Basha, ose modeli i mashtrimit

0
32

Nga Arban Hasani

Një muaj pasi Lulzim Basha është ulur në karriken e kryetarit të bashkisë së Tiranës, duket se të gjitha premtimet e tij elektorale kanë vdekur. Shpallja si fytyra e re e kryeqytetit, zotimi për përkushtim vetëm për Tiranën, përpjekja për t’u shfaqur i ndryshëm me Berishën dhe largimi i këtij të fundit nga skena elektorale; premtimi për të mos bërë spastrime politike sipas slloganit se të parët janë qytetarët; artikulimi për mosprishjen e piramidës dhe bastet e forta publike: që nga hipotekat e pallateve e deri tek tramvajet e trenat fluturues në 100 ditë, pra të gjitha, kanë marrë fund.

Nuk duhet bërë gabimi që të mendohet se një pjesë e mirë e premtimeve të tij ishin të pagjetura. Përkundrazi, në opinionin publik, qasja e Bashës u vlerësua nga afro 125 mijë votues, që megjithatë e lanë vetëm 10 vota pas Edi Ramës, kryetarit që u largua pas një odiseje jo vetëm 10 vjeçare në krye të Tiranës, por edhe dy mujore në KQZ e gjykata, derisa mori ngushëllimin e humbjes me hile nga raporti i ODHIR-it për zgjedhjet.

Por, fatkeqësia është se këto premtime ishin false që në krye të herës, ndaj dhe gjithë ambjenti politik, pro apo kundër Bashës nuk debatonte në lidhje me mundësinë e realizimit të tyre, por vetëm për faktin sa të bindëse ishin këto premtime për të marrë votat e njerëzve, si dhe për mënyrën sesi mungesa e moralit dhe gënjeshtra e artikuluar nga politika, konsiderohet si sukses.

Lulzim Basha është politikani i radhës që vazhdon këtë kurs që po kthehet në modë në Shqipëri. Në vitin 2005, Partia Demokratike dhe Sali Berisha erdhën në pushtet me një kalë të fortë beteje, luftën kundër korrupsionit. Kjo u shoqërua me hapjen e partisë për të kthyer aty jo vetëm personazhet tradicionale, por edhe aleatët që do të trajtoheshin si të barabartë. Të dyja këto premtime u zhdukën shumë shpjet.

Korrupsioni lulëzoi më shumë se më parë, ndërsa aleatët dhe personazhet e forta të së djathtës u kthyen në burokratë dhe vartës të bindur të Berishës, a thua se 15 vjet luftë politike i kishin bërë thjesht dhe vetëm për të mbajtur një dosje gjysëm bosh si këshilltarë të kryeministrit apo në rastin më të mirë, një portofol të diskutushëm në kabinetin qeveritar.

E njëjta histori u përsërit dhe në 2009, kur të paktën 80 mijë votues zgjodhën siglën e LSI-së, si zgjidhjen më radikale në raport me pushtetin që sipas tyre tolerohej nga Edi Rama. Përfundimi është i njohur, Meta dhe të tijët që prej dy vjetësh mbajnë në këmbë një qeveri me vota që i morën si alternativa më e besueshme për ta rrëzuar menjëherë atë. Lulzim Basha po ndjek pikërisht këtë kurs. Ai duket se ka fshirë nga kujtesa gjitçka që ka thënë në fushatë.

Ndryshe nga prilli, kur bënte sikur nuk ishte në dijeni, në gusht është Sali Berisha ai i cili njofton mbi veprimtarinë e Bashkisë së Tiranës. Ndryshe nga prilli kur bënte sikur nuk ishte dakort, Basha në gusht është sinkron me zonjën Topalli për prishjen e Piramidës. Ndryshe nga prilli, ai tani shprehet për ndryshim të projektit të qëndrës së Tiranës, madje nuk shpjegon dot se ku do të lëvizin njerëzit kur të shembet piramida dhe stadiumi. Ndryshe nga prilli, në gusht ka ndryshuar afatet e hipotekimit të apartamenteve, duke ju zbuluar një surpirzë të re me formularë dhe pagesa ekstra qytetarëve që e votuan dhe u gëzuan atëherë. Ndryshe nga prilli, kur përbetohej se do të ishte kryetar i të gjithëve, shkarkoi brenda një pasdite 51 punonjës, unikale edhe për regjimet me ndëshkime kolektive. Ndryshe nga prilli, kur premtonte se do të ndihmonte bizneset dhe do t’i jepte frymëmarrje ekonomisë në qytet apo numëronte dhjetëra mijëra vende pune, po ju zë frymën me taksa dhe bllokime kafeneve dhe bizneseve “socialiste”, shtesave pa leje të disave që nuk e kanë mirë me të rinjtë, ndërsa të tjerët ndërtojnë të qetë. Ndryshe nga prilli kur përbetohej se nuk do të merrej “me politikë të lartë partiake”, tashmë është në garë serioze për nënkryetar të PD-së, madje mirëpret idetë që pëshpëriten si të përzgjedhurin e vetëm për pasues kur Berisha mos të jetë më atje. Ndryshe nga atëherë, nuk lë sot asnjë zë të artikulohet nëpër ambasada se ai do të jetë kundërshtari i vërtetë i Berishës, por për këtë i duhej pushteti i kryebashkiakut. Ndryshe përsëri, nuk i përmend kërkund projektet inxhinierike për tramvaje dhe rrugë me shumë korsi, por si për të marrë më qafë qoftë naivët, por edhe rrufjanët e fushatës që i rrinin pranë në tryezat intelektuale, la të digjej në gusht dhe ai pak gjelbërim që sipas tij kishte mbetur në Tiranë. Ndryshe nga fushata kur tregonte planet tridhjetë, njëqind apo njëmijë ditëshe, tashmë kërkush nuk di asgjë se çdo të ndodhë me qytetin në orët që vijnë. Kronikat e vetme janë sesi e çon kohën kryetari i ri i Bashkisë, kronika që shpallen nga të tjerë. (Drekë në zyrë, pritje e artistëve për t’i emëruar ambasadorë dhe pelegrinazhe rrëfimesh nga hallexhinj).

Në këtë kronikë ka diçka që Lulzim Basha e bën njësoj si në fushatë. Nuk është vetëm zakoni i kasetave të monutara që i shpërndan në televizione. Nuk është ndoshta dhe dëshpërimi i izoluar për gjërat që i dalin jashtë kontrollit, siç kur një pedagoge i prishi imazhin e fushatës duke e bërë përgjegjës për 21 janarin, qoftë edhe kur një militant i zveniti sharmin perëndimor duke i therur një dash përpara bashkisë ditën e betimit. Duket se më shumë se për këto, e njëjtë mbetet filozofia politike e Bashës. Ashtu si edhe në fushatë, për të pak rëndësi ka se cili është raporti me premtimet dhe sinqeritetin. Ai po përpiqet të krijojë modelin e triumfatorit, që megjithëse ka gënjyer ditën për diell dhe nuk mban asnjë premtim, buzëqesh i lumtur nga rezultati.

Por, pa shpresë për të mbetet vetëm fakti se megjithë këto, Lulzim Bashën e ndajnë 10 vota përpara se të bërtasë “ja u hodha” qytetarëve të Tiranës. Janë këto 10 vota të njohura nga faktori ndërkombëtar, që mbajnë ende në këtë vend shpresën se moda e gënjeshtrës nuk mund të zerë vend përfundimtar, paçka që ajo po përdoret dendur nga kjo maxhorancë.