Basha zgjedh stafin pa votim, rekruton kabinetin e Berishës, ikin Topalli, Bode dhe 6 sekretarë

0
34

Nuk kanë të sosur skandalet në Partinë Demokratike, kupola e secilës ka humbur çdo vetëdije ligjore dhe demokratike, pas disfatës katastrofike në zgjedhjet e 23 Qershorit. Kryetari formal i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zgjedhur defakto lidershipin e ri të partisë, duke shkelur statutin, i cili ngarkon Këshillin Kombëtar për të zgjedhur me votë ekipin e ri drejtues të PD. Stafi i ri i Lulzim Bashës përbëhet nga këshilltarët e Sali Berishës, nga drejtuesit e kabinetit Berisha, njerëz të bashkisë dhe miq të familjes. Këshilltarët, që përbëjnë kabinetin Berisha, janë zhvendosur me detyrë edhe në Partinë Demokratike.

Kështu, pasi diktoi pasardhësin me një proces të dyshimtë dhe të deformuar, Sali Berisha po dikton edhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Lulzim Bashës, duke dëshmuar kontrollin e tij absolut mbi Partinë Demokratike. Kështu, në takimet me ambasadorë të akredituar në Tiranë, Lulzim Basha është parë i shoqëruar nga shefi i kabinetit të Berishës, Oerd Bylykbashi. Edhe pse Sekretar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PD ishte Besnik Mustafaj dhe tashmë duket se është Gerti Bogdani, këtë rol po e luan defakto shefi i kabinetit të Berishës, Oerd Bylykbashi.

Ndërkaq, sipas burimeve, Berisha ka caktuar edhe dy nënkryetarët e Partisë Demokratike, Sekretarin e Përgjithshëm dhe kryetarin e ri të grupit parlamentar. Ai thjeshtë i ka paraqitur listën Bashës, ndërsa ky i fundit i ka miratuar me një buzëqeshje. Kryetari formal i Partisë Demokratike ka nxjerr defakto jashtë loje Sekretarin e Përgjithshëm, Ridvan Bode dhe nënkryetaren e Partisë Demokratike, Jozefina Topallin, e njohur si rivalja më e përbetuar e Bashës në PD. Ndërkaq, nënkryetari tjetër i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka dhënë dorëheqjen nga ky post, pasi hodhi akuza mbi dyshen Berisha-Basha.

Por, Berisha dhe Basha kanë fshirë edhe 6 sekretarë të rëndësishëm të Partisë Demokratike. Kështu, Basha ka zëvëndësuar me njerëzit e familjes Sekretarin për Çështjet Ligjore, Ilir Rusmalin, Sekretarin për Pushtetin Lokal, Ferdinand Poni, Sekretarin për Marrëdhëniet me Jashtë, Gerti Bogdani, Sekretarin e Burimeve Njerëzore, Ilir Bano, Sekretarin për Partneritet, Gent Strazimiri dhe Sekretarin për Ekonominë, Edmond Spahon.

Statuti

Sipas nenit 41 të statutit të Partisë Demokratike, Këshilli Kombëtar zgjedh/shkarkon ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi Kombëtar, me votim të fshehtë: sekretarin e përgjithshëm; nënkryetarët e partisë; sekretarët funksionalë; kryetarin e bordit financiar të partisë dhe komisionin qendror të apelimit. Pra, siç edhe shihet, lidershipi i ri i PD kalin vetëm nëpërmjet Këshillit Kombëtar. Ndërkaq, Këshilli Kombëtar përbëhet nga kryetari; sekretari i përgjithshëm, nënkryetarët, sekretarët funksionalë të partisë, kryetari i bordit financiar (trezorieri) i partisë; ish presidentët e republikës, ish kryeministrat, ish-kryeparlamentarët dhe ish kryetarët e PD, kryetarët e këshillave të qarqeve dhe kryetarët e bashkive të kategorisë së parë, kryetarët e degëve, kryetarët e organizatave partnere etj.

/Adriatik Doçi