Bashkëjetesa e Dautit me Ledi Gaga-n

0
45

Nga Kiço Blushi, 20.11.2010

Në daljen e tij të fundit televizive, kryeministri ynë, si rrallëherë, bëri një kapërcim pindarik: Doli më në fund nga malet e fëmijërisë së katundit të tij, ku ka pas jetue njëfarë Dauti, një fakirfukara që e kishte pas bërë zakon të kërcënonte sistematikisht nënën e vet (se do të vidhte gjitonët, nëse ajo nuk ia plotësonte kërkesat), për të demaskuar fytyrën e vërtetë të opozitës së sotme, që ndjek sipas tij, shembullin e Dautit. Por pas këtij rrëfimi të sinqertë, Berisha u hodh si padashur te admirimi i tij për Lejdi Gagën, Rihanën, e veçanërisht për Selin Dionin…

Më pas kaloi te bota e internetit, te përdorimi i Blackberry-t, si dhe te pasioni i tij i pashuar, që qenka i treti në numër, pas politikës dhe letërsisë, te arkitektura moderne. Kjo biogramë, po ta vështrosh gjakftohësisht, pa dyshim është një kapërcim i papërfytyrueshëm i hapësirave gjeografike e kulturore, vetëkuptohet edhe mes dy qytetërimesh të thikta që ndahen nga mijëra kilometra distancë, natyrisht jo vetëm hapësinorë, por më së pari zhvillimorë: Ku Dauti dhe ku Rihana kulturalisht, ku interneti dhe ku injoranca që vjen prej izolimit?!

E pra simbioza, një Daut i kryqëzuar me Lejdi Gagën duhet të jetë një mision i pamundur për t’u realizuar edhe në epruveta si një eksperiment çudibërës: Ky farë Dauti anonim nga malësitë e thella mesa duket, sipas kryeministrit mund të mishërohet, si në fenë budiste, në një trup të vetëm me Lejdi Gagën. Kjo përnjëmend ngjan e pabesueshme. Por duhet pranuar gjithsesi, dëshmia që bëri Berisha në të vërtetë shpjegon suksesin e jetës së tij, hapat e paimagjinueshëm e të pakrahasueshëm, që ai ka bërë këto 20 vjet në politikë dhe në shoqëri, duke dalë te kufijtë e së pamundurës, të paarritshmes, të paimagjinueshmes.

Parë me këtë sy, jo pa qëllim kryeministri pohoi se, nisur nga anonimati ai ka sosur te historia e përjetësia: nga thellësitë e një province e të një fukarallëku ekstrem, ku edhe nëna kërcënohej në sy të katundit nga i biri Daut me poshtërim publik, te kultura e demokracisë dhe e majave artistike hollivudiane; nga mjetet e konfliktit, te kultura moderne e bashkëkohore e mirëkuptimit; nga mjerimi që e detyron një qenie njerëzore të përdorë dhunën, marrëzinë e pse jo, edhe barbarinë si armë, te një fuqia e pakufizuar dhe e pakontrollueshme e shtetarit autoritar që di t’i japë drejtim demokracisë së një shoqërie me probleme të trashëguara, si kjo e jona…

Në Shqipërinë e sotme qenka e mundur që Dauti të bashkëjetojë politikisht e kulturalisht me Lejdi Gagën! Këtë çudi duhet ta besojmë ne qytetarët e sotëm. Prandaj, nakatosja e imazhit të një tribali që quhet Daut, imazh që me sa duket e ndjek pas kryeministrin tonë me emrin e këngëtares Lejdi Gaga, si dy ekstreme, si dy botë të ndryshme, si dy skaje të kulturave dhe të botëkuptimeve, në vështrim të parë duket sikur nuk mund të pajtohen, nuk mund të bashkëjetojnë, por në rastin tonë janë njëjtësuar mrekullisht te një njeri, te një tru, te një qenie, konkretisht te Sali Berisha.
Ky me sa duket qenka fati ynë. Këtu duhet të rrahin studimet, këtu duhet kërkuar çelësi i sukseseve dhe arritjeve tona të papara, por edhe i sherreve dhe i konflikteve tona të pasosura “për mustaqet e Çelos”: sa dhe si mund të bashkëjetojë Lejdi Gaga me Dautin?

* * *

Gjithsesi kjo dukuri nuk duhet gjykuar thjesht dhe vetëm si ilustrim i faktit se ish-gjitoni, ish-bashkëkatundari e ish- bashkëmoshatari i një farë Dauti të pagdhendur, për një kohë të shkurtër, mundi të dalë nga kjo mendësi bajraktarërore e të bëhej demokrati më i shquar i Ballkanit në Tiranë, ai që do të përmbyste diktaturën më të egër të Lindjes, do të bëhej President Republike, kryeministër, shtetari më i pazëvendësueshëm në të gjithë Lindjen…

Prandaj besoj, kjo dukuri, edhe pse nuk merr një përgjigje të saktë e shteruese prej pyetjes retorike: si është e mundur të ndodhë një kapërcim i tillë?, – meriton të hulumtohet si një eksperiment shkencor nga shkencat e psikologjisë e të politologjisë, por edhe nga sociologjia, nga gjenetika e më gjerë. Sepse Dauti nuk është, gjithnjë sipas Berishës, një dukuri e izoluar e kohëve të vjetra. Dauti jetoka e drejtoka sot opozitën! Mjerisht, tek ne nuk ka shkencëtarë të spikatur as në Akademinë tonë të Shkencave, as në fakultetet e mbi 80 e ca universiteteve private të hapura anekënd Shqipërisë, që të studiojnë këtë dukuri: si mund të bashkëjetojë një Daut me Lejdi Gagën, në politikë e sidomos në opozitë?

