Bashkëpërgjegjësia e ndërkombëtarëve

0
14

Rudina Seseri

Rudina Seseri, 17.05.2010

Ndërsa kriza e rëndë politike e Shqipërisë është pranuar ndërkombëtarisht, zgjidhja e saj është lënë qartazi për një kohë të gjatë në dorë të faktorëve të brendshëm politikë. Ky qëndrim, në dukje, është i përligjur. Shqipëria ka përparuar në proceset integruese dhe kjo nënkupton një shkallë të mjaftueshme pjekurie demokratike për t’i zgjidhur vetë problemet e brendshme të vendit. Në dukje ngjan kështu, sepse për ata që e njohin mirë realitetin shqiptar, kjo gjë po tingëllon gjithnjë e më shumë si jo realiste.

Krizën duhet ta zgjidhin ata që janë përgjegjësit dhe shkaktarët e saj. Kjo është një temë e debatuar gjerësisht këto kohë brenda dhe jashtë vendit. Po ndërkombëtarët, a kanë ndopak përgjegjësi për krizën? Me duket se është koha të vlerësojmë me kurajë edhe këtë pyetje.

Që në krye e theksoj se jo vetëm nuk e pranoj, por edhe e kundërshtoj me forcë mendimin se ndërkombëtaret nuk janë të interesuar për Shqipërinë, mjaft që në këtë kënd të Ballkanit të ketë paqe e qetësi. Shqipëria ka gëzuar kurdoherë ndihmë politike dhe ekonomike prej partnerëve të saj ndërkombëtarë, por ka gjithmonë e më shumë argumente që tregojnë se kriza që po kalojmë nuk është ekskluzivisht pasojë e gabimeve të klasës politike shqiptare.

Sigurisht, këtu nuk është fjala për bashkëpërgjegjësi si pasojë e qëndrimeve individuale të personazheve të ndryshëm politikë të partnerëve tanë. Nuk është fjala, për shembull, për veprimet e pamenduara të zonjës Doris Pack, që tashmë e sheh veten si tutore të Shqipërisë. As deklaratat e saj se përgjegjësia për mos heqjen e vizave bie mbi opozitën dhe mbi Edi Ramën nuk na çudisin, pasi nuk ka më dyshim se zonja Pack nuk e ka profilin e mjaftueshëm kulturor e politik për të kuptuar pozitën në të cilën e vë veten para shqiptareve. Thëniet e zonjës Pack janë kopje e deklaratës së zotit Berisha dhe para se të pretendoj për pavarësinë e mendimeve të saj, zonjës Pack do t’i duhet të japë argumente për të kundërshtuar akuzën publike të 14 majit, që ajo është përfituese e programeve te sponsorizimit nga zoti Berisha për të lobuar për partinë e tij.

Nuk është fjala as për vizitën qesharake të zotit Fini, të cilit nuk i bëri asnjë përshtypje kalimi më këmbë përbri çadrave ku ishin të ngujuar kolegët deputetë shqiptarë. Përkundrazi, e përshkoi rrugën duke qeshur, madje më shumë se zakonisht, duke i bërë fresk shoqëruesit të tij, pa menduar peshën e këtij veprimi dhe mesazhin mjaft negativ që i transmetoi publikut. Njëlloj si një paraardhëse e tij në Parlamentin Italian që vite më parë bëri thirrje që refugjatët shqiptarë të hidheshin në det, duke paraprirë (jo inkurajuar) tragjedinë e Otrantos.

Nuk është fjala as për protokollin pa vlerë të zotit Berluskoni me zotin Berisha, i cili, për të dëshmuar partneritetin partiak dhe miqësinë personale kur ky ishte në një situatë të vështirë, shpall se do të ndihmojë Shqipërinë të ngrejë një central bërthamor, vetëm pak javë para marrëveshjes që Berluskoni bëri me Kryeministrin rus që Rusia të ndihmojë Italinë për të ngritur një central të tillë në Itali, duke provuar se Italia s’ka kapacitete të tilla.

