Bashkurti: Janullatos, politikë të dyzuar. Grekët, një popull fashist

0
41

TemA Online, 3 Janar 2013

“Bazat e fashizmit në Greqi kanë filluar shumë herët”. Kështu është shprehur për Ora News sekretari i “Aleancës Kuqezi”, Lisien Bashkurti, duke theksuar se tradita fashiste është një traditë që nuk është shuar asnjëherë në Greqi.

Bashkurti tha se “Aleanca Kuqezi e ka shprehur gjithmonë mendimin e saj në lidhje me Kishën Autoqefale”. “Ne, u shpreh ai “kemi promovuar dhe do të promovojmë etërit e Kishës Autoqefale Shqiptare, si Fan Noli, Petro Nini Luarasi etj”.

Sekretari i “Aleancës Kuqezi”, theksoi se “Kryepeshkopi Janullatos ka bërë një politikë të dyzuar, pasi të bësh psalme fetare në Shqipëri dhe politikë në Greqi nuk është gjë tjetër veçse dyzim”.

Pyetjes nëse Aleanca Kuqezi ka kërkuar ndjekjen me dhunë të Kryepeshkopit Janullatos nga Shqipëria, sekretari i AK iu përgjigj: “Alenca Kuqezi nuk e ka kërcënuar dhe nuk e ka kërkuar kurrë të përzihet me dhunë nga Shqipëria, Janullatosi”.

Ndërsa në lidhje me deklaratat e fundit të partisë neonaziste greke “Agimi i Artë”, Bashkurti u shpreh se: “Përpara deklaratave të Agimit të Artë, kemi dëgjuar dhe këngë që me zorrët e ushtarëve shqiptarë do të bënin lidhëse këpucësh dhe shumë deklarate të tjera raciste, por unë do të thosha se ajo që e dallon Agimin e Artë me deklaratat e tjera është se Agimi i Artë i shpalos haptas pikëpamjet e saj raciste”.

“Për shqiptarët çështja çame është një e drejtë legjitime, është një kauzë e rëndësishme e popullit shqiptar. Çështja çame do të jetë një nga kauzat kryesore në Parlamentin e ardhshëm të Shqipërisë”.

“Aleanca Kuqezi është mirëfilli i forcës patriotike shqiptare, ne nuk kemi asgjë të përbashkët me Agimin e Artë dhe këtë e pranojnë dhe ata vetë”.

Pyetjes nëse ka brenda saj, element elektoral patriotizmi sekretari i Aleancës Kuqezi, Bashkurti iu përgjigj: “Patriotizmi është një ndjenjë e thellë, Aleanca Kuqezi kërkon konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe në Kosovë, kërkon respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Parimi i AK është se bashkimi i Shqipërisë nuk bëhet vetëm, por me mbështetje. Ne jemi në një vit elektoral, por AK ka një vit e gjysëm që ngre frymën e patriotizmit shqiptar. Shqiptarët kanë të drejtë të jenë krenar për patriotizmin e tyre dhe këtë vit, me 100 vjetorin e Pavarësisë, ata e treguan këtë më mirë se kurrë”.

Në lidhje me zgjedhjet e qershorit 2013 Lisien Bashkurti tha: “Sondazhet tregojnë se Aleanca Kuqezi është një nga tre forcat kryesore politike në zgjedhjet e ardhshme. AK i qëndron tezës se është demokracia ajo që do të bëjë kombin. Patriotizmi në njërën anë dhe demokracia në anën tjetër janë dy shtyllat në të cilën AK ka ngritur programin e saj”.

“Aleanca Kuqezi ka një klimë shumë mbështetëse. Projekti politik i AK nuk mund të realizohet i vetëm dhe pa një bashkëpunim politik. Ne kemi nevojë për një kompromis kombëtar”.

Intervistën e tij Bashkurti e mbylli me një mesazh drejtuar partisë neonaziste greke: “Të kryeni detyrat tuaja se jeni një shtet që ka falimentuar ekonomikisht dhe një popull që ka falimentuar moralisht dhe psikologjikisht”.