Fakti që personazhin e katundit të vet, Dautin, kryeministri Berisha ia adresoi si dukuri opozitës së sotme, pa dyshim që meriton një vëmendje të posaçme, pasi ky Daut, dje kërcënonjës i nënës së vet, sot këtë e bën në mes të Tiranës, duke mbërthyer për gryke opozitën, duke bllokuar reformat dhe zhvillimin normal të vendit, duke na lënë më të fundit në rajon, pa statusin e vendit kandidat për në BE…Fajin pra, e ka Dauti i opozitës që ne nuk na ecin punët mbroth! Nëse kjo është e vërtetë, ia vlen të kryhet një analizë e posaçme dhe e hollësishme. Por, si i bëhet hallit me pyetjet e vështira e të mëposhtme që nuk kanë marrë as përgjigje, as zgjidhje?

1. Kush ka pas qenë Dauti që sajoi piramidat financiare dhe që, pas shembjes së tyre, doli në publik për të kërcënuar “fshatin e vet”(në vitet e mbrapshta ‘96-97): le të bëhet qameti, unë nuk e lëshoj pushtetin edhe sikur të ha turpin me bukë para Evropës, madje edhe sikur gjaku të vejë deri në gju?!

2. Sa herë ky Daut i politikës ka pas qenë në pozitë të vështirë, a nuk na ka kërcënuar përherë, jo vetëm ne si qytetarë, por edhe ndërkombëtarët, me lajtmotivin e kahershëm: nëse nuk vij unë në pushtet, nëse më rrezikoni pushtetin, pra, nëse nuk do të më jepni atë që kërkoj unë, kreu i katundit të partisë do të jem i gatshëm të zhys vendin tim në luftë civile, në tragjedi, në vëllavrasje, aq sa edhe ndërkombëtarët të detyrohen të tërhiqen e të bien dakord me mua?! E pra, a nuk i kërcënoi Dauti i Tiranës në vitin 1997 jo vetëm “katundin” e vet, por edhe ndërkombëtarët kësisoj?

3. Në këto kushte, a është e nevojshme të zhvillohet ky debat: kush është ky Daut rrezikzi që ka zbritur nga Bjeshkët e Nemuna të historisë e të politikës në Tiranë, duke marrë pushtetin e duke kërcënuar orë e çast “nënën e vet”, katundin e vet, popullin e vet, se nëse nuk i plotësohen kërkesat, pra nëse nuk na drejton ai, Dauti ka për të goditur edhe dyert e Kryeministrisë me arkivol? Si mund të shpëtohet e kurohet politika dhe bashkëjetesa jonë nga sundimi i Dautit që dyert e pushtetit të mos i godasë më asnjë Daut me arkivol?

4. A është pikërisht ky Daut që na thotë se pa të në krye të sofrës, ne do të na marrë lumi, se përndryshe do të turpërohemi sërish para botës, njëlloj si nëna e Dautit, në rast se nuk do të votojmë për të?! Sa ndër ne janë ata që i nënshtrohen kërcënimit të Dautit, pa e ditur se po kërcënohen? Sa nga ne janë ata që Dautin vazhdojnë ta quajnë edhe burrë, edhe të mençur, edhe trim, edhe gjeni, paçka se ai qëllimin e vet përherë e realizon duke kërcënuar nënën e vet?
5. Kush pra qenka ky Daut që mendërisht jeton në Bjeshkë e njëkohësisht admiron Lejdi Gagën, Rihanën, BE-në, Kanunin, SHBA-në, Kushtetutën dhe Maliqin, internetin dhe kandilin e vajgurit? A nuk është pikërisht ky ai Daut që na ka drejtuar e na sunduar, pavarësisht nga përcaktimi i djathtë apo i majtë? Cili ai udhëheqës i yni që nuk ka qenë e që më së paku nuk aspiron të bëhet një Daut? Përse ne na pëlqejnë Dautët, sa herë bëhen zgjedhje?….

* * *

Si përfundim, ndërkombëtarët, ambasadorët, përfaqësuesit e OSBE-së, eurodeputetët, kongresmenët amerikanë etj, para se të japin udhëzime për standardet e demokracisë në Shqipëri, do të ishte e udhës të njihnin më së pari psiken dhe mendësinë e Dautit. shqiptar.
Nëse ata dëshirojnë të zgjidhen problemet, ngërçet, krizat, konfliktet e sherret etj, më së pari duhet të shkojnë në katundin ku jeton ky Dauti që përmendi Berisha, të kuvendojnë shtruar me të para se të japin konferenca shtypi, sepse, mesa duket, vetëm Dauti i kreshtave tona mund të japë një përgjigje të saktë e përfundimtare, ngaqë vetëm ai e ditka sekretin e recetës me të cilën mund të kurohet ngërçi, kjo sëmundje e tejzgjatur që sa vjen e po duket si e pashërueshme…!
Qenka pra, ky farë Daut-Lejdi Gaga ai që realisht po e drejton Shqipërinë!