Fatjona Mejdini
Arvizu: Çelësi i zgjidhjes, kompromisi Berisha-Rama
Londra: Ngërçi i gjatë të zgjidhet paqësisht
Brukseli ka humbur durimin: Tani jo më paralajmërime, por ultimatum
Bashkimi Europian do të vazhdojë “diplomacinë e krokodilit”. Këtë e kanë bërë të ditur burime të afërta të drejtuesve kryesorë të Brukselit, që janë bërë të ditur në portalin e afërt me administratën e BE-së “Euroactiv”. Brukseli duket se po e humbet durimin me zgjatjen e krizës shqiptare dhe po merr masa për të vazhduar misionin e saj diplomatik të quajtur me tone ironike “Krokodili”, por kësaj radhe mbledhjet duket se nuk do të jenë më me tone aq të ëmbla. Ky është thelbi i një artikulli të publikuar në portalin europian Euroactiv në lidhje me krizën politike dhe situatën aktuale në vendin tonë, ku në pjesën më të madhe të tij citohet komisioneri për Zgjerim i Komisionit Europian, Stefan Fule.
Në këtë artikull në mënyrë të qartë Fule citohet të ketë thënë se Europa nuk ka ndërmend “ta mbyllë njërin sy” në lidhje me detyrimet që ka Shqipëria për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Po kështu, komisioneri i KE-së për zgjerim ka bërë të qartë se takimet e ardhshme të europianeve me përfaqësuesit e politikës shqiptare nuk do të jenë më të ëmbël, duke nënkuptuar në këtë mënyrë se europianët në mënyrë strikte do t’u kërkojnë shqiptarëve të zbatojnë detyrimet e tyre dhe të jenë të përgjegjshëm.
“Nuk ka më hapësirë për të pasur qershi mbi tortë. Shqipëria duhet të plotësojë të gjitha kriteret e Kopenhagës, duke përfshirë edhe debatin interaktiv politik dhe një Parlament që funksionon, ose pastaj mund të plotësojë asgjë”, citohet të ketë thënë Fule për situatën aktuale në Shqipëri, duke mos kursyer edhe tonet e kërcënimit dhe të ironisë. Po kështu, në mënyrë të qartë Fule thekson se KE do të jetë shumë rigoroz për sa i përket zbatimit të kritereve që i ka lënë Shqipërisë për të plotësuar në lidhje me kërkesën e saj për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Sipas artikullit të “Euroactiv”, Parlamenti Europian ka diskutuar për Shqipërinë në kuadër të rritjes së tensionit dhe rritjes së mundësive që ky vend të futet në një rrugë qorre. Po kështu, debati i PE-së në lidhje me Shqipërinë erdhi dy ditë më parë nisur edhe nga pretendimi i europianëve se në vendin tonë institucionet shtetërore po minohen. Sipas “Euroactiv”, Kryeministri aktual, Sali Berisha, ka qenë prezent në politikën shqiptare për 20 vjet. Berisha ka qenë Presidenti i vendit gjatë viteve 1992 deri në 1997 dhe më pas është rizgjedhur si Kryeministër i shqiptarëve në vitin 2005.
Nga ana tjetër në artikull theksohet se Partia opozitare Socialiste pretendon se zgjedhjet e qershorit të vitit 2009 nuk ishin brenda standardeve të kërkuara dhe gjatë tyre u abuzua. Nisur nga kjo, “Euroaktiv” thekson se PS nuk ka vullnetin e duhur për të bashkëpunuar me qeverinë. Po kështu në artikull theksohet fakti se zgjedhjet e ardhshme lokale janë planifikuar për t’u zhvilluar në majin e këtij viti dhe se shpesh në vend shfaqet edhe ideja e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas “Euroactiv”, Fule i ka bërë thirrje Berishës të krijojë një mjedis politik gjithëpërfshirës në vend.
Nga ana tjetër, thirrje i është bërë edhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, të bëjë një opozitë konstruktive dhe të veproj në mënyrë të përgjegjshme. Nga ana tjetër në artikull jepen të gjitha ndërhyrjet që krerët e partive të Parlamentit Europian dhe po kështu të komisionit, kanë bërë për zgjidhjen e situatës së rënduar politike në vendin tonë. Në “Euroactiv” theksohet se darka e famshme e mbajtur në Strasburg në restorant “Krokodili”, ku krerët e dy partive kryesore politike në vend, Berisha dhe Rama u ftuan të diskutonin me drejtuesit më të lartë të PE-së dhe KE-së.