Bashkë, kundër Berishës !!!

0
33

Ashtu si në Luftën e Dytë Botërore, kur Çurçilli dhe Ruzvelti u bashkuan me Stalinin për të mundur një forcë të keqe si Hitleri, edhe aleanca PS-LSI është e kuptueshme për të rrëzuar Berishën. Flet nënkryetari i FRD-së, Aleksandër Biberaj

Renato Kalemi

Dy-tre ditët e para të javës që sapo lamë pas ishin tepër impenjative për Aleksandër Biberaj. Ndonëse Fryma e Re Demokratike e kishte përsëritur prej kohësh se nuk do të krijonte aleanca parazgjedhore me asnjë nga partitë e mëdha, prapë se prapë deri në minutën e fundit u besua se ajo mund të bëhej pjesë e një koalicioni. Por, nënkryetari Biberaj thotë se kjo s’mund të ndodhte sepse FRD-ja është e vendosur t’u japë një alternativë të re votuesve më 23 qershor. “Natyrisht që kemi pasur oferta, por në plan të parë vendosëm vlerat, parimet, moralin si dhe interesin e qytetarëve shqiptarë dhe jo thjesht interesat politike afat-shkurtëra”, shton ai, në intervistën për Klan. Dhe oferta nga Partia Demokratike erdhi fundjavën e kaluar, kur Kryeministri Berisha porositi Kryesinë e PD-së për të provuar njëherë aleancën me FRD-në. Ç’ka u refuzua nga kjo e fundit. “Ne ishim në PD dhe për arsye parimore u larguam nga PD-ja. Ç’kuptim do të kishte një rikthim në PD, kur arsyet e largimit tonë ekzistojnë akoma, janë ende aty?”, pyet Biberaj.

Nga ana tjetër ai komenton edhe situatën e vështirë në të cilën ndodhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas shkarkimit të anëtarit të LSI-së, Ilirjan Muho, duke nënvizuar se kjo është një taktikë e Berishës për të manipuluar zgjedhjet. Megjithatë, “kam një besim të plotë, se çfarëdo që të bëjë kryeministri, shqiptarët do të votojnë masivisht kundër tij dhe klikës së tij”. Biberaj e sheh të justifikuar edhe aleancën e Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim, dhe pavarësisht se kjo ka dëmtuar që në embrion kauzën e luftës kundër korrupsionit të qeverisë së nesërme, kauza e largimit të kryeministrit aktual nga pushteti, mbetet kauza kryesore që legjitimon çdo bashkim forcash politike. “Në Luftën e Dytë Botërore u bashkuan armiqtë politikë historikë, Çurçilli dhe Rusvelti nga njëra anë, me Stalinin nga ana tjetër, për të mundur Hitlerin, që ishte e keqja më e madhe e kohës”, argumenton ai, duke e vënë largimin e kryeministrit Berisha dhe rotacionin politik mbi gjithçka tjetër. Sepse kjo do të ndihmonte edhe PD-në dhe të djathtën shqiptare.

– Zoti Biberaj, kjo javë ishte java e konfigurimit të koalicioneve parazgjedhore dhe Fryma e Re Demokratike vendosi, ashtu siç kishte bërë të ditur shpeshherë, që të dalë e vetme në zgjedhje. Pse erdhi ky vendim i juaji, kur ofertat nuk munguan?

Fryma e Re Demokratike mori një vendim për të dalë e vetme në zgjedhje, vendim që shkon në sinkron me arsyet e krijimit, të ekzistencës dhe të identitetit politik të FRD-së, si dhe me gjithë filozofinë, ideologjinë dhe dinjitetin e FRD-së dhe lidershipit të saj. Natyrisht që kemi pasur oferta, por në plan të parë vendosëm vlerat, parimet, moralin si dhe interesin e qytetarëve shqiptarë dhe jo thjesht interesat politike afat-shkurtëra. Dhe nga të gjitha sondazhet dhe komunikimi publik që ne kemi, na rezulton se kemi bërë zgjedhjen më të mirë, pasi shqiptarët më 23 qershor nuk do të jenë të detyruar që në mes të dy të këqijave të zgjedhin të keqen më të vogël, siç ka ndodhur rëndom gjatë tranzicionit, por do të kenë edhe një alternativë të tretë, alternativë e re që bazohet tërësisht në vlera. Çdo ditë po i bindim qytetarët që alternativa jonë është më e mira, dhe rezultati më 23 qershor besoj se do të jetë shumë i mirë për FRD-në.

