ResPublica.al, 28 nëntor 2012
A ka një rrugë të shkurtër, e cila përnjëherë do të na i zgjidhte problemet? Një bashkim i shpejtë, për shembull, i cili përnjëherë do ta bënte Shqipërinë me Kosovën e integruar në të efikase, demokratike, funksionale? Do ta bënte si në këngën e “xhamadanit vija-vija”, të madhe? Pra, rrjedhimisht, të mirë, për dallim prej kësaj që është sot?
Druaj se dhiare të këtilla nuk ka, në skenë sot nuk është asnjë Shqipëri që ka kapacitet ekonomik e administrativ që ta absorbojë Kosovën (apo pjesën më të madhe të saj) e as Kosova një kapacitet korrespondues. Madje edhe duke e harruar për një moment Maqedoninë shqiptare – shkruan VEton Surroi ndër të tjera në një analizë me titull “100 vjet pamjaftueshmëri”.
E më tej, shpjegon problemin dominues të shoqërive të sotme shqiptare sipas tij. Shkruan Surroi:
“Për më tepër, të kërkuarit e tyre shërbejnë për të zhvendosur vëmendjen prej problemeve dominuese reale dhe zgjidhjes së tyre. E problemi dominues i shoqërive shqiptare sot është i një natyre të dyfishtë. Fillimisht, ka të bëjë me zaptimin e shtetit nga forca politike-ekonomike pa legjitimitet demokratik.
Pastaj ka të bëjë me mungesën e legjitimitetit dhe kapacitetit të këtyre forcave për të hapur komunikimin e lirë mes shqiptarëve. Elitat politike të sotme në Shqipëri dhe Kosovë, si ikje nga temat e debatit, kanë gjetur parullën “Do të bashkohemi në Bashkimin Evropian”, por me veprimet e tyre antievropiane do ta kenë vështirë t’i çojnë në BE vendet e tyre brenda dhjetëvjetëshit të ardhshëm.
Në vend të ftesës për në BE, ndoshta mund ta marrin ftesën për kremtimin e ardhshëm të 100-vjetorit, atij të Turqisë së Ataturkut, e cila më 2023 mund të jetë në gjendje të krenohet jo vetëm me statusin e një prej 20 ekonomive më të mëdha botërore, por edhe me institucione demokratike që e përkrahin atë. Me ironinë e historisë, mund të ndodhë që të jenë më afër Evropës, në funksionimin e brendshëm shtetëror, ata prej të cilëve u shkëputëm për ta bërë ne Shqipërinë evropiane”. – A.N.