Baze: Taçi s’u arrestua, tani po përpiqen të prishin provat

0
36

Mero Baze

Gazetari Mero Baze rrëfen sulmin e dhunshëm të Rezart Taçit dhe komenton reagimin e Berishës, forcave të policisë dhe politikës pas aktit

TIRANË – Gazetari Mero Baze flet për sulmin e dhunshëm kundër tij mbrëmjen e së hënës, duke akuzuar biznesmenin Rezart Taçi për një plan të paramenduar. Duke e cilësuar dhunën e ushtruar kundër tij për shkak të detyrës, Baze komenton momentet e rrahjes, por edhe deklaratat e politikës apo reagimin e policisë pas ngjarjes.

A dukej se sulmi ishte i menduar, apo i çastit?

“Nuk di të them sa kohë më parë ka qenë i menduar, por natyrisht që ka qenë diçka që mund ta kenë menduar dhe kanë pritur të gjejnë rastin. Mënyra si u sollën me dy kolegët e mi, duke bërë kujdes të mos i preknin, do të thotë se nuk janë sjellë si vrasës të papërgjegjshëm, por si mafiozë të mirëinstruktuar. Dhe përpjekja për të qëlluar vetëm në pjesën e pasme të kokës, ku dhe mund të traumatizohesh përjetë, ishte kriminale. Mendoj se ata kanë vendosur të qëllojnë, kur kanë parë që unë hyra në lokalin ku ata rrinin. Ndoshta pas 20 minutash ata vendosën të sulmojnë, dhe na rrethuan papritur duke më sulmuar”.

Sa i vetëdijshëm keni qenë për rrezikun për shkak të profesionit?

“Rreziku i shoqëron gazetarët si ndryshku hekurin. Sa herë që shoqëria degradon, sa herë për lirinë ka mjedis të papërshtatshëm, aq herë ky ndryshk priret të sulmojë, që të brejë profesionin e gazetarit. Nuk është në dorën tonë të shmangim rreziqet. Jemi të dënuar të bashkëjetojmë me to. Në dorën tonë është të bëjmë punën tonë. Rrezikun nga mjedisi ynë duhet ta zhdukë shteti ligjor dhe një qeverisje që jep shembull frymëzimi kundër krimit, kundër këtyre personave dhe pro standardeve të lirisë për median. Fatkeqësisht, qeveria ime dhe e bashkëqytetarëve të mi është aleate e këtij banditi, frymëzuese e keqe kundër lirisë së medias dhe degraduese e standardeve të lirisë në këtë vend”.

Kryeministri bëri një deklaratë, ku dënoi aktin e dhunës?

“E dëgjova dhe m’u dhimbs sa i pafuqishëm është të përmendë emrin e Rezart Taçit. E di që emri i viktimës i krijon probleme, por së paku emrin e kriminelit duhet ta përmendte dhe ta dënonte. S’ka denjuar as vetë të bëjë deklaratë, por zyra e tij ka bërë një deklaratë të modës kineze të viteve ‘70, ku në vend që t’u adresohet problemeve, flet për parime që i shkel nga mëngjesi në mbrëmje. Është e dhimbshme të shikosh kryeministrin e vendit tënd në atë pozicion, peng të një njeriu të përzgjedhur prej familjes së tij për t’u bërë miliarder brenda natës”.

Si ka qenë reagimi i forcave të rendit?

“Nëse ka njerëz në hall pas gazetarëve, në këtë vend, janë ata. Ekziston një polici që kërkon të bëjë detyrën e saj dhe një frymëzim politik kundër misionit të saj. Nuk mund të thuash asgjë të qortueshme për policët e Tiranës si profesionistë ose njerëz kurajozë. Ata janë shumë të mirë. Por ata nuk janë të lirë të jenë policë. Dhe ndryshe nga ne gazetarët, që e kemi në dorë lirinë tonë, për ta mbrojtur apo dorëzuar, ata nuk e kanë dhe aq në dorë lirinë e tyre për të qenë profesionistë. Ata u sollën shumë korrektë me ngjarjen, erdhën në vendngjarje, më shoqëruan në spital dhe më dorëzuan te mjekët. Morën provat dhe u larguan.

