohë Komisioni Europian rezultatin e këtyre zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Sigurisht që në fillim ne mbajtëm shënim publikimin, dje, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të rezultatit për zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Por në vërejtëm gjithashtu çështjen e logjikës ligjore të vendimeve të KQZ-së për të numëruar të ashtuquajturat vota të hedhura gabimisht, që është një çështje shqetësuese. Procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende”, – tha Natasha Butler, zëdhënëse e KE-së për Zgjerimin. Procesi zgjedhor konsiderohet i papërfunduar, sepse siç sqaroi Butler, për Komisionin është e rëndësishme edhe mënyra sesi do të trajtohen ankesat.

“Ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër plotësimin e procedurave të Apelit dhe publikimin e rezultateve përfundimtare, me gjithë vlerësimin e misionit të vëzhguesve të OSBE-së. Sigurisht që ne presim që procesi i Apelit të zhvillohet në një mënyrë krejtësisht të ndershme, transparente si dhe të procesohet me pavarësi”, tha Butler.