– A patët një ofertë të drejtpërdrejtë bashkëpunimi nga Partia Demokratike? Nëse po, cilat ishin arsyet e refuzimit tuaj?

E vërteta është se kryeministri në ikje, në një mbledhje të dëshpëruar të kryesisë së PD-së në mesnatë, lëshoi në ajër një ftesë për koalicion me partitë e qendrës dhe të së djathtës, ndërkohë që ftesë zyrtare nuk erdhi. Gjithsesi, pavarësisht ftesës formale apo informale, ofertave formale apo informale, ne në asnjë mënyrë dhe rrethanë nuk mund të bënim koalicion me kryeministrin e tej-konsumuar dhe klanin e tij oborrtar. Ne ishim në PD dhe për arsye parimore u larguam nga PD-ja. Ç’kuptim do të kishte një rikthim në PD, kur arsyet e largimit tonë ekzistojnë akoma, janë ende aty, kur PD-ja vazhdon të ketë të njëjtin lidership, kur situata në PD jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por është përkeqësuar dhe ka degraduar edhe më keq? Nuk mundet që ne t’i japim oksigjen një kryeministri, qeverisë dhe kupolës mafioze të tij, kur ka kohë që i’u ka skaduar koha, një qeverie totalisht të kalbur, të amortizuar dhe të zhytur në korrupsion.

– A është integriteti i moralit politik, arsyeja që ju nuk pranuat aleancën me Berishën?

Po, kjo është arsyeja e vërtetë, pasi vendosëm bazuar në moralin tonë politik, intelektual dhe qytetar dhe jo nga interesat politike afat-shkurtëra. Qytetarët shqiptarë kanë rast për të parë dhe kuptuar që politika nuk është vetëm imoralitet, kënetë apo pazare, por ajo fare mirë mund të bazohet edhe në moral dhe ne si FRD, po e japim këtë shembull. Politika, si çdo fushë tjetër, dhe politikani, si çdo profesion tjetër, kanë nevojë për moral.

– Për shumë kohë u përfol se FRD-ja mund të bashkëpunonte me Aleancën Kuq e Zi. Pse nuk lindi asnjëherë ky bashkëpunim? Ajo është një forcë e re politike, si ju.

Kemi qenë të hapur për aleanca me parti që nuk i kanë shkaktuar kosto Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe në këtë këndvështrim ishim të hapur edhe për bashkëpunim me Aleancën Kuq e Zi, por siç u pa, Aleanca kishte trajektore tjetër dhe bëri zgjedhjen e vet.

– Tani që zgjedhjet e 23 qershorit do t’i përballoni të vetëm, përballë një sistemi zgjedhor i cili është i pamëshirshëm ndaj partive të reja, mendoni se FRD-ja mund të përfaqësohet në parlament? Me sa deputetë minimalisht?

Ne hyjmë në betejën e 23 qershorit me moralin e fituesit dhe me një mbështetje të madhe popullore në gjithë Shqipërinë, gjë që patjetër do të na japë një grup parlamentar cilësor dhe sasior në zgjedhjet e 23 qershorit.

– Cilat janë qarqet dhe zonat ku FRD-ja pretendon të fitojë të paktën një deputet dhe ku gara do të jetë edhe më e ashpër për ju?

Do të garojmë me listë të plotë me 140 kandidatë në te gjithë Shqipërinë dhe jam i bindur se do të fitojmë një numër të konsiderueshëm deputetësh. Natyrisht, gara më e fortë do të jetë në zonat urbane, ku edhe përqëndrimi i votuesve është më i lartë, por edhe mbështetja jonë është më e madhe.

– Sa mundësi ka që pas zgjedhjeve, FRD-ja të lidhë një marrëveshje paszgjedhore, qoftë me PD-në apo qoftë me PS-në, në varësi të rezultatit?A do të jeni të hapur për një bashkëpunim pas zgjedhjeve?

Sot për sot flasim se çfarë do të bëjmë deri më 23 qershor, dhe direkt pas zgjedhjeve, pra që më 24 qershor, ne do të flasim se çfarë do të bëjmë pas zgjedhjeve.

– Ditët e fundit, situata në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është acaruar së tepërmi dhe pas dorëheqjes së tre anëtarëve të opozitës, ky institucion është në krizë. A mendoni se kjo situatë vë në rrezik serioz zgjedhjet e 23 qershorit?