Drejtori i policisë së Tiranës dhe drejtori i Përgjithshëm më vizituan dhe në spital. Pastaj më tej ata s’kanë asgjë në dorë. Të vinte keq për ta. Rezart Taçin nuk kishin fuqi ta arrestonin. Ai i merrte në telefon dhe u tregonte se kur mund të kishte kohë të shkonte t’i takonte. Përfytyroni një shtet që nuk ndalon dot një miliarder, që i ka zyrat në mes të Tiranës dhe që nga mëngjesi në mbrëmje përmend vetëm emrin e kryeministrit. Si mund të afrohet polici tek një njeri, që sapo i afrohesh, bën sikur flet në telefon me Sali Berishën”.

Cilat mund të jenë shkaqet që Rezart Taçi nuk u ndalua qysh në fillim?

“Ata duan të shkatërrojnë provat. Mos harroni që tani ministër i Rendit është një person në kërkim, që i ka shpëtuar një dënimi me procedurë. Ata thjesht duan të shikojnë dëshmitë tona dhe pastaj të shpikin ose shkatërrojnë prova të reja për rrethana lehtësuese për të. Ky është regjimi që ka shpikur mosndëshkimin me ligj, por me vetëgjyqësi. Vetëm ky regjim ka mundur të mbyllë çështje të mëdha, për të cilat bota mund të kishte bërë luftëra civile, me procedura afatesh apo imunitete ministrash.

Vetëm ky regjim ka mundur të mbyllë me procedurë gjykimin për vrasje të 26 personave apo pastrime të pastra paresh përmes sekserëve të familjes në pushtet. Mosndëshkueshmëria e krimit është identiteti i këtij regjimi. Lexoni progres-raportin e Bashkimit Europian, se sa qartë e ka theksuar me dëshpërim faktin që në Shqipëri po krijohet modeli i të pandëshkueshmëve. Rezart Taçi, nëse më lejohet në krahasim, në këtë rast është “kriminel race”.

Reagimi

Taçi: Asnjë konflikt fizik me Bazen

TIRANË – Edhe pse i shpallur në kërkim nga policia, Rezart Taçi, pronari i ARMO-s ka reaguar dje, duke hedhur poshtë akuzat për dhunë ndaj Mero Bazes. “Deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk kam pasur asnjë lloj konflikti fizik me zotin Mero Baze.

Gjatë gjithë karrierës sime profesionale kam bashkëpunuar me respekt dhe durim me të gjithë bashkëpunëtorët, partnerët dhe palët e treta, pa cënuar as edhe njëherë të vetme, edhe në situata tepër të vështira, integritetin e askujt dhe për më tepër të ndonjë gazetari apo media, edhe kur ka qenë kritike ndaj meje apo bizneseve të mia”, – thotë Taçi në deklaratën e tij për median. Ai i ka cilësuar akuzat si përpjekje për përbaltjen e tij, në vazhdën e një strategjie që ai e quan denigruese, me synim tjetërsimin e biznesit të tij.

“Hedh poshtë me indinjatë këtë akuzë të ulët në drejtimin tim dhe siguroj të gjithë opinionin publik se jo vetëm nuk është në karakterin tim të shmangem, por jam i gatshëm të përballem me këto shpifje në çdo kohë, përpara drejtësisë së vendit tim”, – përfundon deklaratën e tij biznesmeni Rezart Taçi.

Policia: Rezart Taçi në kërkim, 2 truprojat në pranga

Presidenti i “Taçi Oil” akuzohet për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës. 24 orë pas dhunës ndaj Mero Bazes, Taçi nuk ishte shoqëruar ende në polici

Leonard Bakillari

TIRANË – Rezart Taçi, biznesmeni që akuzohet për sulmin e dhunshëm ndaj Mero Bazes, është shpallur në kërkim, ndërsa dy truprojat e tij janë arrestuar në kushtet e flagrancës. “Shtetasi Rezart Taçi është shpallur në kërkim policor”, – tha zyrtarisht dje zëdhënësja e policisë së kryeqytetit, e cila gjithashtu deklaroi se për dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze janë arrestuar dy persona, punonjës të kompanisë “Taçi Oil”.

