Baze për Shekullin: Opozita i ruajti dinjitetin Fatos Nanos

0
65

TemA Online, 1 Korrik 2012

Ju jeni një nga ndjekësit e vëmendshëm dhe të përditshëm të politikës. Mund ta fillojmë me pyetjen standard: çfarë po ndodh?
Kjo pyetje ka kuptim në një vend normal, ku ngjarjet prodhojnë bilanc dhe politika ndëshkohet apo shpërblehet për atë që bën. Politika shqiptare është një profesion liderësh, të cilët nuk ndëshkohen për asnjë arsye dhe për asnjë bilanc. Brenda dy vitesh ne kemi parë një kryeministër që ka vrarë dhe askujt s’i ka shkuar mendja ta çojë në gjyq, një Ministër të Brendshëm që ka vrarë dhe pas 4 muajsh ka hyrë dhe në zyrën e Kryetarit të Bashkisë, kemi parë një zv.kryeministër me zë dhe figurë që flet për paratë tona si pronë të vetën dhe është aktor kryesor në politikë dhe një opozitë, e cila është parti e parë në vend dhe rri në opozitë. Në një situatë të tillë anormale, pyetja “çfarë po ndodh?” vlen vetëm si pyetje retorike, kur të zë frika nga këto që ndodhin.

Ndoshta, por ideja se Berisha e merr gjithnjë atë që do, po ngulitet – Jo, më shumë se kaq. E rrezikshmja është se po ngulitet ideja se Berisha është i pandëshkueshëm , jo i pandalshëm.

Një debat i madh është raporti PS – LSI. Ndodhi një afrim dhe tani gjithçka duket si më parë. Kush fitoi dhe kush humbi sipas Mero Bazes nga e gjithë kjo?
Kultura e partive armike në Shqipëri për fat të mirë ka rënë, por kjo nuk duhet të na çojë tek kultura e vrasjes së moralit. Afrimi i LSI-së me PS-në, kishte kuptim vetëm si një afrim që mund të krijonte një shumicë të re. Në këtë pikë, Edi Rama nuk mund të qortohet pse donte të formonte një shumicë të re në vend dhe të shkonte në zgjedhje pa Berishën. Ky ishte bazamenti i takimit të tij me Ilir Metën dhe ajo që ai shpresonte. Meta ia ofroi këtë mundësi për të rritur pazarin tek Berisha dhe për t’u përdorur për një luftë të brendëshme banale në PD, në krah të Lulëzim Bashës…

Opozita… Ka humbur?
Në këtë aspekt unë nuk mendoj se opozita ka humbur nga ky raport. Ajo, thjesht, nuk ia ka dalë të formojë një shumicë të re kundër Berishës, por kjo nuk është në dorë të saj. Në planin afatgjatë ka humbur LSI-a dhe Ilir Meta. Ata kanë zvogëluar profilin e tyre nga aleatë të Berishës dhe të PD-së, në aleatë të Lulëzim Bashës dhe Fari Balliut. Gjithë çfarë Meta bëri ishte një shërbim ndaj tyre. Kjo e ka dëmtuar rëndë raportin e tij me PD-në tradicionale, e cila dhe deri më sot nuk është se e ka gëlltitur afrimin me të. Tashmë Ilir Meta është në aleancë me kollovarët e PD-së dhe jo me PD-në reale.

Në informacionin apo në analizën tuaj, si u prit në PS afrimi me Metën?
Socialistët e gëlltitën, falë Ramës, por për të kuptuar se sa e rrezikshme ishte ajo gjë, mjafton të shikoni sa mirë e pritën kundërshtarët e Ramës. Kritikët e tij më të mëdhenj, Blushi, Malaj etj, e mbështetën, a thua se Rama po arrinte objektivat e tij të jetës, po zbardhte 21 Janarin apo manipulimin e votave. Ata po gëzoheshin që po e shtynin, që e ardhmja e opozitës të kushtëzohej nga njeriu që shkaktoi edhe 21 janarin edhe 8 Majin. Kjo është pjesa malinje e të bërit politikë në këtë opozitë.

Megjithatë opozita doli pa presidentin e saj dhe pa aleancë me LSI-në nga kjo histori…Opozita e ka humbur presidentin më 29 qershor 2009 kur doli në opozitë. E gjitha ç’mund të bënte tani ishte të provonte se Berisha nuk kishte vullnet për konsensusin që e kërkonte edhe perëndimi, dhe Ilir Meta nuk kishte vullnet të dilte në opozitë. I provoi të dyja dhe e bindi Perëndimin se Berisha ishte i pasinqertë me ta dhe shqiptarët, që Ilir Meta është një ushtar i Lulëzim Bashës, njeriut që ka vrarë për të më 21 janar. Nuk besoj që ka humbur asgjë.

