Bashkimi kombëtar, e ka një armik

0
41

Arben Çokaj, 27.12.2011

Klasa politike e pandërgjegjshme dhe kryeministri i paekuilibruar

Para disa ditësh, aty nga mesi i dhjetorit, kryeministri Berisha u takua me një grup studentësh nga Kosova. Se pse i duhej ky grup studentësh, që ai të artikulonte me turp kundërshtinë e tij për idenë e bashkimit kombëtar, kjo nuk është fort e kuptueshme. Por Berisha bën herë pas here, sjellje politike të paekuilibruara dhe me nonsens, që pas ngjarjes së Gërdecit, kur edhe u ç’virgjërua politika e tij. Nën simptomat e “fuga ideum”, ai ka kohë që kërcen nga një degë në tjetrën, në çoroditjen e tij, gjoja sikur po luan politikë të madhe, dhe me postin që ka zaptuar, një pjesë e mirë e shqiptarëve janë të detyruar ta dëgjojnë, jo se janë edhe aq dakord me të.

Dalja kundër idesë së bashkimit kombëtar, e përmendur kjo edhe nga politikanë të tjerë shqiptarë në Kosovë e Shqipëri, nuk është se i kënaq shumë shqiptarët patriotë, ata që kanë punuar e punojnë shqiptarisht. Aleanca Kuq e Zi, një organizim në Shqipëri ky, që imiton në disa plane Vetëvendosjen në Kosovë, doli kundër lajthitjes së radhës të kryeministrit shqiptar. Dhe nuk është vetëm. Në historinë tonë shekullore të ekzistencës së shtetit shqiptar dhe më përpara, një armatë e konsiderueshme shqiptarësh patriotë kanë sakrifikuar shumë për idetë e krijimit të shtetit shqiptar dhe mbajtjen të bashkuar të kombit tonë. Shumica e tyre, dje dhe sot, ndeshen me egërsinë e veprimeve anti-kombëtare, derisa e kanë paguar dhe e paguajnë (ndoshta) me jetën e tyre.

Sepse në Shqipëri, e fatkeqësisht tani edhe në Kosovë dhe më gjerë, është vështirë të gjesh një politikan shqiptar, që merret me politikë, e që nuk ka si synim vjedhjen e pasurisë së përbashkët, ose më saktë përfitimin nga pasuria e përbashkët, përmes angazhimit të tij politik e publik. Klasa politike shqiptare është relativisht dhe tradicionalisht e pandërgjegjshme sa duhet, për fatet e zhvillimit të vendit dhe krijimit të një shteti moderm pro-perëndimor të Shqipërisë – shtetit të gjithë shqiptarëve.

Orientalizmi në shoqërinë shqiptare

Në psiqikën shqiptare, në kulturën, bindjet dhe besimin tonë, ka një ndikim të fuqishëm, shkrehja që vjen prej orientalizmit. Shpeshherë, shqiptarët më ngjajnë si një bar i shkelur nga guri i rëndë, i cili kishte mbuluar trupin tonë, për 523 vjet të pushtimit turko/osman. Në atë kohë, porta e lartë, nuk i lejoi shqiptarët as gjuhën e vet ta mësonin e kultivonin, dhe duhet të jenë krenari kombëtare edhe arritjet që kemi deri sot. Por, a mjafton kaq se? Se regresi po na tërheq teposhtë, dhe krahasuar edhe me Malin e Zi (jo më larg), forma e organizimit të shtetit, lë shumë për të dëshiruar.

Shpresuam më 2005-n, se Berisha po bën vërtetë atë që edhe premtoi me zë të ngjirur… një shtet të së drejtës, luftë me tolerancë zero kundër korrupsionit, nepotizmit dhe tarafllëkut në shoqërinë shqiptare. Por si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë dhe më gjerë, forma jonë e organizimit si shtet shoqërohet fatalisht me një shkrehje të pafalshme apriori dhe kulturën e mos-kontrollit dhe mos-ndëshkimit, që tregon më së miri, tiparet orientale të shoqërisë sonë, nën konceptin se të gjitha njohuritë janë të përmbledhura në Kur’an. Nuk ka asgjë më lart se kaq, përveç zotit! Kjo në formën, se të gjitha i di Berisha, Thaçi, etj. Dhe populli shqiptar, i pandërgjegjësuar sa duhet, pret në heshtje e sorollatje, se çfarë do bëjnë për të, politikanët tanë hajna e anakronikë.

