Bastioni drejt shembjes, goditet me “silur”

0
26

Nga Redan Bushati, 18 Maj 2013

Më 31 mars, përpara se LSI-ja të kapërcente në zanafillë, pra në gjirin e së majtës, përmes artikullit “LSI, një parti solomoniane”, trajtova etapat që nga krijimi i saj, periudhën e bashkëqeverisjes me PD-në dhe mundësinë e kapërcimit in loco, gjë që dhe ndodhi. Në këto radhë nuk dua të bëj serafinin e kulluar për t’ju treguar skenën politike shqiptare, përmbajtjen e partive në tërësi dhe luftën e ashpër e të pahijshme që bëhet në këtë katrahurë politikë, por dua të analizoj situatën e këtij subjekti politik (PD) në qarkun e Shkodrës. Dhe jo më kot. Sepse Shkodra ka qenë dhe me siguri maksimale do të vijojë të jetë (edhe sa kohë s’di ta them) bastion i Partisë Demokratike. Mirëpo në zgjedhjet e 2009-ës, e sidomos në ato lokalet e 2011-ës u vu re një rritje e votës për të majtën, veçanërisht për Partinë Socialiste. Po ç’ka ngjarë nga 2009-a tek 2011-a e deri më sot?

Në 2009-ën u zhvilluan zgjedhjet parlamentare dhe PD-ja arriti të marrë 7 deputetë (më vonë, në shtator të 2010-ës, Paulin Sterkaj u rreshtua me opozitën, duke e lënë PD-në me 6 dhe çuar numrin e mandateve të PS-së nga 4 në 5). Pra, nga Shkodra e djathta nuk arriti të merrte 8 deputetë, ashtu siç pretendonte mes strukturave të saj, anipse publikisht thonin se do fitonin 11 me 0 apo 10 me 1. Nga 2009-a kalojmë tek 2011-a, në zgjedhjet lokale, ku mjaft komuna të djathta u fituan nga PS-ja, duke dëshmuar rritje të konsiderueshme votash brenda qarkut. U fitua sidomos komuna më e madhe, ajo e Rrethinave (K.Muja), por triumfues socialistët dolën edhe në Velipojë (P.Ujka), Bërdicë (B.Brahimi), Gur të Zi (M.Lazri), Anë e Malit (Xh.Molla), Gruemirë (L.Nehani) etj.

Vijmë te zgjedhjet aktuale, teksa e majta paraqitet e plotë, e djathta ecën çalthi. Përpos forcave të zakonshme si PSD apo PDS, opozitës së sotme iu bashkua edhe LSI, një faktor kryesor i fitores së zgjedhjeve, qoftë nga PD-ja, ashtu dhe nga PS-ja. Por lideri i opozitës nuk u mjaftua me kaq. Koalicionit të tij i shtoi edhe shumë forca të tjera, duke e çuar në 37 parti, pra 12 subjekte më shumë se PD-ja. Po të shtosh gjithashtu 8 vitet e qeverisjes, ku natyrshëm krijon njëfarë zvetënimi e venitjeje; problemet e mprehta ekonomike përballë një krize globale gjithnjë e në rritje, por jo vetëm kaq, PD-ja e ka të pamundur të fitojë zgjedhjet në rang kombëtar. Në këto kushte, e majta pritet të qeverisë vendin pas 23 qershorit. Por si është situata në Shkodër, aty ku PD-ja ka gjithherë epiqendrën e saj, marshin e fitores?

Bashkimi i PS-së me LSI-në jo vetëm që e ka shtrënguar votën e majtë dhe opozitare në përgjithësi, por ka krijuar një efikasitet që duket qartazi. PS-ja gjithnjë ka pasur probleme brenda radhëve të saj në Shkodër, ku shpeshherë individë që vinin me mendësi “nga zbret lopa me gjithë dhí, me frena dore nëpër malore” kanë mbytur frymën intelektuale të Namik Koplikut, Zef Çunit, Mimoza Hafizit e mjaft të tjerëve, që me fisnikërinë e tyre, qytetarinë dhe largpamësinë e të parit të gjërave, aq sa i kanë shërbyer së majtës, po aq, në mos më tepër, i kanë shërbyer shoqërisë sonë në tanësinë e saj.

Sado përpiqej lidershipi në qendër për t’i mbledhur, dukej se PS-ja nuk po zinte mend në Shkodër. Puna ishte bërë ashure. Mirëpo këtë periudhë, sidomos pas afrimit të LSI-së, duket sikur klima është përmirësuar ndjeshëm. Ndjesia e fitores, ideja se në pushtet po vjen partia e tyre, shumë syresh i ka bërë të lënë mëritë dhe pakënaqësitë e ndryshme, me bindjen e përfitimit të gjëkafshe, duke vendosur të mblidhen tok në “çetë”.