Ka fituar?
Nuk them dot që ka fituar ndonjë gjë, por them se ka dalë më e qartë dhe më e stërvitur nga kjo betejë. Edi Rama ka vepruar drejt dhe në mënyrë shumë parimore gjatë procesit. Ai nuk ka rënë në lojën e garës fallco por i ka qëndruar deri në fund idesë së konsensusit. Përpjekja për ta nxjerrë nga kjo rrugë duke përdorur Fatos Nanon dështoi, dhe kjo është po ashtu, një meritë e Ramës.

Megjithatë Nano vërdallë është…
Është në lojën që ka qenë, si ushtar anti opozitë. Është votuar dhe testuar një herë për këtë lojë kur e ka nisur më 2007-ën, nuk ka pse testohet më.

Shumë socialistë, megjithatë, këmbëngulën që Rama duhet të propozonte Nanon
E ka propozuar si kandidat konsesual. Ia ka ofruar Berishës si të tillë, por Berisha nuk e donte Nanon president, por e donte si marionetë për të zgjedhur presidentin e tij. Rama nuk ra në atë lojë dhe mendoj se ruajti mes të tjerash jo vetëm dinjitetin e opozitës, por edhe dinjitetin e Fatos Nanos. Berisha ka qenë i qartë qysh në fillim se do të kishte president Jozefina Topallin, duke futur Nanon në garë në emër të PS-së ose Bujar Nishanin nëse Nano nuk futej. Dhe ashtu veproi. Opozita i ruajti dinjitetin Fatos Nanos, kurse ky i fundit vazhdon t’i ruajë fytyrën Sali Berishës.

Dmth. ju besoni se Berisha i qëndroi një plani apo projekti të paracaktuar për Presidentin?
Po. Në fillim hodhi emrin e Zaganjorit si president konsesual. Zaganjori është një këshilltar informal i Berishës për drejtësinë, një njeri i afërt i tij, por me një profil të besueshëm. Është njeri korrekt dhe pjesë e sistemit tonë të drejtësisë me gjithë problemet e veta. Dyshimin e parë e pata kur, vetë zoti Zaganjori ma konfirmoi se ai do të ishte në garë vetëm tre raunde dhe e mbajti fjalën. Paralelisht me Zaganjorin që ishte ende në garë Berisha thirri Artan Hoxhën dhe e bëri gati për raundin e dytë duke i dhënë garanci se do t’i qëndronte deri në fund.

I sigurt se do t’i përdorte në fund një histori të pistë të krijuar prej vetë atij, në vitin 1993, kur e hoqi nga Ministër, ai tentoi ta bënte deri në fund lojën me Hoxhën, biles duke mbledhur edhe firmat. Vetëm kur e pa se Hoxha e mori seriozisht dhe u nis me makinat e Gardës drejt Kuvendit, e ktheu nga rruga dhe e zbriti në mes të rrugës. Pra, ai ishte i qartë: ose Topallin, nëse hynte në lojë Nano përmes Ramës, ose Nishanin. Dhe nuk ka asgjë për t’u çuditur që ai ka planin e vet. Rëndësi ka që ne të mos emocionohemi më shumë se ç’duhet nga një proces që mbyllet me 71 vota.

Po flisnim për LSI-në… Në mos gaboj ju thatë që në plan afatgjatë Meta humbi nga kjo që ndodhi, etj. Por LSI ka realisht vota, ka kapital politik të vetin. Në fund janë shifrat që vendosin, apo jo? Mbetet një pikëpyetje se si mund “të merren” votat e saj më 2013?
Jo aspak. LSI-a është një parti që nuk gënjen dot askënd. Ajo është një fenomen tribal, jo fenomen politik. Ajo merr vota të pushtetit dhe ato vota nuk janë as të majta, as të djathta. Janë vota që rendin të shkëmbehen me pare. Ekziston ky elektorat në Shqipëri dhe ka kaluar nga një parti në tjetrën. Të tillë kanë qenë republikanët, demokratët e Pollos, tani ushtarët e Metës. Ky inspiron më shumë shanse për të bërë para me politikë. Ilir Meta e ka fituar këtë tender në politikën shqiptare dhe PS-ja lodhet kot t’ia marrë paraprakisht ato. Ato janë tortë e pushtetit, PS-ja është në opozitë dhe mund të bëjë aleancë vetëm me elektoratin opozitar, radikal ose të moderuar, por jo me njerëz të pushtetit. Në këtë pikë LSI-a nuk është problem i opozitës, është problem i natyrshëm i shoqërisë sonë, ku ka idealizëm, njerëz politikë, sharlatanë dhe të korruptuar bashkë. Ata janë të qartë në identitetin e tyre. Janë në politikë për të bërë para. PS-ja dhe PD-ja janë për të bërë politikë.