“Gjatë orëve të vona të mbrëmshme, specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kryen arrestimin në flagrancë të Bledar Lilos, 28 vjeç dhe Irgen Selfos, 23 vjeç, të cilët dyshohen se në bashkëpunim me Rezart Taçin, 38 vjeç, në ambientet e brendshme të një lokali në rrugën “Brigada 8” në Tiranë, kanë goditur me grushte gazetarin Mero Baze”, – tha zyrtarisht policia e Tiranës. Por përveç faktit që Rezart Taçi është shpallur në kërkim policor që prej orëve të vona të mbrëmjes së të hënës, përgjatë gjithë ditës së djeshme policia e kryeqytetit nuk ka pasur asnjë komunikim për këtë çështje, edhe pse Rezart Taçi shpërndau një deklaratë për shtyp, me anën e së cilës mohonte akuzat e ngritura nga Mero Baze, gazetarët dëshmitarë, Andi Bushati e Arban Hasani, si dhe dhjetëra persona të tjerë, klientë të lokalit ku ndodhi përplasja.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve, i cili për t’u ardhur në ndihmë policisë, ka ofruar një shpërblim për atë që jep informacione rreth vendndodhjes së Taçit, i cili zyrtarisht është person në kërkim. Sipas policisë, Taçi së bashku me dy truprojat e tij akuzohen për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, ndërsa çështja do të hetohet nga Prokuroria e Tiranës. Deri në orët e mbrëmjes së djeshme, policia dhe Prokuroria e Tiranës ende nuk kanë mundur të identifikojnë vendndodhjen e Taçit. Emisioni investigativ “Faktori Plus” i gazetarit Mero Baze, i cili ka publikuar disa skandale radhazi për Taçin, dyshohet të jetë motivi i këtij sulmi të dhunshëm.

Sipas dëshmitarëve, mësohet se 15 minuta pasi Baze kishte hyrë në lokal, aty kishte mbërritur edhe presidenti i “Taçi Oil” dhe dy truprojat e tij, të cilët pasi kanë debatuar me gazetarin, kanë nisur ta qëllojnë atë me grushte. Dëshmitarë të kësaj skene janë bërë gazetarët Andi Bushati dhe Arban Hasani, të cilët kanë deklaruar se Taçi dhe truprojat e tij kanë goditur me shkelma për rreth 5 minuta gazetarin Mero Baze, ndërsa më pas janë larguar të qetë.

Zëdhënësja e Berishës: Dhunimi i Bazes, akt i pajustifikuar

Zëdhënësja e kryeministrit Sali Berisha dënoi dhunimin e gazetarit Mero Baze. Deklarata u bë në emër të kryeministrit, i cili sipas zëdhënëses, e dënon me ashpërsinë më të madhe rrahjen dhe lëndimin e gazetarit Mero Baze, në një nga lokalet e kryeqytetit dy net më parë, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të shëmtuar, të rëndë dhe të papranueshëm për shoqërinë e lirë. “Kryeministri Berisha u kërkon organeve kompetente të ndërmarrin të gjitha masat për të nxjerrë përgjegjësinë e plotë ligjore të autorëve të këtij akti të rëndë. Sikundër kryeministri Berisha thekson edhe një herë, se cënimi, keqtrajtimi dhe presioni i çdo forme ndaj gazetarëve për qeverinë shqiptare përbën një akt shumë të rëndë dhe të pajustifikuar nga asgjë”, përfundon komunikatën e saj Kryeministria.