Integrimet euro-atlantike dhe ruajtja e relacioneve me fqinjët

Duke parë organizimin tonë shoqëror, aleatët tanë euro-perëndimorë, të kryesuar nga SHBA, ndonëse kanë treguar një vullnet të mirë për të na ndihmuar, ata prapë se prapë nuk mund të na bëjnë ne, nëse ne nuk ndërgjegjësohemi deri në atë shkallë, sa të fillojmë e të bëjmë vetveten. Pavarësisht dëshirës së një pjese të shqiptarëve për të ecur me hapin e zhvillimit të shteteve të avancuara ekonomikisht e politikisht, pjesa tjetër dhe sidomos klasa politike e papërgatitur, nuk mund ta kapë trenin apo/dhe trendin e kohës.

George Bush erdhi në Shqipëri dhe në bisedë me kryeministrin shqiptar premtoi pavarësi për Kosovën por njëkohësisht na konsideroi si vend mysliman/islamik. Pse duhej kjo e fundit dhe sa na intereson kjo? Po kështu edhe në Ksenet-in izraelit, kryeministri shqiptar u cilësua para disa javësh si kryeministri i një shteti mysliman, që simpatizon/apo ka lidhje miqësore me vendet e Perëndimit. Por jo, kryeministri i një vendi të barabartë me vendet e Perëndimit…

Pra, ne na duhet që në tendencën tonë të integrimeve euro-atlantike të ngremë nivelin tonë ekonomiko-shoqëror, konceptet dhe vetëdijen tonë, por edhe të përfaqësimit politik, në atë nivel, sa të konsiderohemi si partnerë të barabartë me vendet e tjera, ku duam të integrohemi, jo lypsarët e tyre, që jargaviten për një kafshatë, me një kryeministër të ç’ekuilibruar, që shet pordhë, se kemi ekonominë më konkrruese në rajon dhe më gjerë, kur vendi është i mbytur në borxhe dhe kur ekonomia shqiptare nuk ka as edhe një produkt të saj konkurrues në treg.

Ideja e viktimizimit të shqiptarëve përmes fesë islame, nuk është e re. Paaftësia e shoqërisë shqiptare për të dhënë një perceptim tek Perëndimorët për koncepte të tjera moderne, pasi truri shqiptar mpihet pesë herë në çdo ditë nga zëri i amplifikuar i myzeinit islam, ka bërë që partnerët tanë në Perëndim, të thonë se shqiptarët nuk munden ndryshe. Mirë janë, myslimanë të rrinë – por jo të dëmshëm, pasi kështu nuk të merr kush të barabartë me veten. Por ne, pak punojmë që ta bëjmë këtë gjë realitet, përmes ndryshimit të vetvetes dhe përshtatjes apo plotësimit të kushteve që na kërkohen. Me Perëndimorët duhet të sillesh si i barabartë, në mes të barabartëve. Por a jemi ne në gjendje, me klasën politike që kemi, me këtë soj përfaqësuesish, dhe vetëdijen e këtij populli (se çdo popull, ka qeverisjen që meriton), që të përfaqësohemi si të barabartë me të tjerët?!

Dhe regresi nxjerr krye, kur e kthen kokën pas. Veprime sinjifikative që flasin vetë. “Argita dhe Shkëlzen Berisha po agjërojnë ramazanin…” A përbën kjo lajm? Edhe bën, kur sheh kryeministrin shqiptar, teksa orvatet të sqarojë besimin e fëmijëve të tij, apo teksa pranon etiketimin e një shteti laik, munlti-fetar, si shtet mysliman apo islamik. Dhe kjo nuk është rastësi, dardha e ka bishtin nga pas. Nëse çamët u sakrifikuan dikur, kjo erdhi më shumë, ngaqë i përkisnin besimit islam.

Por duket në njëfarë mënyre se edhe Shqipëria po sakrifikohet kështu. 500 vjet na la turku pas të tjerëve, 50 vjet komunizmi, tani e tutje mund të vetë-sakrifikohemi nga myslimanizmi, nëse nuk do dimë si komb ta shmangim këtë grackë konjukturale të kohës. Për këtë duhet një klasë politike që nuk e identifikon Shqipërinë përmes fesë, por përmes zhvillimit. Të mos e nënvleftësojmë: Të qenit mysliman, ka edhe rrezikun me vete. Bota perëndimore ruan mbushje bërthamore të drejtuara kundrejt vendeve arabe, në rast të një kërcënimi të mundshëm islamik. Nuk kemi pse vazhdojmë të lejojmë të na konsiderojnë si koloni turke. Nuk është aspak e zgjuar të mbajmë mbi trupin tonë dhe të identifikohemi me një rrobë të vjetëruar, të imponuar dikur nga pushtuesi turko/osman.