Rama ka patur disa qëndrime tip një hap para dy hapa prapa në këtë raport.. Sipas Mero Bezes, Rama përfundimisht, ia ka hapur apo ia ka mbyllur derën LSI-së?
Rama ka lënë hapur derën nga ky hyn çdo faktor opozitar. LSI-a e ka të vështirë t’i largohet pushtetit, pa u rrëzuar. Ajo që është e shëmtuar, por e dhimbshme për PD-në është se LSI-a do t’i marrë ato vota që do të marrë duke përdorur paratë dhe pushtetin e Berishës dhe do t’ja ofrojë pushtetit të ri. Do të jetë diçka e pështirë, por do të ndodhë.

Dy ditë më parë Majko u pa të bëjë thirrje për një aleancë të PS-së me AKZ-në e Spahiut dhe partinë e Topit. Mund të ndodhë?
Për Partinë e zotit Topi rezervohem të flas pa filluar funksionimi si parti. Gjithçka që ka bërë deri tani janë disa aktivitete rutinë dhe nuk ka artikuluar asnjë ide politike. Mendoj se vjen nga mungesa e kryetarit në zyrë. Kur Topi të shkojë aty do të kemi shansin të shikojmë çfarë do të bëjë. Kurse Spahiu është tashmë i konfiguruar, si një nacionalist i moderuar, populist, me një mbështetje entuziaste tek të rinjtë dhe pjesa urbane e Shqipërisë. Me opozitën e bashkon qëndrimi i ashpër anti-Berishë dhe shpallja e rrëzimit qeverisë si prioritet kryesor. Kjo është një qartësi politike e admirueshme, e ndryshme nga paqartësia e zotit Oketa, i cili ende nuk është shprehur për rrëzimin e qeverisë. Do të ishte fat nëse Alenca Kuq e Zi ka sukses dhe hyn në qeveri me socialistët. Mund të kompesojnë plot gjëra tek njëri-tjetri.

Në disa nga editorialet tuaja të ditëve të fundit lexohet se SHBA dhe BE po kërkojnë nga Nishani atë që nuk kërkojnë nga Berisha. Është një kritikë kjo?
Më saktë duhet thënë se, jam i dëshpëruar që Perëndimi kërkon të mbyllë problemet që i hap Berisha duke rekrutuar ushtarët e Berishës. Meqë Berisha nuk i pyet dhe ata nuk duan të turpërohen, mendojnë se do t’i zgjidhin punët duke rekrutuar Nishanin, Pollon, Metën, Rulin etj. Është një ide qesharake. Shqiptarët besojnë Perëndimin, jo Berishën. Le të flasë qartë kundër tij, se këtu e flaknin si leckë për 5 minuta.

Është edhe një pyetje që ju bezdis gjithnjë sa herë flisni për Berishën. Kur e kuptuat që ai njeri nuk duhej mbështetur?
Më bezdis kjo pyetje për një arsye shumë banale se e bëjnë si retorikë njerëzit e Berishës, ata që nuk e kuptojnë dot se: Liria e një njeriu nuk ka asnjë lidhje me Lirinë e Saliut. Fatkeqësisht, e kam kuptuar kush erdhi në pushtet në ditët e para të pushtetit të tij dhe në fund të betejës, pasi e kisha mbështetur për të ardhur në pushtet. Ai shfaqi disa cilësi të frikshme të kontrollit të familjes mbi pushtetin. Gruaja e tij, vajza e tij, djali i tij, morën papritur kontrollin me njerëz të tyre në pushtet, që nuk kishin asnjë lidhje politike me PD-në. Ishte përsëritje e konfliktit të vitit 1992, kur ai shkoi drejt pushtetit me themeluesit e PD-së dhe pastaj ua dha pushtetin një rrethi të ngushtë njerëzish të tij të thirrur për të qeverisur.

