Bashkësia Islame e Fuadit!

0
101

Nga Kimete Berisha, 21 Gusht 2013

Fuad Ramiqi e mori në dorë Bashkësinë Islame të Kosovës.

BIK, me shumicë votash, urgjent, në një mbledhje të jashtëzakonshme, shpejt e shpejt, e largoi Xhabir Hamitin nga kryetari i Kuvendit në BIK.

Xhabiri sot e disa vjet do ta ruante atë vend të punës, nëse s’do të shprehte ambicie për t’ia zënë vendin kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërrnavës.

Sepse, Xhabiri shprehu ambicie që të bëhet i pari.

Një ditë më përpara e lexova letrën e partisë politike LISBA (të Fuad Ramiqit), ku e quan Xhabir Hamitin me përbuzje të madhe “përkthyes” (thuajse është profesion i turpshëm profesioni i përkthyesit), pastaj i thotë agjent, armik i islamit dhe e profilizon Xhabirin zi e më zi.

Dëshirën e Fuadit brenda 24 orëve e realizoi BIK-u.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, tha se “një dreq i madh” ka hyrë në BIK. KMDLNJ- po ashtu tha se BIK ka filluar të bëjë diferencime.

Nërsa unë po them se ekstremistët e morën BIK-un në duart e tyre. Dhe, tash në BIK këndohet tjetër këngë.

Partia politike Lëvizja Islame për Bashkim (LISBA) ndërhyri egërsisht në fe, ndërsa BIK-u u soll si diktatorship.

Nuk e di cila parti politike e Kosovës pranon të bashkëpunoj me Lëvizjen Islame për Bashkim (LISBA), kryetari i së cilës flet kryekëput si diktator i etshëm për “gjak”.

Fuad Ramiqi, ish oficer i Armatës Jugosllave, kërcënoi si n’atë vakt zaman! Tha: “Unë dhe LISBA s’do të lejojmë që Xhabiri të zgjedhet i pari në BIK-dhe pikë”.

Fuad Ramiqi nuk lejoi, prandaj Xhabiri nuk e pati fatin as të konkurrojë për ta udhëhequr BIK-un.

P.S. Fuad nga arabishtja do të thotë Zemër.