Topi: Të vihen para drejtësisë autorët e vërtetë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dënoi aktin dhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze dhe u kërkoi organeve të shtetit që të zbardhin pa vonesë ngjarjen, për të vënë para drejtësisë autorët e vërtetë. Nëpërmjet një komunikate të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, Topi thotë se ngjarja në fjalë është një akt vandal dhe dhunimi e presioni ndaj medias dhe gazetarëve shqiptarë është një kthim mbrapa për demokracinë që vendi ynë kërkon të ndërtojë. “Kreu i shtetit u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri, që të analizojnë me shqetësim këtë akt, duke u angazhuar realisht, dhe jo vetëm nëpërmjet deklaratave, në krijimin dhe garantimin e lirisë dhe pavarësisë së medias. Dhunimi dhe presioni i drejtpërdrejtë apo i tërthortë ndaj medias dhe gazetarëve shqiptarëve është një kthim mbrapa në demokracinë, që të gjithë dëshirojmë të ndërtojmë”, thuhet në reagimin e kreut të shtetit.

Ndërkombëtarët

SHBA-OSBE: Jemi të skandalizuar, të dënohen përgjegjësit

Ambasadori amerikan, Xhon Uidhërs i Dytë dhe ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, thanë se ngjarja errëson lirinë e medias dhe se gazetarët duhet të lejohen të kryejnë detyrën

Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë në Tiranë reaguan ashpër dhe fort dje ndaj dhunës së ushtuar ndaj gazetarit Mero Baze. Përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-ve dhe të OSBE-së kërkuan vendosjen përpara drejtësisë së autorëve të dhunës.

SHBA

Përfaqësuesit diplomatikë më të rëndësishëm në Shqipëri kanë reaguar dje, duke dënuar ashpërsisht dhunimin e gazetarit Mero Baze dhe kanë kërkuar vendosjen para drejtësisë të dhunuesve. Me një gjuhë ndryshe nga ajo që përdoret rëndom nga diplomatët, ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhërs, tha se është e skandalizuar nga sulmi që iu bë gazetarit Baze. Sipas tij, sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe format e tjera të kanosjes së medias errësojnë lirinë e shtypit në Shqipëri. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara u skandalizua nga sulmi ndaj gazetarit Mero Baze më 2 nëntor.

Sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe forma të tjera të kanosjes së medias errësojnë lirinë e shtypit. Të gjitha format e presionit dhe kanosjes ndaj medias janë të papranueshme. Ambasada mbështet dënimin nga ana e Qeverisë së Shqipërisë të këtij akti dhe përkrah thirrjen e kryeministrit që autoritetet përkatëse të kryejnë një hetim të plotë dhe të shpejtë të këtij incidenti dhe që ata që janë përgjegjës të japin llogari”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane në Tiranë. Sipas kësaj deklarate, ambasada do të vazhdojë të mbështesë me forcë lirinë e shtypit në Shqipëri.

OSBE

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë dënoi dhunën ndaj gazetarit Mero Baze. Ambasadori holandez, Robert Bosh, shef i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, u bashkua me qëndrimin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke dënuar ashpër ngjarjen. Nëpërmjet një komunikate për mediat, ambasadori Bosh dënoi dhunimin e drejtorit të gazetës “Tema”. “Ne i dënojmë të gjitha format e dhunës fizike, veçanërisht ato sulmet që synojnë median. Të gjithë gazetarët, pavarësisht nga qëndrimet e tyre politike, duhet të lejohen të kryejnë detyrën e tyre të përditshme, pa frikën e reprezaljeve fizike”, – tha ambasadori Bosh. Sipas tij, liria e medias është një parim kyç i një shoqërie moderne demokratike dhe të lirë. Po ashtu, Bosh mbështeti reagimet e bëra nga presidenti dhe kryeministri shqiptar dhe inkurajoi fort autoritetet vendase, që të nxjerrin para drejtësisë personat që janë përgjegjës për kryerjen e këtij akti seriozisht të rëndë.

K. KUÇAJ

PDK: Mazhoranca po tensionon situatën

Partia Demokristiane e Nard Ndokës kërkoi reagim të menjëhershëm institucional për ngjarjen e rëndë të dhunimit të gazetarit Mero Baze. Nëpërmjet një deklarate për mediat, PDK-ja e ka cilësuar ngjarjen si një atentat tjetër që i bëhet fjalës së lirë në vendin tonë. “Partia Demokristiane e Shqipërisë dënon me forcë dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze, botues i gazetës “Tema” dhe drejtues i emisionit “Faktori Plus”. Dhuna e ushtruar ndaj gazetarit të njohur Mero Baze nga një biznesmen i afërt me qeverinë dhe badigardët e tij, është një atentat tjetër që i bëhet fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes në Shqipëri.