Nuk ke patur ndonjë moment konflikti personal me Berishën apo diçka të ngjashme?
Unë nuk kam ikur për asnjë konflikt personal me Sali Berishën. Por këtë nuk mund t’ua shpjegosh atyre, që rrijnë me çdo çmim për dinjitetin e tyre, brenda oborrit dhe kam neveri ta shpjegoj. Një gjë është e qartë dhe nuk ndryshon kurrë. Kush do para, tendera, koncesione dhe miliarda nuk ikën vetë nga pushteti. E frikshme është se ky njeri e ka politizuar shoqërinë aq shumë, sa administrata e tij të shikon si armik, edhe kur ti shkon të marrësh një shërbim banal.

Do të botoj një biografi politike të Sali Berishës dhe natyrisht do të përpiqem të jem i drejtë në raportet e mia me të, kur ai ishte në opozitë, dhe me shtazërinë e tij ndaj meje dhe njerëzve të mi, kur mori pushtetin. Dua të them vetëm se ai është një njeri i dobët, frikacak, i pasigurt, i pabesë dhe si i tillë, vrasës. Dhe shpresoj që fundi i tij, të imitojë jetën e tij.

Intervistoi Adrian Thano

Aneks

5 pyetje shtesë për Mero Bazen nga Koço Kokëdhima

Pesë pyetjet e mëposhtme janë shtuar në intervistim nga kryeredaktori i Shekullit, z.Koço Kokëdhima. Më poshtë, përgjigjet e z.Baze.

1 – Ke gënjyer në ndonjë rast ?
Me vetëdije si gazetar jo. Por ka ndodhur që e kam kuptuar që po citoj ose raportoj një gënjeshtër. Ka qenë në janar të vitit 1997 dhe e kam shpejguar hollësisht tek libri im.

2 – Kur shkruan për Berishën, cili Mero ndodhet përballë Saliut? Dmth fiton gazetari apo kundërshtari politik?
Përpiqem të fitoj gazetari, pasi ashtu edhe e dëmtoj më shumë. Unë Sali Berishën nuk e kam kundërshtar, e kam personazh dhe si i tillë nuk më duhet të fitojë apo humbasë përballë tij, por thjesht ta paraqes siç është. Dhe falë njohjes besoj se këtë e bëj mirë.

3 – Do të shohim ndonjëherë me shtizë edhe “drejt zemrës” së Edi Ramës ?
Nuk i kam objektiv zemrat e politikanëve dhe kam frikë se edhe po ta kem, nuk di ku t’ua gjej. Besoj se kam konsumuar boll kritika dhe sulme ndaj Ramës në periudhën kur ai hyri në politikë dhe sidomos kur me lejet me studim të pjesshëm në Tiranë, krijoi modele të dëmshme sociale të urbanizimit siç është Komuna e Parisit apo Don Bosko. Sekserët e tij akoma ngatërrojnë çelësat e hyrjeve që u kanë marrë ndërtuesve si bakshish, por për fat nuk janë më me Edi Ramën. I keni të gjithë pas Bashës, prehës së rradhës. Tani gjithë sulmet ndaj Ramës, mbështeten tek ato që i kam thënë unë dikur. Në këtë vend as fantazi për të sulmuar nuk ka.

4 – Sa para ke?
Nuk kam asnjë. As në bankë dhe as në shtëpi. Jetoj me atë që siguroj gjatë muajit dhe shpesh mbetem pa lekë fare, por nuk e kam ankth. Ka ndodhur para pak muajsh që për gati një javë nuk kisha asnjë lekë dhe nuk kisha asnjë ide se ku mund të gjeja. Në këtë vend nuk njoh më njerëz që kanë lekë, veç sekserëve të qeverisë. Biznemesnët më të mëdhenj janë më të varfër se unë se kanë shumë borxhe. Unë kam vetëm një kredi 120 mijë euro për të shlyer dhe një biznes që e ka shkatërruar Sali Berisha dhe e mban ende të rrethuar me polici. Por e kam zgjidhur psikologjikisht raportin me lekët, nuk i hyjmë në punë njëri-tjetrit.

5 – Po të kishe 1 milion euro do ishe i gatshëm të investoje kaq para në shtyp ?
Po. Dhe besoj se me kaq përvojë sa kam dhe kaq keq sa kam hequr, do ta bëja shtypin më të lirë dhe më të vërtetë.