TemA, 23 Maj 2013
Gazeta “DITA” e numrit të sotëm hapet në faqen e parë të saj me atë që ajo e cilëson “Skandalet në “Dollapin” e Sahitit”.
DITA sjell në vëmendje të lexuesit nivelin e lartë të nepotizmit që është rritur në kompaninë CEZ qysh pas largimit të çekëve dhe ardhjes në krye të saj të Sahit Dollapit.
Në raport shkruhet se miliard lekë të faturave energjetike po devijohen në funksion të fushatës së Partisë Demokratike.
Tashmë në CEZ gjen nipa e teze që janë shefa të njëri- tjetrit të cilët janë njëkohësisht edhe sekretarë seksioni të PD-së. Po ashtu, i emëruari si shef personeli, Kadri Gjoni, rezulton me diplomë false dhe i dënuar për korrupsion.
Një tjetër gjë që bie në sy është se personi që menaxhon paratë e CEZ-it, Elsid Myftija, është dhëndër i Kryetarit të ERE (Enti Regullator i Energjisë), Sokol Ramadani.
DITA nënvizon: “Krushqia CEZ-ERE: Vjehrri kontrollon dhëndrin (!)”.
Kjo të sjell ndërmend personazhet e filmit shqiptar “Dhe vjen një ditë”, ku dhëndri Llano Bleta i Komisionit të Planit të Shtetit, përpiqet të favorizojë në planizim vjehrrin e tij Baki Branica, drejtor i ndërmarrjes “Butrinti”.
Duket se në ndryshim nga diktatura e regjimit komunist që i godiste edhe me artin e shtatë këto favorizime që vinin nga nepotizmi, “demokracia” e Saliut ka shkuar më tej duke e shtrirë në çdo fushë të jetës së përditshme, me mentalitetin e Partisë-Shtet, ku besnikëve të saj s’i hyn gjemb në këmbë për çfarëdolloj shkelje të ligjit.
A.Ketro