Basha në betejë me prokurorinë dhe rivalët politikë. Kështu është titulli i kabllogramit që ka publikuar Wikileaks në lidhje me ish-ministrin Lulzim Basha që tanimë është kryetar i Bashkisë së Tiranës. Kabllogrami është i datës 12 dhjetor i vitit 2008 ndërsa është klasifikuar si konfidencial. Dokumenti thotë se prokurorët tanimë kanë proceduar me çështjen Basha drejt Gjykatës së Lartë e cila do të vendosë për fajësinë apo pafajësinë.
Mbrojtja e Bashës është bërë edhe më e komplikuar thotë kabllogrami nga lufta brenda Partisë Demokratike teksa oponentët e Bashës kanë nisur të shpresojnë tek eliminimi i figurës së tij. “Basha nuk është akuzuar për korrupsion por është marrë nën hetim për abuzim me detyrën dhe thyerje të procedurave të tenderimit.
Gjithçka lidhet me procedurat e tenderimit të rrugës Durrës-Kukës që shkaktoi një kosto afro 600 milionë euro. Mbrojtësit e Bashës pretendojnë se akuzat janë politike dhe si të tilla nuk qëndrojnë. Telashet ligjore të Bashës janë komplikuar nga pozicionet brenda Partisë Demokratike ndërsa një rivale si kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli është duke parë për të përfituar. Zyrtarët e tjerë të PD si kryeministri Berisha kanë ofruar mbështetje duke insistuar tek akuzat e motivuara politikisht.
Arben Cici, Këshilltari politik i presidentit Bamir Topi i tha oficerit politik të ambasadës se telashi më i vogël i Bashës është me opozitën ndërsa sipas tij brenda PD-së është problemi më i madh për të. Basha e dëshmoi këtë në fakt në një telefonatë gati histerike me zvambasadoren në nëntor të cilës i tha se rivalët e tij politik brenda Partisë Demokratike po ofronin medias të dhëna për lidhjet e tij me biznesmenin e dyshimtë Damir Fazlic”, përfundon kabllogrami.