Partia Demokristiane dënon me ashpërsi këtë akt të shëmtuar dhe u kërkon autoriteteve të vendit reagim të menjëhershëm institucional. Në të njëjtën kohë u kërkojmë autoriteteve të drejtësisë të respektojnë drejtësinë e gjykimit dhe shqyrtimit të këtij akti dhunues”, thuhet në reagimin e PDK-së. Sipas kësaj force politike, raste të tilla të shëmtuara, të cilat janë përsëritur edhe më parë, flasin qartë për një rritje të agresivitetit të personave me pushtet ekonomik e financiar, ndaj të gjithë atyre që guxojnë të investigojnë apo të demaskojnë afera të ndryshme korruptive.

Meta: Të gjithë të barabartë për drejtësisë

Zëvendëskryeministri dhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha dje, se agresorët e gazetarit Mero Baze duhet të dënohen dhe se para drejtësisë janë të gjithë të barabartë, përfshi edhe biznesmenin Rezart Taçi, i cili akuzohet për ngjarjen. “Dënoj aktin e dhunshëm dhe barbar kundër gazetarit Mero Baze. Shpreh solidaritetin me të gjithë gazetarët dhe njerëzit e mediave në vendin tonë”, tha Meta. Po ashtu, Meta shprehu besimin se të gjithë autoritetet shtetërore do të bëjnë detyrën e tyre ndaj të gjithë atyre që do të sulmojnë njerëzit e medias.

Më herët, Lëvizja Socialiste për Integrim e dënoi ngjarjen e rëndë nëpërmjet zëvendëskryetarit Edmond Haxhinasto. “Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dënoj aktin e dhunës ndaj gazetarit Mero Baze. Çdo akt dhune ndaj çdo qytetari, është jocivil, i dënueshëm dhe i papranueshëm për shoqërinë tonë. Shqipëria është një shtet ligjor dhe të gjithë konfliktet, midis individëve dhe institucioneve duhet të zgjidhen ligjërisht nga qytetarët”, tha Haxhinasto. Ai u bëri thirrje organeve të prokurorisë që të hetojë ngjarjen dhe të vënë para drejtësisë fajtorët.

Veliaj: Dhunimi i Bazes, kronikë e paralajmëruar

Kreu i G99-ës, Erion Veliaj, tha dje, se dhunimi i gazetarit Mero Baze nuk është një ngjarje të veçuar, por pjesë të një problemi me të cilin po përballet shoqëria shqiptare. “Kjo ishte kronika e një akti të paralajmëruar, pasi në këtë vend po bëhet e zakonshme, që njerëz me mburojë politike të kenë në duar çdo instrument të mundshëm për të arritur gjithçka. Në këtë vend po krijohet një kulturë e pandëshkueshmërisë, ndaj në njëfarë mënyre ky akt nuk na kapi në befasi”, tha Veliaj. Sipas tij, kohët e fundit kanë ndodhur shumë ngjarje, për të cilat shoqëria duhet të reagojë. “Këtu vidhet prona private e pastaj thuhet punë e madhe, apo i hiqen antenat një televizioni, e sërish thuhet punë e madhe! Këtu vidhen votat, e prapë thuhet punë e madhe. Lirohen nga akuza politikanë të pandehur, e sërish thuhet punë e madhe. Problemi është të kuptojmë se, në fakt, kjo punë e madhe na prek të gjithëve, ndaj duhet një reagim i gjithë shoqërisë”, tha Veliaj.