Dhe kjo në natyrën primitive dhe militanteske nuk është keq. Nga ana tjetër, forca e dytë më e madhe brenda së majtës, LSI, duket se Shkodrën e ka përgatitur prej katër vjetësh, a në mos më tepër si objekt të shtrirjes së saj. Ajo ka ditur të asfaltojë rrugën e triumfit në Shkodër, sigurisht brenda mundësive reale që posedon. Në krye të herës ka investuar përmes krijimit të një strukture politike dhe rinore, e cila ka ndërtuar një bazë militantësh. Ka afruar biznesmenë të fuqishëm, të cilët prej vitesh ndodhen pranë saj. Ka ngritur në nivelin e duhur Tv1 Channel, duke neutralizuar fuqinë e mediave të tjera lokale dhe duke e bërë median e parë televizive në Shkodër.

Rritja e saj, sidomos infrastrukturore ka nisur në mënyrë graduale, duke qenë sot e pakonkurrueshme me Tv Rozafën e Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane, si dhe Tv Antena Nord-in e Partisë Socialiste. Dhe sulmi i fundit mbi “Rozafë” qëlloi të ishte fatal, aq sa dita-ditës krijohet bindja se “kalaja ka rënë”. Batareja mbi “Rozafë” goditi mu në pikën më të ndjeshme të saj: ekipin e futbollit Vllaznia. Me këtë fitore, ndofta të dhuruar edhe nga celula të Partisë Demokratike në Shkodër, LSI ka përvetuar sharmin e ngadhënjimtares. Edhe sikur të mos arrijë të fitojë një mandat në këtë qark, votat që do t’i kalojë PS-së janë aq të shumta, sa 4 deputetë opozita nuk i diskuton më.

Kësisoj, pa dashur të bëj fallxhorin, përkundrazi, duke i qëndruar besnik një analize të pavarur dhe të ndërtuar kohë pas kohe si arsyetim logjik, e majta në qarkun e Shkodrës më 23 qershor mund të marrë pesë mandate, duke e lënë PD-në me gjashtë. Dhe këtë goditje më së shumti ia ka dhënë LSI-ja. Si për koincidencë dhe ironi të fatit, ajo LSI që drejtohet nga Ilir Meta, i cili sulmoi brutalisht kryetaren e Kuvendit, nëse kujtoheni, në pragun e ndryshimeve kushtetuese. Dhe nëse në Shkodër e majta arrin të gllabërojë 5 deputetë, kjo do të thotë se bastioni po lëkundet, e Shqipëria pas 23 qershorit do të ketë një mazhorancë të majtë solide, ndërsa PD-ja duhet të nxjerrë mësimet e duhura nga kjo disfatë.

Vota mercenare, sado e ëmbël për karrigen e pushtetit, nuk të ndih dot të kalosh lumin. Jeta partiake do përpjekje, do investim, do intelekt dhe burra e gra të ndershëm. Shtëpia (kupto: qeveria dhe shteti) nuk mbahen me miell hua gjatë gjithë kohës. Borxhliu duhet të shlyejë borxhin e marrë. Fatkeqësisht për mazhorancën aktuale, kjo është aksioma e jetës.

Në mbyllje, për të forcuar akoma më tepër argumentet e lartpërmendura, kujtoj që spektri i djathtë është i ndarë, dhe si i tillë votat që do të marrë FRD në Shkodër janë thuajse totalisht të djathta. Kandidati i saj Fatlum Nurja do të pijë ujë në “kazanin blu”, që edhe duke mos e shterur, mjaft për të shtuar etjen në radhët e PD-së, e cila përpos luftës me të majtën e bashkuar, tanimë i duhet të luftojë edhe me një parti të djathtë, e krijuar si rezultat i mungesës së demokracisë, në atë që po e quajmë, e djathta e vjetër apo tradicionale. Si rrjedhojë, me disa vota të “vjela” nga FRD dhe me një të majtë të mbledhur së toku, PD-ja dhe aleatët e saj kanë një luftë tejet të fortë në qarkun e Shkodrës.

Dhe në fund fare, s’duhet harruar se kandidati i pestë i PS-së është një biznesmen i fuqishëm, Sait Fishta, që ka njohje të konsiderueshme me pjesën qytetare, veçan pjesën myslimane, teksa ka investuar edhe për ngritjen e xhamisë në qendër të qytetit, asaj të Parrucës, më 23 mars 2007. Përveç kësaj, përflitet se ai ka një “marrëveshje” me kryesuesin e listës së LSI, biznesmenin Çela, për të mbrojtur me fanatizëm tjetërsimin që mund t’i bëhet votës së majtë; gjë që ka ndodhur rëndom jo vetëm në kryeqendrën e Veriut, por në mbarë Shqipërinë. Kështu, PD-ja kësaj here me gjasë do të marrë një goditje letargjike, ku pavarësisht se po punohet për ndonjë mandat shtesë në Tiranë, Durrës, Fier apo Elbasan, ajo mund të humbasë ndonjë tjetër në qarqet-bastion të saj.