Nga Mero Baze
Kryeministri Sali Berisha nuk u tërhoq nga vendimi për të kandiduar Lulëzim Bashën për kryetar të Bashkisë së Tiranës edhe pas vendimit të Edi Ramës për të qëndruar në krye të Bashkisë edhe një mandat. Kandidimi përballë Ramës është kthyer në një shkollë politike brenda PD-së, dhe figurat që kanë konkurruar me të, edhe pse kanë humbur, kanë formuar më shumë personalitet dhe individualitet në PD se ata që janë mbajtur në krahët e Berishës.
I pari prej tyre, Besnik Mustafaj, është një nga figurat më popullore të PD-së edhe pse në armiqësi me Berishën; i dyti, Ngjela, është larguar nga Berisha, por ka dëshmuar kurajo politike për tu përballur me të qysh muajt e parë të pushtetit; ndërsa i treti, Olldashi, edhe pse e ka tejkaluar luftën e ftohtë ndaj tij nga grupe të lidhura me familjen Berisha brenda PD-së, sërish mbetet më i aftë në debatin publik në raport me figurat e tjera të PD-së.
Lulëzim Basha, i katërti në radhë, deri më sot nuk ka bërë asnjë betejë politike. Ai erdhi me rekomandim dhe mbështetje të vajzës së Sali Berishës, hyri në qeveri dhe s’ka ikur më asnjë ditë prej pushtetit. Kjo është beteja e tij e parë politike dhe ndoshta do të jetë më e forta e jetës së tij. Edhe pse optimistët më të mëdhenj flasin për një rezultat pak më të mirë si Olldashit, askush, përfshi dhe Berishën, nuk mendon më për fitoren e tij, por për mënyrën se si ai do të përballojë betejën dhe ç’do bëhet me të në të ardhmen.
Ata që mendojnë se humbja e Bashës është heqje qafe e tij, gabojnë. Nëse ka një rast që Berisha do të ketë të drejtë morale dhe politike të rimbështesë Lulëzim Bashën, është rasti kur ai të humbasë këto zgjedhje. I mbetur pa imunitet, me dy çështje penale të rënda, një për vrasje dhe tjetra për vjedhje, Basha rrezikon të përfundojë në qeli nëse nuk ka mbështetje politike. Ndaj grupet e përfolura kundër tij me në krye zonjën Topalli kanë më shumë leverdi ta shohin Bashën fitues se sa një humbës te heroizuar që do të rimarrë më shumë përfitime politike nga sa ka.
Edhe ata që mendojnë se Basha ka shans të fitojë nëse në fushatë krijon distancë nga Berisha, gabojnë. Në tri garat e mëparshme, dy prej kandidatëve kanë krijuar një distancë nga Berisha. Edhe Mustafaj edhe Ngjela, sidomos ky i fundit, krijoi një profil tërësisht personal në fushatë dhe bëri fushatë shumë të bukur. Bile media e shpalli atë fitues të fushatës, por Rama ishte prapë fitues i zgjedhjeve. Mbajtja larg e Berishës nga fushata e Bashës nuk i shton asnjë pikë Bashës. Kjo pikësëpari se Basha nuk ka asnjë tezë politike ndryshe nga Berisha. Por mbi të gjitha, Basha ka prioritet kryesor tu thotë qytetarëve të Tiranës se epërsia e tij është mbështetja nga pushteti qendror i Berishës dhe jo distanca nga ai. Kur kanë kandiduar Mustafaj dhe Ngjela, Berisha ka qenë në opozitë dhe i izoluar, dhe distanca nga ai ishte pozitivitet. Me Olldashin dhe Bashën është absurditet.
Kandidimi dhe humbja e Lulëzim Bashës do të vlejnë për Lulëzim Bashën më shumë se recetat skolastike të një fitoreje me ide qesharake për “Bashë ndryshe nga Berisha”. Basha është në provë për të menaxhuar një betejë elektorale. Kjo është betejë e tij jo për të fituar Bashkinë, por për të fituar PD. Nëse ai ia del të dëshmojë fuqi për të konkurruar me liderin e opozitës, ka një pasaportë për të vazhduar garën për lidership brenda PD-së, dhe në raport me Olldashin, i cili mbetet i vetmi që ka bërë beteja elektorale brenda asaj partie, ky ka më shumë shanse të ngjitet në krye pasi ka dhe bekimin e Familjes. Dhe kaq nuk është pak për të. Po të mendosh që deri më sot gjithçka e ka bërë vetëm duke e konsideruar Berishën “babin e Argitës”, kjo është beteja që noterizon ambicien e tij për të qenë pasardhës i merituar. Për më tepër kur mendon se në Shqipëri rruga drejt pushtetit kalon nga kërcënimi i prangave.