Natyrisht që, me zhvillimet e fundit në KQZ, zgjedhjet tashmë janë vënë në rrezik. Kryeministri e ka filluar tashmë skemën e manipulimit të zgjedhjeve, duke synuar që të mbajë nën kontroll KQZ-në. Palët politike duhet që patjetër dhe sa më shpejt të gjejnë zgjidhje tjetër që rikompozon KQZ-në, siç kanë këshilluar edhe partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE. Sido që të jetë, kam një besim të plotë, se çfarëdo që të bëjë kryeministri, shqiptarët do të votojnë masivisht kundër tij dhe klikës së tij, duke siguruar rrotacionin politik, që është jetik për Shqipërinë dhe të ardhmen europiane të vendit tonë.

– Pas aleancës së madhe mes PS-së dhe LSI-së, a mendoni se tashmë ka humbur kauza alternative e opozitës për të qeverisur vendin?

Opozita në çdo vend demokratik synon pushtetin, dhe kjo është normale. Parë në këtë këndvështrim ajo nuk e ka humbur kauzën e pushtetit, ndërkohë që koalicioni PS-LSI, ka dëmtuar që në embrion kauzën e luftës kundër korrupsionit të qeverisë së nesërme, pasi siç dihet, LSI-ja bashkë me qeverisjen e PD-së, u bënë simbolet e korrupsionit me figurë, zë dhe bllok në dorë. Gjithsesi, për zgjedhjet e 23 qershorit, kauza e largimit të kryeministrit aktual nga pushteti, mbetet kauza kryesore që legjitimon çdo bashkim forcash politike. Në Luftën e Dytë Botërore u bashkuan armiqtë politikë historikë, Çurçilli dhe Ruzvelti nga njëra anë, me Stalinin nga ana tjetër, për të mundur Hitlerin, që ishte e keqja më e madhe e kohës. Edhe sot në Shqipëri, e keqja më e madhe e kohës është kryeministri aktual me kupolën e tij antishqiptare dhe antipopullore, e cila duket larguar patjetër nga pushteti.

– Pavarësisht se kush do fitojë zgjedhjet, me shpresën se gjithçka do të shkojë normalisht, në këndvështrimin tuaj, cila do të jetë gjendja e vendit pas 23 qershorit?

Kryeministri aktual do t’i humbasë thellë zgjedhjet, gjë që do të hapë edhe rrugën për reformimin e së djathtës. Përveç largimit të kryeministrit, ka edhe diçka tjetër shumë pozitive, pasi kryeministri do të marrë me vehte edhe të gjithë ata që i thirri nën armë në koalicion, gjë që do të pastrojë një herë e mirë të djathtë e deformuar prej tij. Direkt pas zgjedhjeve, hapet rruga për krijimin e një të djathte të re, të moderuar dhe bashkëkohore, mision që do ta kryejë më së miri Fryma e Re Demokratike. Opozita do t’i fitojë zgjedhjet dhe pas 23 qershorit do të kemi një qeveri tjetër.

– Me afrimin e fushatës dhe datës së zgjedhjeve, kampet kryesore karakterizohen nga ashpërsimi i gjuhës dhe akuzave, ndërkohë që FRD ngelet parti e fokusuar në ofertën e vet dhe e kthjellët në artikulimin e politikës së saj. A mendoni se mund t’ju dëmtojë ky “abstenim” nga “akuzologjia” që veçon forcat e mëdha politike?Apo kjo është arma me të cilën kërkoni votën e shqiptarëve?

Që në fillim ne jemi pozicionuar si forcë pozitiviste dhe e moderuar. Ne po përpiqemi që të zbatojmë një model të ri politik, një model reformator dhe qytetar, një model që është sinkron me modelet bashkëkohore amerikane dhe europiano-perëndimore. Alternativa jonë politike bazohet në ofrimin e zgjidhjeve për problemet e qytetarëve, ndërkohë që “akuzologjinë” ua kemi lënë forcave të vjetra të tranzicionit, forca me reminishenca të theksuara nga e kaluara komuniste. Për ne, opozitarët nuk janë armiq që duhen “nxirë” për gjithçka apo duhen “eliminuar”, si në një ndeshje gladiatorësh, por janë pjesë e rëndësishme e demokracisë me të cilët debatohet, të cilët përpiqesh t’i mundësh me “fair play” në betejat elektorale dhe të cilët duhet t’i respektosh dhe të bashkëpunosh me ta për interesat e qytetarëve dhe të vendit tënd.