Me ndikimin që ka pasur te kryeministri Sali Berisha gjatë gjashtë viteve të fundit, kreu i ri i bashkisë së Tiranës ka bërë dhe fituar ato çfarë i ka dashur e bardha zemër. Nuk pësoi asgjë juridike për miliona euro të rrugës Durrës-Kukës, shpëtoi nga 21 janari ku dha urdhër për të vrarë 4 vetë protestues, nuk e gjeti gjë për grabitjen e mandatit të Tiranës dhe për dhjetëra afera të tjera si ministër ku shiti dhe detin Greqisë apo manipuloi me listat e zgjedhësve.
Një prej tyre është edhe mënyra se si i bën nder kunatit të tij. Pasi i dha lejen e ndërtimit në Ujin e Ftohtë në Vlorë për ngritjen e dy kullave të mëdha në det në emër të vjehrrit të tij Xhaferr Isufi, të dyja ndërtime pa leje, ka menduar edhe për një biznes industrial “Megatek”. Bashkëpronësi e kunatit Erjon Isufi dhe Dionis Teqjas.
Por surpriza fshihet në vendimin e qeverisë nr. 734, të datës 28 maj 2008, fiks pak më shumë se dy muaj pas katrahurës së Gërdecit. I jep kunatit të tij në emër të kryeministrit hidrocentralin e Peqinit, në bashkëpronësi me Dionis Teqjan, sikurse dhe të biznesi në autostradë “Bëje vetë, bëje mirë!”.
Kujtojmë se dy hidrocentrale Berisha ia ka dhënë kreut të shoqatës “Tirana”, luftëtarit të paepur kundër Edi Ramës dhe tashmë i zgjedhur kryetar i Njësisë Bashkiake nr. 8 në Tiranë, Arben Tafaj. Po shumë hidrocentrale janë në emër të ministrave Majlinda Bregu, Albana Vokshi, Rajmonda Bulku, Genc Ruli dhe miqve të Ilir Metës, ky i fundit merr shpërblime për çdo konçesion si në rastin e Agim Rrapajt. Më poshtë agjencia AMA po publikon vendimin e qeverisë të plotë.
VENDIM
Nr.734, datë 28.5.2008
PËR PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT KONTRAKTUES PËR DHËNIEN ME KONCESION TË HIDROCENTRALIT “PEQIN”, DHE MIRATIMIN E BONUSIT, NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 3, e 23, pika 3, shkronja “b” të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore, për dhënien me koncesion, të formës “BOT” (ndërtim, operim dhe transferim) të hidrocentralit “Peqin”, është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
2. Miratimin e bonusit prej 4 për qind të pikëve për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar), që i jepet shoqërisë “HEC PEQIN” sh.p.k.
3. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në procedurën konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Peqin”, të kërkojë shprehje interesi dhe të pranojë oferta, për të gjithë pjesën e lirë të skemës, ku përfshihet ndërtimi i këtij hidrocentrali.
4. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha
*AMA NEWS