KSHH: Sulm brutal ndaj fjalës së lirë

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka dënuar aktin e dhunës ndaj gazetarit Mero Baze, duke e cilësuar atë si një sulm brutal dhe presion ndaj fjalës së lirë në vend. “KSHH atë që ndodhi mbrëmjen e datës 2 nëntor 2009 e konsideron gjithashtu presion dhe dhunë ndaj fjalës së lirë, dhe mendon se gazetari Mero Baze u godit lidhur me detyrën, me funksionin e tij si gazetar dhe analist, si drejtues i emisionit investigativ “Faktori Plus”, thuhet në deklaratën e KSHH-së. Sipas KSHH-së, në një vend demokratik, roli i medias është i pazëvendësueshëm dhe të tentosh t’i mbyllësh gojën një gazetari, do të thotë të godasësh fjalën e lirë, pa të cilën nuk mund të konceptohet demokracia, nuk mund të ketë shtet të së drejtës. “Është kjo arsyeja që KSHH-ja i sugjeron organeve të ndjekjes ku është bërë kallëzim, që çështja e mësipërme të trajtohet me përparësi dhe me objektivitet. Fajtori ose fajtorët nuk duhet të ngelen pa u ndëshkuar”, përfundon deklarata.

Shoqatat e Gazetarëve: U dhunua media shqiptare

Shoqatat e Gazetarëve në Shqipëri kanë dënuar ashpër dhunimin e gazetarit Mero Baze, duke e cilësuar ngjarjen si një sulm ndaj medias shqiptare. Nëpërmjet deklaratave për mediat, shoqatat kanë kërkuar nga autoritetet e shtetit shqiptar që të kenë reagim të menjëhershëm institucional. “Ne i kërkojmë Policisë së Shtetit, që pas denoncimit zyrtar dhe dëshmive të dhëna nga kolegu i dhunuar dhe dy kolegët e tjerë, të kryhen pa shmangie veprimet procedurale. Në të njëjtën kohë, u kërkojmë autoriteteve të drejtësisë të respektojnë drejtësinë e gjykimit dhe shqyrtimit të këtij akti dhunues”, thuhet në deklaratën e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Sipas këtij organizmi, ky akt dëshmon se gazetari shqiptar është i kërcënuar në çdo moment nga brutaliteti dhe dhuna fizike kriminale. “Fakti që raste të tilla përsëriten dhe sidomos ndaj këtij kolegu, flet qartë për rritje të agresivitetit të personave me pasje dhe me pushtet ekonomik e financiar. Unioni i Gazetarëve deklaron se Mero Baze është dhunuar, për shkak të detyrës dhe për këtë arsye, rasti në fjalë është akt dhunues dhe kërcënues për shkak të detyrës”, përfundon deklarata.

Gazetarët, 10 mijë euro për gjetjen e Taçit

Shoqatat e Gazetarëve, në një reagim pas deklaratës së Rezart Taçit, shprehen se ofrojnë një shpërblim prej 10 mijë eurosh për cilindo person që jep informacion mbi vendndodhjen e Rezart Taçit, i cili është shpallur nga policia si person në kërkim. “Shoqatat ndihmojnë kështu forcat e rendit, që ky kriminel të vihet sa më shpejt përpara drejtësisë, në një kohë kur Rezart Taçi shpërndan përmes zëdhënësit te tij, deklarata false, duke e mohuar paturpësisht dhunimin e gazetarit Mero Baze”, thuhet në deklaratën e shoqatave të gazetarëve shqiptarë. Më tej, në të theksohet se, “ndërsa i shpalluri në kërkim, Rezart Taçi, dërgon komunikata për median, prokuroria ende nuk ka marrë në pyetje as zëdhënësin e tij, për të mësuar vendin se ku ndodhet biznesmeni i akuzuar”. Shoqatat e Gazetareve u bëjnë thirrje gjithashtu të gjithë qytetarëve të angazhuar, që të dalin në një protestë paqësore të mërkurën në orën 12:00, përpara godinës së Kryeministrisë.

“Duke qenë se ujditë midis familjes në pushtet dhe biznesmenit që goditi gazetarinë janë të ditura publikisht, ne e konsiderojmë kryeministrin Berisha si njeriun përgjegjës për klimën e mbrapshtë të frikës që po krijohet ndaj mediave dhe shoqërisë, duke nxitur në heshtje dhunën ndaj gazetarëve”, thuhet në deklaratë.