Fjala është për qëndrime të papeshuara mirë të disa përfaqësuesve ndërkombëtarë, që për arsye që nuk janë objekt i këtij shkrimi, nuk vlerësojnë si duhet pasojat e nesërme të asaj që (nuk) thonë ose (nuk) shkruajnë sot.
Monitorimi i zhvillimeve demokratike dhe sidomos i zgjedhjeve ka qenë gjithnjë pjesë e mandatit të ndërkombëtareve. Në raportin e tyre për zgjedhjet e 28 qershorit ata shkruan se zgjedhjet ishin më të mira se të mëparshmet dhe se një e treta e kutive të votimit kishin parregullsi.

Fjalia e parë është një vlerësim që nuk i nderon aspak raportshkruesit, sepse edhe në shkollat më të prapambetura lindore, jo më në ato perëndimoret, mësohet se krahasimi bëhet me kritere e standarde e jo me fjalë boshe. Ata duhet të shkruanin qartë a ishin apo jo zgjedhjet në Shqipëri të lira e të ndershme dhe a përputheshin, po apo jo, me standardet ndërkombëtare. Fjalia e dytë është edhe më shqetësuese. Si mund të quhen zgjedhjet demokratike, kur ka kaq shumë kuti të parregullta? Tymi i këtij raporti joprofesional doli më pas. Shqipëria u zhyt në një krizë të rëndë politike, ndërkohë që autorët e raportit heshtin dhe nuk ndjehen aspak bashkëpërgjegjës.

Gjithkush mund të thotë me të drejtë që ne duhet të shohim veten para se të flasim për të tjerët. Plotësisht dakord. Por ne dhe ndërkombëtaret flasim për partneritet dhe si të tillë duhet të flasim hapur me njëri-tjetrin. Përfaqësuesit dhe ekspertet e partnereve tanë ndërkombëtarë shpenzojnë para (të taksapaguesve të tyre ose të kredive tona) dhe nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj moseficiences së punës së tyre. Vetëm pak ditë para zgjedhjeve të kaluara, Banka Botërore dhe UNDP shpallen se bashku me INSTAT rezultatet e bujshme “paraprake” të anketës për nivelin e jetesës, sipas të cilës, varfëria në Shqipëri ishte përgjysmuar falë politikave qeveritare.

Nuk kemi dëgjuar që këto institucione të kenë përfunduar studimin e plotë që të argumentojnë konkluzionet e nxituara, të publikuara për të sponsorizuar Qeverinë në fushatë elektorale.
Si partnerë, e kemi thënë hapur që vizita e nënpresidentit të Bankës Botërore në Shqipëri duhet t’i nënshtrohet një investigimi administrativ nga ky institucion. I mirëseardhur, ai nuk u shqetësua aspak për gjendjen e rëndë të projekteve të Bankës në Shqipëri dhe as i përmendi ato, por erdhi vetëm për të kërkuar të falur se banka e ka shqetësuar familjen kryeministrore për afere korruptive në njërin prej projekteve të saj.

Si dhe pse erdhën këta zotërinj të nderuar në Shqipëri? Është legjitime pyetja e shqiptareve, nëse këto vizita janë të rastit apo kanë lidhje me qindra-mijëra dollarët e miratuara nga Qeveria për të lobuar në dobi të saj. Ka ardhur koha që ndërkombëtarët të thonë hapur që deklaratat e zotit Berisha se Shqipëria kishte zgjedhje të lira e demokratike, se Shqipëria është i vetmi vend në botë i paprekur nga kriza ekonomike, sepse e parashikoi dhe e parandaloi atë, se Shqipëria për tre vite do ketë infrastrukturën rrugore më të mirë në Evropë dhe do të jetë një superfuqi energjitike bërthamore etj., janë përralla të tij, por jo të partnereve ndërkombëtarë të Shqipërisë.