“Kjo klimë, mbyllje goje, frikë dhune dhe censure mediatike, janë shenjat e pagabueshme të një totalitarizmi të llojit mafioz. Ky skandal i përsëritur i armikut të vjetër të fjalës së lirë, zjarrvënësit të gazetave, Sali Berisha, kërkon reagimin energjik të të gjithë qytetarëve. Ky është sistemi ku mediat dhe njerëzit e saj ose blihen, ose rrihen, ky është sistemi që kërkon t’i mbajë shqiptarët në verbëri dhe të shurdhuar. Ajo që po përjetojmë është Shqipëria që po ndryshon për keq nën zgjedhjen e familjes së Sali Berishës”, përfundon deklarata e shoqatave të gazetarëve të Shqipërisë.

Nëpërmjet një deklarate, edhe stafi i televizionit “Vizion plus” dënoi me indinjatë aktin kriminal të Rezart Taçit, që sulmoi mbrëmë së bashku me shoqëruesit e tij gazetarin Mero Baze.

“Vizion Plus” kërkon në mënyrë të qartë nga autoritetet shtetërore, arrestimin e Rezart Taçit, vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore, për agresionin kriminal, ndaj gazetarit Mero Baze.

Rama: Akuzoj Berishën për krimin e rëndë

Kreu i PS-së tha se dhunuesit e Mero Bazes janë klientë të pushtetit familjar të Berishës. Ai injoroi qëndrimin e kryeministrit mbi ngjarjen, kur tha se deklarata ishte “bajate” dhe se u bë nga “zëdhënësja”, për të kujtuar ndjeshmërinë e pakët të tij

Kreshnik KUÇAJ

Partia Socialiste akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Sali Berisha për dhunën e rëndë fizike ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze. Kryetari i socialistëve, Edi Rama, dënoi ashpër ngjarjen dhe fajësoi institucionet kryesore të vendit, për të cilat tha se nuk po japin reagimin e duhur. Rama e quajti “degradim të shtetit” ngjarjen dhe shtoi se për të “kjo nuk është diçka e papritur”. Sipas tij, vetë fakti që pushteti në fjalë ka buruar nga një proces i manipuluar zgjedhor, është një dëshmues i qartë për këtë degradim.

“Unë akuzoj personalisht dhe drejtpërdrejt Sali Berishën, për krimin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Mero Baze. Ata që gjakosën mbrëmë gazetarin, e gjejnë fuqinë te mbështetja e paligjshme e Sali Berishës, te paratë e paligjshme që nxjerrin përditë bashkë me Sali Berishën, tek imuniteti ekskluziv që u ka dhënë Sali Berisha për t’u ikur të gjithë detyrimeve ndaj arkës e ligjeve të shtetit”, – tha Rama paraditen e djeshme. Sipas tij, ngjarja në fjalë është një dëshmi e qartë se qytetarët shqiptarë kanë mbetur pa shtet, pa gjykata e pa prokurori. Shefi i opozitës tha se “sot vendi nuk qeveriset nga ligjet”, por nga ato që i përkufizoi si “interesat e familjes së kryeministrit Sali Berisha”, për qeverinë e të cilit theksoi se “bën ligje e nxjerr vendime për t’u pasuruar në kurriz të të gjithë shqiptarëve”. “Njëri prej klientëve të familjes së Sali Berishës gjakosi me grushte e shqelmat e gorillave të ushqyer nga familja gazetarin, që hedh përnatë dritë mbi veprimtarinë e paligjshme të kësaj qeverie interesash familjare”, – vijoi Rama.

Shefi opozitar e injoroi qëndrimin e kryeministrit mbi ngjarjen, teksa tha se deklarata ishte “bajate” dhe se u bë nga “zëdhënësja”, për të kujtuar ndjeshmërinë e pakët të atij që e akuzoi që në krye të herës, si përgjegjës të drejtpërdrejtë të dhunës ndaj Bazes. “Berisha, – vizoi Rama, – nuk mund ta dënojë me një deklaratë bajate nëpërmjet zëdhënëses këtë krim të shëmtuar”, i cili për shefin e opozitës “nuk është një vepër banale e një të dehuri, por një akt kriminal i një biznesmeni, që njihet botërisht si klient kryesor i pushtetit të familjes Berisha. Sali Berisha jo vetëm nuk del vetë, t’i shohë drejt e në sy shqiptarët dhe t’i sigurojë se ai është në krahun e gazetarit, jo në krahun e dhunuesit të njeriut të shtypit.

Por, nga njëra anë ai nxjerr deklaratën boshe, të gjoja dënimit të ashpër të dhunës ndaj gazetarit, ndërsa nga ana tjetër i jep mbrojtjen e heshtur të shtetit një personi, me të cilin e bashkojnë interesat e fitimet e paligjshme”, – tha Rama. Kreu socialist iu referua ngjarjeve të pak ditëve më parë, ku Policia Tatimore u përplas me policinë e shtetit në ambientet e “ARMO”-s. Rama tha se është Lulzim Basha, ministri i Brendshëm i familjes Berisha, ai që e ka vendosur Policinë e Shtetit kundër ligjit dhe në shërbim të interesave të paligjshme pronësore e financiare të tij. Kreu socialist tha gjithashtu, se Policia e Shtetit në varësi të Ministrisë së Brendshme, duhet të ndalonte vetë autorin që udhëhoqi sulmin gjakatar ndaj gazetarit, e “jo thjesht dy nga gorillat që e bënë për spital njeriun e shtypit”.

“Por ky kryeshërbëtor i familjes në pushtet, që ka grabitur për llogari të Sali Berishës fondet e veprës madhore të rrugës së kombit, është çuar në Ministrinë e Brendshme jo për të udhëhequr shtetin në luftën kundër shkelësve të rendit ligjor, por që ta kthejë Policinë e Shtetit në një shërbim të pushtetit të familjes, për të implementuar në terren zaptimet e tjetërsimet e dhunshme që Sali Berisha u bën me letra pronave të shtetit apo të pronarëve të pambrojtur, për të mbrojtur nga ligji klientët e këtij pushteti, si në rastin e “ARMO”-s, apo edhe si në rastin e sotëm, shkurt për punët e brendshme të familjes, që po plaçkit përditë Shqipërinë përmes pushtetit të votave të vjedhura në 28 qershor”, – vijoi Rama.

Kreu i opozitës kritikoi kreun e shtetit, Bamir Topin, i cili deri në momentin e kësaj deklarate nuk kishte reaguar për ngjarjen. Rama i bëri thirrje kreut të shtetit që të dalë nga heshtja e tij “olimpike” dhe të flasë me fuqinë që i jep Kushtetuta e morali i kreut të shtetit. “Presidenti i Republikës nuk mund të pajtohet në heshtje me rrënimin e përditshëm të shtetit të së drejtës, me dhunimin e përditshëm që pushtetit i një familjeje po i bën Kushtetutës, ligjit, shtetit, me gjakosjen e një gazetari, që në një hapësirë përditë e më të ngushtë lirie për mediat në Shqipëri, denoncon zullumet e pushtetit të një halldupi”, – tha Rama.

Ai e lidhi drejtpërdrejt ecurinë e zhvillimeve “dëshpëruese të ditëve të fundit”, sikurse i quajti, me cënimin e votës së 28 qershorit. “Dua të them në fund, fare sinqerisht, se për mua s’ka asgjë të papritur në këto zhvillime dëshpëruese për vendin dhe shoqërinë tonë. Vota e vjedhur e 28 qershorit e ka futur këtë pushtet në rrugën pa kthim të një zullumi që do të trashet përditë rreth qafës së Shqipërisë. Një pushtet që nuk buron nga vullneti i lirë i popullit, është i dënuar të sillet keq e më keq. Ky është një mësim që na e ka dhënë historia e gjatë e demokracisë, por edhe historia e jonë e shkurtër në demokraci, por është një mësim që, më shumë se të tjerët, duhet të mos e harronte personalisht Sali Berisha, të cilit sot i them: Dil dhe dënoje vetë, me zë e me figurë krimin e mbrëmshëm, që të gjithë ta shohin se përgjakja e dhunshme e Mero Bazes nuk ka spërkatur fytyrën tënde!” – përfundoi Rama.